Ndërlidhjet

LDK-ja del nga koalicioni qeverisës


LDK
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që të dalë nga koalicioni qeverisës PDK-LDK (Partia Demokratike e Kosovës - Lidhja Demokratike e Kosovës).

Në një njoftim për media thuhet se: “Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, duke analizuar thellë zhvillimet e fundit në Kosovë, ka marrë vendim që nga dita e hënë, 18 tetor 2010, të tërhiqet nga koalicioni qeverisës, përkatësisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës”.

Në njoftim thuhet se të gjithë përfaqësuesit e LDK-së, “zëvendëskryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat, përfundimisht në ditën e hënë bëjnë dorëzimin e detyrave nga postet që kanë pasur”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas takimi të Kryesisë, ka thënë se ky vendim ka qenë unanim nga anëtarët e Kryesisë.

“Ka qenë një vendim unanim i Kryesisë së LDK-së, duke analizuar zhvillimet e fundit dhe duke dashur që pikërisht të hap proceset normale të zhvillimit të demokracisë ”
, ka thënë kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu.

Sejdiu ka theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar që të japë kontributin në proceset e rëndësishme të vendit.

LDK mbetet e përkushtuar të jetë kontribuuese e fuqishme në të gjitha proceset e rëndësishme demokratike dhe shtetërore, në interes të vendit dhe të gjithë qytetarëve të tij. Për ne është me rëndësi se mbajmë qasjen tonë që të jemi gjithmonë të angazhuar për procese të mbara në Kosovë dhe gjithmonë me konceptin e ndërtimit të shtetit të Kosovës, si shtet demokratik”, ka deklaruar Sejdiu.

Përgjigjja e PDK-së


Nga ana tjetër, i menjëhershëm ka qenë reagimi i nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Kuçi ka deklaruar se LDK-ja e futi vendin në krizë me vendimin e saj për të dalë nga koalicioni qeverisës.

Kuçi ka thënë se tani duhet të gjenden zgjidhje emergjente dhe e jashtëzakonshme.

“Duket qartë se LDK-ja e ka futur vendin në krizë institucionale dhe tani çdo zgjidhje duhet të jetë zgjidhje emergjente dhe e jashtëzakonshme. Momentalisht, vendi është vënë në krizë institucionale. Nuk ka nevojë që të shkojë më tutje. Tani duhet të dalë nga kjo krizë dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të jenë dalje nga kriza sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka deklaruar Kuçi.

Mirëpo, sekretari i përgjithshëm LDK-së, Manaj, ka hedhur poshtë deklaratat se LDK-ja e ka futur në krizë institucionale vendin.

“Absolutisht nuk qëndron kjo. Ne kemi marrë vendim siç patëm marrë vendim për t’u futur në koalicion. Natyrisht, vlerësojmë se në rrethanat e krijuara koalicioni është jofunksional dhe duke qenë jofunksional de fakto, atëherë në vetëm e kemi përligjur edhe de jure”,
ka theksuar Manaj.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kuçi, ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës se duke marrë këtë vendim, nuk ka menduar për shtetin.

“Në këtë drejtim besoj që LDK-ja ka kalkuluar më shumë për parti, sesa për institucione, por do të merren vendime adekuate”, është shprehur Kuçi.

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës në orët e pasdites ka mbajtur një takim ku me të marrë vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për tërheqje nga koalicioni qeverisës, e ka cilësuar atë si një “lajm të papritur, befasues dhe të keq për gjithë Kosovën, sidomos pas vizitës se Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, në Kosovë”.

Në emër të PDK-së, Enver Hoxhaj, ministër i Arsimit, ka thënë se “pas këtij vendimi janë krijuar rrethana të reja dhe krizë institucionale në vendin tonë”.

“PDK-ja vlerëson se ky vendim është marrë për shkak të interesave të ngushta personale dhe elektorale të kreut të kësaj partie
”, është shprehur Hoxhaj, duke shtuar se janë në kërkim të zgjidhjeve të shpejta dhe të jashtëzakonshme.

“Partia Demokratike e Kosovës do të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm në përputhje me Kushtetutën”, ka bërë të ditur Hoxhaj, duke e cilësuar vendimin e LDK-së si imponim të një situatë jo të volitshme për qytetarët e Kosovës.

Dy liderët e partive më të mëdha në Kosovë, Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu, patën nënshkruar marrëveshjen për koalicionin e qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së.

Bazuar në marrëveshjen e janarit të vitit 2008 ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, PDK-së i takoi posti i kryeministrit, zëvendëskryeministrit dhe shtatë ministrive.

Ndërkaq, LDK-ja atëbotë ruajti postin e presidentit, ndërsa mori një post zëvendëskryeministri, si dhe drejtimin e pesë ministrive.

Në më pak se një vit, këtij koalicioni qeverisës po i përsëritet fati. Natën midis 19 dhe 20 nëntorit të vitit të kaluar, ishte Partia Demokratike e Kosovës, ajo që pati marrë vendim ta prishë koalicionin, gjatë fushatës zgjedhore për votimet komunale të vitit të kaluar.

Por, vetëm pak orë pas një vendimi të këtillë, të dyja partitë u zotuan se do të vazhdonin qeverisjen e vendit, deri në zgjedhjet e ardhshme.


Çfarë parasheh Kushtetuta e Republikës?


Në bazë të Kushtetutës, Nenit 66, “zgjedhjet e rregullta për Kuvend mbahen më së voni tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit, kurse në raste të shpërndarjes së Kuvendit, jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë pas shpërndarjes.

Kurse sipas Neni 82, pika 2, Kuvendi shpërndahet “nëse për të votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve, atëherë shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës”.

Kuvendi gjithashtu mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.
XS
SM
MD
LG