Ndërlidhjet

Ekspertët: Mos u merrni me të kaluarën


Shkup (Qytetarë duke festuar liberalizimin e vizave)
Shkup (Qytetarë duke festuar liberalizimin e vizave)
Vazhdojnë debatet në Maqedoni lidhur me çështjen e emrit. Konfrontimet politike së fundi janë zhvendosur në vitet ‘90, për atë se kishte ose jo gjasa Maqedonia të integrohej në Bashkimin Evropian. Ekspertët kërkojnë nga partitë të heqin dorë nga debatet e këtilla dhe të përqendrohen në zgjidhjen e problemeve aktuale.

Partitë politike duhet t’i lënë anash debatet për të kaluarën dhe të përqendrohen në zgjidhjen e problemeve aktuale, vlerësojnë analistët, duke komentuar përplasjet mes partive politike, për atë se Maqedonia kishte lëshuar ose jo shansin që të integrohen në Bashkimin Evropian në vitet ‘90.

“Mendoj se debatet për atë se çfarë ka mundur të ndodhë para 15 vjetëve janë krejtësisht të palogjikshme, nuk kanë kurrfarë mbështetjeje dhe, në fakt, vetëm sa e prolongojnë këtë gjendje të tashme dhe nuk i sjellim kurrfarë të mire vendit”.

“Mendoj se duhet të përqendrohemi drejt asaj që sa më shpejt të tejkalohet çdo pengesë, e cila paraqitet në rrugën drejt arritjes së kompromisit”
, thotë Mahi Nesimi, ish-ambasador i Maqedonisë në Kroaci.

Në fakt VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit Nikolla Gruevski tashmë disa ditë po drejton akuza ndaj LSDM-së, të cilën e fajëson për mosinteresimin dhe lëshimin e shansit për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, qysh në vitin 1995.

Sipas VMRO-së, LSDM-ja, e cila në atë kohë ishte në pushtet, më shumë ka qenë e interesuar për, siç thotë, “kontrabandën me karburante dhe privatizimet e paligjshme, sesa për inkuadrimin e vendit në BE ”.

Por, këto pretendime hidhen poshtë nga LSDM-ja, e cila akuzon VMRO-në për, siç shprehet, “ tentim për të manipuluar opinionin me historinë dhe paaftësinë e saj për t’i zgjidhur problemet reale”.

Edhe Biljana Vankosvka, ligjëruese universitare, thotë se debatet e këtilla, jo vetëm që e dëmtojnë në masë të madhe procesin e integrimit, por janë edhe dëshmi se ende është larg zgjidhja e kontestit me Greqinë.

“Është krejtësisht e qartë se problemi rreth emrit ende është shumë larg zgjidhjes. Pra, është e qartë se drejtuesit e institucioneve nuk presin zgjidhje deri në marrjen e raportit të Komisionit Evropian. Një zhvillim i këtillë sërish do të shfrytëzohet për të lobuar dhe të bindet opinioni maqedonas se diçka po punohet, por kjo është dëshpëruese”
, vlerëson Biljana Vankovska, ligjëruese universitare.

Ndërkohë, Mahi Nesimi shprehet pesimist se vizitat e kryeministrit Gruevski në Bruksel dhe presidentit Gjorgje Ivanov në Nju-Jork do të sjellin rezultate drejt arritjes së zgjidhjes së pranueshme për të dyja palët.

“Nuk besoj se nga këto takime do të dalë diçka përmbajtjesore, sepse pozicionet e të dyja vendeve janë shumë larg kompromisit dhe Maqedonia natyrisht se në nëntor nuk do të marrë kurrfarë mendimi pozitiv, respektivisht, nuk do të ketë inkuadrim në NATO dhe nuk do t'i caktohet data për bisedime me BE-në
”, thekson Nesimi.

Sipas Nesimit, faji për këtë më shumë qëndron te pala maqedonase, e cila për dallim nga ajo greke, ende nuk ka qëndrim të qartë për zgjidhjen e kontestit që do t'i hapte rrugën integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

Lidhur me debatet për integrimin e vendit, është përfshirë edhe ambasadori i BE-së, Ervan Fuere, i cili e ka quajtur imagjinatë pretendimin se gjoja Maqedonia kishte gjasa të integrohej në Bashkimin Evropian që në vitin 1995.

XS
SM
MD
LG