Ndërlidhjet

Maqedoni: Reformat të mira vetëm për qeverinë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Qeveria në Shkup ka paralajmëruar miratimin e një ligji për reforma në administratën publike, me qëllim evitimin e kritikave të shumta për politizimin dhe joprofesionalizmin e administratës. Por, ekspertët shprehen skeptikë, pasi që, sipas tyre, strategjia e hartuar nuk parasheh masa konkrete lidhur me shmangien e punësimeve partiake në administratë.


Qeveria e Maqedonisë ka hartuar një strategji të re për reforma në administratën shtetërore, me të cilat synon reformimin e kësaj sfere mjaft të diskutueshme viteve të fundit, për shkak të kritikave të vazhdueshme që vijnë nga komuniteti ndërkombëtar.

Administrata në Maqedoni, përveçse e stërngarkuar me një numër që kalon 100 mijëshin, kritikohet edhe për joprofesionalizëm, prani të shtuar të korrupsionit dhe ndikime të shumta politike.

“Këtu është edhe qëllimi - të bëhet një reformim i administratës, që në të ardhmen të angazhojmë dhe të kemi një administratë më profesionale, efikase dhe jashtë ndikimeve partiake. Pra, në procedurë parlamentare është propozim-ligji, i cili parasheh reformimin e administratës shtetërore dhe asaj publike”.

“Sipas këtij propozimi, është paraparë që kompetencat sa i përket administratës, të kalojnë në Ministrinë për Shoqëri Informative, e cila në të ardhmen do të quhet Ministria për Shoqëri Informative dhe Administratë Publike”,
deklaron zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.

Zyrtarët thonë se me reformat e reja që pritet të miratohen, administrata do të ndryshojë imazhin, do të jetë më pranë qytetarëve, për të cilët edhe ekziston.

Shumë procedura do të shkurtohen, madje disa shërbime do të mund të merren edhe përmes postës elektronike, thonë zyrtarë nga Qeveria, duke cituar pjesë të propozim-ligjit për reforma në administratën publike.

Por, këto ndryshime sa do të arrijnë efektin e dëshiruar, apo sa ato do të plotësojnë kërkesat e Bashkimit Evropian, i cili në vazhdimësi ka kritikuar administratën në Maqedoni për shkak të ndikimeve të mëdha politike?

Lidija Dimova nga Qendra maqedonase për arsimim evropian, thotë se strategjia e Qeverisë nuk lë për të dëshiruar.

“Ku është këtu çështja e partizimit dhe politizimit të administratës? Kjo nuk trajtohet, pra absolutisht nuk është pjesë e strategjisë së prezantuar”
, thotë Dimova.

Edhe Borçe Davidkovski, ekspert për çështje të administratës, nuk pret largimin e ndikimeve politike nga kjo sferë. Ai apostrofon pranimet e kohëve të fundit në administratë ku, sipas tij, shumë persona të pranuar as që janë të njoftuar se nëpër cilat dikastere do të punojmë, e të mos flasim, siç shprehet ai, për përgatitjen e tyre profesionale.

“Si është e mundur që dikush të pranohet në punë dhe të mos e dijë në cilën ministri, në cilin organ, do të punojë, apo çfarë do të punojë?! Ne në këtë mënyrë edhe më shumë e mbushim administratën me njerëz partiakë ”
, shprehet Davitkovski.

Ndërkaq, Osman Kadriu, profesor universitar, thotë strategjia e hartuar nuk mjafton pasi me rëndësi të jashtëzakonshme, sipas tij, janë edhe kuadrot që angazhohen në administratë.

Sipas Kadriut, gjatë punësimeve duhet të kihet parasysh përgatitja profesionale, e assesi përkatësia partiake.

“Nëse këtu ne nuk kemi cilësi të theksuar të inkuadrimit, të angazhimit jashtë kritereve partiake, ne sërish do të kemi një administratë tejet të dobët siç është dhe tash, e që nuk do të jëtë kompetente në ushtrimin e profesionit dhe në zbatimin e të drejtave të njeriut”
, përfundon Kadriu.
XS
SM
MD
LG