Ndërlidhjet

Thaçi: Gati për takime direkte mes dy shteteve


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

“Është koha që Serbia ta pranojë realitetin dhe të marrë vendimin historik për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, për Radion Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Kombet e Bashkuara kanë miratuar rezolutën që hapë dyert për bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Si e shihni rrjedhën e zhvillimeve?

HASHIM THAÇI

Ne u kemi ofruar raporte të barabarta të gjithë fqinjëve tanë - Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi - dhe duam të kemi bashkëpunim të mirë edhe me Serbinë. Në këtë drejtim ne do të angazhohemi që të bashkëpunojmë si dy shtete të pavarura për një jetë më të mirë të qytetarëve, popujve dhe vendeve tona.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka nisma shtesë që mund t’i ofroni Serbisë që ajo të pranojë realitetin e ri?

HASHIM THAÇI

Është koha që Serbia ta pranojë realitetin dhe të marrë vendimin historik për njohjen e pavarësisë së Kosovës, sepse kjo është zgjidhja e vetme për një të ardhme më të mirë të Kosovës dhe rajonit, për bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal. Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës deshi apo nuk deshi Jeremiqi.

RADIO EVROPA E LIRË
A jeni të gatshëm të bisedoni drejtpërdrejt me presidentin e Serbisë Boris Tadiq?

HASHIM THAÇI

Ne jemi të gatshëm për takime të drejtpërdrejta kushtuar bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, sepse ne kemi pasur takime me presidentët dhe kryeministrat tjerë të rajonit. Bashkëpunimi është politikë e shëndetshme për vendet tona.

RADIO EVROPA E LIRË
Në aspektin e prioriteteve të jashtme të Kosovës, ku është bashkëpunimi me Serbinë?

HASHIM THAÇI

Është një prioritet i rëndomtë si edhe në rastin e të gjitha vendeve tjera fqinje, por ne kurrë nuk harrojmë se Serbia udhëhoqi gjenocidin në Kosovë. Por, ne shikojmë përpara, shikojmë të bashkëpunojmë në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni për pohimet serbe se Kosova është djepi i kombit, historisë dhe kulturës serbe?

HASHIM THAÇI

Kosova është vend i popullit të Kosovës – shqiptarëve, serbëve, malazezëve dhe gjithë të tjerëve. Kosova është vend me perspektivë evropiane, ndërsa Serbia është një shtet fqinj dhe asgjë më shumë ose më pak.

Atë që ata e thonë, është mentalitet i vjetër nga koha e Sllobodan Millosheviqit. Ata vetëm përsërisin “Slobodan Millosheviq”, as më shumë dhe as më pak.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është strategjia e juaj për t’u ballafaquar me krimin e organizuar në Kosovë, që konsiderohet problem serioz?

HASHIM THAÇI

Ne atë e filluam pas 11 vjetësh. Ne filluam dhe do ta vazhdojmë duke hartuar ligje që do ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kemi nisur me sukses dhe do të vazhdojmë, sepse çelës i ndërtimit të vendit është qeverisja e mirë dhe zbatimi i ligjit. Do të punojmë që sa më parë ta stabilizojmë procesin, madje edhe në veri të Mitrovicës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si ndiheshit në Asamblenë e Përgjithshme kur delegacioni i Serbisë kërkoi largimin tuaj dhe zyrtarëve tjerë kosovarë nga salla?

HASHIM THAÇI

Prania e jonë në Asamblenë e Përgjithshme ishte legjitime. Loja e Serbisë ishte lojë fëmijësh. Ishte diç që ka mund të ndodhë vetëm gjatë kohës së Luftës së Ftohtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është mesazhi i juaj për udhëheqjen e Serbisë?

HASHIM THAÇI

Njohja e pavarësisë së Kosovës, sa më parë të jetë e mundur, është zgjedhja më e mirë për ta, për të ardhmen e Serbisë dhe rajonit.
XS
SM
MD
LG