Ndërlidhjet

Irani “vjedh” argumentet e Perëndimit


Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad.
Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad.
Irani po përdor argumentet e Perëndimit për të kundërsulmuar. Ahmadinexhadi, gjatë vizitës në Nju Jork, ka ngritur paralele mes rastit të iranianes Ashtiani dhe atij të amerikanes Leuis, e dënuar me vdekje për vrasje.


Për dekada me radhë ka qenë një taktikë e zakonshme e Bashkimit Sovjetik dhe mbështetësve të tij që të akuzonin Perëndimin për standarde të dyfishta dhe hipokrizi.

Duket se kjo taktikë është përqafuar dhe nga presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad, gjatë vizitës që po zhvillon në Nju Jork, me rastin e pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Ahmadinexhad ka thënë se media ka mbuluar gjerësisht rastin e iranianes Sakinah Ashtiani, por jo dhe rastin e amerikanes Tereza Leuis, e dënuar me vdekje, pasi ka urdhëruar vrasjen e bashkëshortit dhe djalit të tij. 43-vjeçarja iraniane është dënuar me ekzekutim me gurë për tradhti bashkëshortore.

“Një grua do të ekzekutohet këtu në Shtetet e Bashkuara për vrasje, por askush nuk proteston kundër vendimit”, citojnë mediat shtetërore iraniane presidentin Ahmadinexhad.

Rasti i 41-vjeçares amerikane është trajtuar dhe nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut të Parlamentit iranian.

Ahmadinexhad ka deklaruar se ka një stuhi mediale në Perëndim për rastin e Ashtianit, që gjithashtu akuzohet për vrasjen e bashkëshortit. Sipas tij, 3.7 milionë faqe interneti i janë kushtuar Ashtianit, “duke goditur rëndë Iranin, me gjithë faktin se rasti nuk ka përfunduar”.

Por, paralelja mes rastit Ashtiani dhe Leuis nuk është e vetmja. Ahmadinexhad u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të lirojnë tetë iranianë “të dënuar në mënyrë të paligjshme” në SHBA.

Thirrja është bërë pas lirimit me kusht të amerikanes Sarah Shurd. Dy amerikanët e tjerë të arrestuar me të janë ende në burgun e Teheranit.

Hadi Ghaemi, drejtor ekzekutiv i organizatës për të drejtat e njeriut në Iran, me qendër në Nju Jork, thotë se taktika e zgjedhur është një lloj bumerangu për Ahmadinexhadin.

“Jam shumë i befasuar se ai ka ardhur në Nju Jork si një pengmarrës. Kur vë në tryezë çështjen e alpinistëve amerikanë, duke kërkuar në shkëmbim të lirimit të tyre lirimin e tetë të burgosurve iranianë, ai dëshmon se alpinistët e mbetur në burg janë pengje. Kjo, pasi ata nuk janë dënuar për asnjë krim”.

“Ahmadinexhad po jep sinjale se alpinistët amerikanë nuk do të lirohen derisa iranianët e dënuar në mënyrë ligjore nga drejtësia amerikane, të mos dalin nga burgu”,
thotë Ghaemi.

Taktika e Ahmadinexhadit, sipas Mehdi Khalaxhit nga Instituti Near East Policy, me qendër në Uashington, e ka burimin në një traditë islamike të zhvillimit të polemikave.

“Në traditën islame ekziston një art i polemikës që quhet xhadad. Kjo lloj polemike gjendet edhe në Kuran, e përdorur ndaj kundërshtarëve. Thelbi i saj është përdorimi i argumenteve të armikut kundër atij vetë, ndonëse mund të mos besosh në ato parime”.

“Ahmadinexhad akuzon Perëndimin për standarde të dyfishta në të drejtat e njeriut, ndonëse vetë nuk beson në këtë parim”,
thotë Khalaxhi.

Sipas Ghaemit, vëmendja që mediat i kanë kushtuar Ahmadinexhadit në Nju Jork dhe akuzave të tij kundër Perëndimit, ka nxjerrë në pah një tjetër problem - shkallën e përgatitjes së gazetarëve.

“Për fat të keq, gazetarët nuk janë të përgatitur sa duhet dhe nuk i kanë ndjekur zhvillimet. Ata duhet t’i kenë provat me vete kur shkojnë në intervista me Ahmadinexhadin. Faktet i duhen përplasur në fytyrë”,
thotë Ghaemi. (i.b.)
XS
SM
MD
LG