Ndërlidhjet

OKB - rol udhëheqës kundër terrorizmit


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara diskutoi për marrjen e rolit udhëheqës në luftën kundër terrorizmit. Po ashtu, u kërkua që lufta kundër terrorizmi të mbetet prioritet në agjendën ndërkombëtare.


Në diskutimin e tij, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, theksoi se lufta kundër terrorizmit kërkon qasje të gjerë, ku përfshihen jo vetëm masat për përmirësimin e sigurisë dhe të sundimit të ligjit, por po ashtu edhe arsim më të mirë, zhvillim dhe dialog ndërkulturor.

Ai theksoi se mbrojtja e të drejtave të njeriut është komponentë e çfarëdo politike efektive kundër terrorizmit.

“Asnjë qasje kundër terrorizmit nuk do të jetë komplete, pa përkushtim të plotë për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Këshilli i Sigurimit dhe Asambleja e Përgjithshme në mënyrë të vazhdueshme e kanë mbështetur mbrojtjen e të drejtave të njeriut si komponentë integrale e secilës politikë efektive kundër terrorizmit. Unë e mirëpres kujdesin e Këshillit të Sigurimit për këtë çështje”,
tha Ban Ki-mun.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, po ashtu ka theksuar se të drejtat e njeriut nuk mund të sakrifikohen në luftën kundër terrorizmit.

Klinton ka rikujtuar, para së gjithash, se duhet të ndërmerren hapa konkretë për eliminimin e rrethanave, që i çojnë njerëzit drejt terrorizmit.

“Për njerëzit, jetët e të cilëve karakterizohen me frustrim dhe dëshpërim, për njerëzit që besojnë se qeveritë e tyre janë jopërgjegjëse dhe represive, Al-Kaida dhe grupet e tjera, mund të ofrojnë një pikëpamje tërheqëse. Por, kjo është pikëpamje që i ka rrënjët në shkatërrim dhe ne duhet të realizojmë një pikëpamje alternative, që i ka rrënjët në shpresë dhe në mundësi”
, tha Hillari Klinton.

Më tutje Klinton theksoi se duhet të bëhet më tepër për t’i kuptuar arsyet që ndikojnë te njerëzit për dhunë, në mënyrë që të tjerët të parandalohen në ndjekjen e rrugës së njëjtë.

Sekretari i jashtëm britanik, Uilliam Hague, theksoi se në periudhë afatgjate, kërcënimi më i madh nga terrorizmi e ka origjinën nga hapësira kufitare poroze Afganistan – Pakistan.

Sipas tij, situata e tashmë mund të përkeqësohet nga pasojat e vërshimeve aktuale shkatërruese.

Hague e kritikoi praktikën e pagesës për viktimat e rrëmbyera, duke thënë se pavarësisht dilemës morale në këto raste, pagesa inkurajon më tepër rrëmbime për financimin e terrorizmit.

“Terroristët po përshtaten dhe po bëhen më tepër oportunistë. Trendi në rritje në rrëmbime për pagesë, është një shembull i kësaj. Qeveria britanike beson se ne duhet të veprojmë për t’i parandaluar pagesat për rrëmbime, që po bëhen burim i rëndësishëm i financimit të terroristëve”,
tha Uilliam Hague.

Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, tha se çështje shumë e rëndësishme është identifikimi dhe neutralizimi i burimeve për financimin e aktiviteteve terroriste.

Më tutje, Çurkin theksoi:

“Duhet të ndërmerren hapa për t’u siguruar se terroristët nuk do të jenë të aftë t’i shmangen dënimit. Në këtë aspekt, është shumë me rëndësi të përmirësohet efikasiteti i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndihma reciproke juridike”.

“Parimi ‘ekstradim ose dënim’ duhet të zbatohet me përkushtim dhe duhet të përfundojnë opsionet, që terroristët t’u shmangen proceseve juridike ose ta gjejnë veten në situata kaotike juridike”.
(f. b.)

XS
SM
MD
LG