Qeveria Thaçi mund të ballafaqohet me një mocion mosbesimi në Parlament gjatë një seance të jashtëzakonshme. Një nismë të tillë e ka ndërmarrë tashmë Aleanca Kosova e Re e Behxhet Pacollit.
Ndonëse nuk mori mbështetjen e dy partive tjera në opozitë, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Dardanisë, të cilat i kishte ftuar në një takim të përbashkët, por ato nuk i janë përgjigjur ftesës së tij, Pacolli ka thënë se, megjithatë, gjendja e krijuar nuk mund të tejkalohet nëse gjërat nuk lëvizin nga vendi.
Qeveria aktuale, ka theksuar Pacolli, e ka humbur shumicën dhe se ajo tash ose duhet ta marrë përkohësisht besimin e Kuvendit që të vazhdojë deri në zgjedhjet e 13 shkurtit, ose duhet që me anë të mocionit të votëbesimit të shpërndahet, në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje qysh këtë vit.
“Sa më shpejt të thirret një seancë e jashtëzakonshme në Parlament, që të debatohet rreth situatës së krijuar. Të debatohet rreth Qeverisë se a është legjitime kjo Qeveri të funksionojë edhe më tutje dhe a do t’i jepet një besim asaj që të funksionojë si Qeveri me pakicë, apo të fillohet me mocion që t’i hiqet votëbesimi kësaj Qeverie”, ka thënë Pacolli.
Me daljen e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeverisës është pritur që pikërisht Lidhja Demokratike e Kosovës të jetë ajo që do të ndërmarrë nismën për mocionin e votëbesimit.
Por, siç ka thënë të enjten sekretari i përgjithshëm i LDK-së, deri dje zv/kryeministër i Kosovës, Ramë Manaj, LDK-ja nuk do të ndërmarrë një hap të tillë.
Manaj ka thënë se edhe në rast që një parti tjetër kërkon votëbesim ndaj Qeverisë Thaçi, LDK-ja tash për tash nuk e ka të formuluar qëndrimin e saj.
“Deri sot nuk ka premisa të përmbushura, të cilat e japin mundësinë e kualifikimit si gjendje e krizës institucionale. Nëse ato ndodhin, nëse ato shtrohen, ka mundësi ne nuk i përjashtojmë, atëherë do të ketë një pozicionim të qartë të LDK-së”, është shprehur Manaj.
Me konstatimet e LDK-së se Kosova nuk është zhytur në një krizë të rëndë institucionale, nuk pajtohet ish-partnerja e saj në Qeveri, Partia Demokratike e Kosovës.
Nënkryetari i PDK-së, Bajram Rexhepi, ka thënë se LDK-ja e ka shkaktuar këtë krizë, e cila, sipas tij, duhet tejkaluar sa më parë. Madje, siç ka thënë Rexhepi, me largimin nga Qeveria, ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka bllokuar 15 njohje të shtetit të Kosovës.
Ndërkaq, duke iu referuar krizës aktuale, ai e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së kryeministrit Thaçi dhe ka kërkuar që Parlamenti të ndërmarrë hapa që do të çonin vendin sa më shpejt në zgjedhje.
“E vetmja mundësi për përshpejtimin e procedurave është që kryeministri të japë dorëheqje. Ne nuk e kemi një arsye të tillë që ta bëjmë këtë. Presim vendimin e Parlamentit dhe nëse Parlamenti vendos ndryshe, ne jemi ata që do t’i përfillim edhe kërkesat e Parlamentit edhe të ushtruesit të detyrës së presidentit”, ka thënë Rexhepi.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka trajtuar të enjten gjendjen politike në Kosovë, të cilën e ka cilësuar si shumë të keqe.
Sipas AAK-së, “përgjegjësia për degradimin e shtetit të Kosovës bie mbi koalicionin e deritashëm qeverisës PDK-LDK dhe mbi kryeministrin në shkuarje, Hashim Thaçi”.
“Krizat nuk mund të tejkalohen përmes krizave të reja, prandaj zgjedhjet parlamentare duhet të jenë të përgatitura mirë, të jenë të lira, të ndershme dhe demokratike”, thuhet në qëndrimet e AAK-së.
Thirrjeve për gjetjen e një zgjidhjeje për tejkalimin e gjendjes, u është bashkuar edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Agim Çeku. Sipas Çekut, zgjidhja më e mirë do të ishte që të mos ndryshohet data dhe orari i zgjedhjeve, i përcaktuar tashmë nga presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi.
Por, nëse kjo është e pamundshme, Çeku ka thënë se nuk përjashtohet as opsioni i zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat, sipas tij, mund të kenë edhe pasoja afatgjate nëse nuk përgatiten mirë.
“Ne shprehim shqetësimin tonë pasi që koha është shumë e shkurtër dhe këto zgjedhje të organizuara brenda 45 ditëve mund të jenë si një improvizim, mund të prodhojnë rezultate të kontestuara dhe në emër të zgjidhjes së një krize mund të prodhojnë një krizë edhe më afatgjate”, ka theksuar Çeku.
Që nga dalja e LDK-së nga koalicioni qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës e kryeministrit Thaçi, ka mbështetur opsionin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Këtij opsioni tashmë i është bashkuar edhe Aleanca Kosova e Re, kurse LDK-ja mbetet neutrale duke mos u hezituar as zgjedhjeve të parakohshme dhe as atyre të jashtëzakonshme.
Kundër zgjedhjeve brenda 45 ditëve është pozicionuar AAK-ja, kurse LDD-ja ende nuk ka paraqitur një pozicionim të qartë.