Ndërlidhjet

“Agimi i Ri” zëvendëson operacionin “Liria e Irakut”


Bagdad, 01 shtator 2010
Bagdad, 01 shtator 2010

Nënpresidenti amerikan Xho Bajden dhe sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts, morën pjesë në ceremoninë në Irak, e cila shënoi fillimin e operacionit “Agimi i Ri", emër i ri për misionin e ushtrisë amerikane për të ndihmuar dhe këshilluar forcat irakiane.

Ceremonia në Bagdad u mbajt pasi presidenti amerikan, Barak Obama, formalisht shpalli se SHBA-të i kanë përmbyllur operacionet luftarake në Irak.

Gajtë ceremonisë së zëvendësimit të operacioneve në Bagdad

“Operacioni ‘Liria e Irakut’ mori fund, por angazhimi amerikan në Irak do të vazhdojë me misionin që fillon sot, operacionin ‘Agimi i Ri’. Kjo ceremoni jo vetëm që shënon ndërrimin e komandës, por edhe fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet me Irakun”
, tha Bajden.

Nënpresidenti amerikan gjithashtu i lëvdoi forcat irakiane për rolin e tyre në fushën e sigurisë.

“Sot, përderisa mbetet kërcënimi dhe realiteti tragjik i gjakderdhjes, dhuna ka arritur pikën më të ulët që nga viti 2003 kur erdhëm këtu. Një pjesë e madhe e meritave shkojnë për forcat e sigurisë të Irakut”
, tha Bajden.

Gjenerali Rej Odierno, zyrtarisht i dorëzoi komandën e afro 50 mijë trupave amerikane gjeneralit Llojd Ostin, i cili ashtu si Odierno, ka shërbyer në Irak që nga invazioni në mars, 2003.

“Duke votuar për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin, populli irakian i dërgoi mesazh të qartë udhëheqësisë së tij, dhe unë u bëj thirrje të gjithë bllokut politik që të përgjigjet duke formuar një qeveri përfaqësuese. Është koha që Iraku të ecë përpara”
, tha Odierno.

Më herët, sekretari i mbrojtjes Robert Gejts deklaroi se Shtetet e Bashkuara në Irak nuk janë më në luftë. (v.p.)



* * * * *

Obama: Mbyllet misioni luftarak në Irak


Duke thënë se është koha “që të kthehet faqja”, presidenti Barak Obama i shpalli të mbyllura operacionet luftarake të Shteteve të Bashkuara në Irak, duke e përfunduar kështu misionin, i cili zgjati afro shtatë vjet e gjysmë.

“Po e shpalli se misioni luftarak amerikan në Irak ka përfunduar. Operacioni 'Liria e Irakut' është i mbyllur dhe tash populli i Irakut e ka përgjegjësinë udhëheqëse për sigurinë e vendit të vet”
, tha presidenti Barak Obama.

Derisa ishte kandidat për postin në Shtëpinë e Bardhë, Obama shpeshherë e kishte kritikuar invadimin e Irakut në vitin 2003, nën presidentin Xhorxh Bush.

Prej se u zgjodh president, në janar të vitit 2009, Obama e reduktoi numrin e trupave amerikane në Irak për 90 mijë ushtarë dhe e përfundoi transferimin e kontrollit tek ushtria irakiane ndaj qindra bazave ushtarake.

Megjithatë, afro 50 mijë trupa amerikane do të mbeten atje deri në fund të vitit 2011, për misionin “ndihmë dhe këshillë”, me qëllim që të rritet kapaciteti i ushtrisë dhe policisë irakiane.

Presidenti Obama tha se megjithëse trupat e fundit ushtarake janë larguar nga Iraku, përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për ndërtimin e së ardhmes së këtij vendi, do të vazhdojë.

Shtetet e Bashkuara, theksoi ai, do të mbeten “mik dhe partner” në raportet e reja, të bazuara “në interesat dypalëshe”.

Derisa ushtria jonë po tërhiqet, civilët tanë, diplomatët e dedikuar, punonjësit humanitarë dhe këshilltarët, po lëvizin në udhëheqjen për mbështetjen e Irakut, për forcim të qeverisjes, për zgjidhjen e mospajtimeve politike, për vendosjen e atyre që janë zhvendosur nga lufta dhe për krijimin e lidhjeve me rajonin dhe botën”, tha Barak Obama.

Barak Obama në Teksas, duke falënderuar forcat ushtarake që shërbyen në Irak

Përfundimi formal i operacioneve amerikane luftarake koincidoi me një valë dhune nga kryengritësit, nga e cila janë vrarë afro 50 vetë, gjatë ditëve të fundit.

Zoti Obama e pranoi se dhuna me gjasë do të vazhdojë, por tha se “këta terroristë do të dështojnë t’i arrijnë qëllimet e tyre”, pasi irakianët, e kanë hedhur poshtë luftën sektare dhe ata nuk kanë interes në shkatërrimet e pafundme”.


Më tutje Obama theksoi:

“Një nga mësimet e përpjekjes sonë në Irak është se ndikimi amerikan në botë nuk është vetëm funksion i forcës ushtarake. Ne duhet t'i shfrytëzojmë të gjitha elementet e forcës sonë, përfshirë diplomacinë, fuqinë ekonomike dhe shembullin e forcës amerikane, për t’i siguruar interesat tona dhe për të qëndruar afër aleatëve tanë”.

“Ne duhet të projektojmë një viziton të së ardhmes, që është i mbështetur jo vetëm në shqetësimet tona, por edhe në shpresat tona, një vizion që e njeh rrezikun real ekzistues në mbarë botën, por, po ashtu, edhe mundësinë e pakufizuar të kohës sonë
”, tha presidenti Barak Obama.

Më tutje, Obama kërkoi nga liderët irakianë që sa më shpejt ta formojnë qeverinë gjithëpërfshirëse.

“I inkurajoj liderët irakianë, që të lëvizin përpara me ndjenjën e urgjencës për ta formuar një qeveri gjithëpërfhsirëse, që është reprezentuese dhe përgjegjëse ndaj popullit të Irakut. Atëherë kur kjo qeveri të jetë formuar, nuk duhet të ketë dyshime: populli i Irakut do ta ketë një partner të fuqishëm në Shtetet e Bashkuara. Misioni ynë luftarak po përfundon, por përkushtimi ynë për të ardhmen e Irakut, jo
”, theksoi Barak Obama.

Disa republikanë, përfshirë senatorin Xhon Mekkejn, e kanë shfrytëzuar shpalljen e presidentit Obama, për ta lavdëruar ish-presidentin Xhorxh Bush për rritjen e numrit të ushtarëve në Irak, në vitin 2007, për goditjen e kryengritësve.

Në një artikull në Wall Street Journal, senatori Mekkejn tha se “derisa shumica e demokratëve ende nuk e pranojnë këtë, lufta në Irak po përfundon me sukses për shkak se rritja ka funksionuar”.

Obama tha se e kishte thirrur zotin Bush dhe pranoi se ata të dy kishin mospajtime publike lidhur me luftën prej fillimit të saj. Por, Obama tha se “askush nuk mund të dyshojë për mbështetjen e Bushit për trupat, ose për dashurinë e tij ndaj vendit dhe përkushtimit të tij për siguri”.

Presidenti Obama foli edhe për luftën në Afganistan, e cila, duke zgjatur tash e nëntë vjet, është bërë lufta më e gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara. Një hulumtim i opinionit ka treguar se afro 6 prej 10 amerikanëve e kundërshtojnë këtë luftë.

Lidhur me këtë luftë, Obama tha:

“Derisa po flasim, Al-Kaida vazhdon të bëjë komplot kundër nesh dhe udhëheqja e saj mbetet e vendosur në rajonin kufitar ndërmjet Afganistanit e Pakistanit. Ne do ta shkatërrojmë dhe do t’i shkaktojmë disfatë Al-Kaidës, duke e parandaluar Afganistanin, që përsëri të shërbejë si bazë për terroristët. Për shkak të tërheqjes nga Iraku, ne tash jemi në gjendje të zbatojmë burime të domosdoshme për mbrojtjen tonë”
, tha Barak Obama. (f.b.)
XS
SM
MD
LG