Ndërlidhjet

Maqedoni: 9 vjet pas konfliktit të armatosur


Shkup
Shkup
Institucionalizimi i çështjes së familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës apo hyrja e kësaj kategorie në Kushtetutën e Maqedonisë, sigurisht që do t’i hapte dyert që shqiptarët të merrnin hisen e vet në këtë shtet, thotë Besim Hoda, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Sipas tij, kjo problematikë është shndërruar në çështje të marketingut politik, mes subjekteve politike shqiptare.

“Nuk është arritur objektivi i luftës së vitit 2001. Nëntë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, gjithë ai mund, ajo djersë dhe gjak kombëtar i derdhur gjatë 2001-shit, po shpërblehen vetëm për pasurimin e disa individëve apo grupacioneve, që thirren në emër të luftës dhe nuk bëjnë asgjë as për ata që derdhën gjakun, e as për të përmirësuar statusin e përgjithshëm të shqiptarëve të Maqedonisë”,
thotë Hoda.

Nënkryetarja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ermira Mehmeti Devaja, thotë se zgjidhja e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka hasur në rezistencë si nga partneri i kaluar maqedonas i BDI-së - LSDM -, ashtu edhe tani nga VMRO-DPMNE. Megjithatë, ajo thekson se BDI beson në zgjidhjen e shpejtë të statusit të kësaj kategorie.

“BDI është duke argumentuar se kjo zgjidhje paraqet përmbyllje, thënë kushtimisht, të pasojave nga konflikti i armatosur i vitit 2001. Sa më shpejt që përmbyllen pasojat, aq më shpejt do të mund të fokusohemi të gjithë bashkërisht tek e ardhmja”.

“Ne jemi duke punuar në këtë drejtim, presim të mbizotërojnë argumentet racionale dhe në një periudhë të shpejtë kohore të përmbyllet kjo çështje”,
shprehet Mehmeti Devaja.

Nga ana tjetër, Naser Ziberi, ekspert, i cili ka marrë pjesë edhe në hartimin e Marrëveshjes së Ohrit, thotë se pa zgjidhjen e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, dokumenti kornizë i Ohrit mbetet i gjymtuar dhe në masë të madhe jofunksional.

“Defekti kryesor për moszgjidhjen e kësaj çështjeje të rëndësishme qëndron në mungesën e vullnetit politik te konjukturat udhëheqëse, në rend të parë te pala maqedonase, e cila nuk shpreh gatishmëri ta zgjidhë këtë çështje”.

“Defekti i dytë qëndron në mungesën e imponimit të këtij vullneti nga ana e subjektit politik shqiptar në Qeveri”,
thotë Ziberi.

Ndërkohë, ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Xhelal Bajrami, dit më parë, tha se me partnerin e koalicionit bisedohet në vazhdimësi për zgjidhjen e kësaj çështjeje brenda ligjeve ekzistuese, duke shprehur besimin se rezultatet do të jenë evidente në periudhën që vijon.

Por, këto pretendime të ministrit shqiptar nuk janë konfirmuar nga partneri maqedonas në pushtet, VMRO-DPMNE.
XS
SM
MD
LG