Ndërlidhjet

Kosova dhe pasojat e krizës


Prishtinë
Prishtinë
Zhvillimet e fundit politike në Kosovë, të cilat kanë shkaktuar krizën qeveritare, vazhdojnë të prodhojnë efekte negative për jetën institucionale në vend, vlerësojnë analistë të çështjeve politike. Por, sipas tyre, ekzistojnë mundësi që këto efete negative të amortizohen dhe të shmanget thellimi i tyre.

Analisti Krenar Gashi, nga Instituti KIPRED, e quan fajtore Lidhjen Demokratike të Kosovës për, siç thotë ai, shtrëngimet qeveritare. Duke pasur parasysh se Kosova, në çfarëdo rasti, tashmë është duke shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme, të caktuara për 13 shkurt, ai vlerëson se kriza qeveritare nuk është shumë e thellë.

Fakti se disa ministra të LDK-së kanë dhënë dorëheqje, nuk do të thotë se është ndonjë krizë e madhe institucionale, nëse e injorojmë faktin se kemi edhe një krizë tjetër në parlament. Unë kujtoj se kryeministri Thaçi e ka mandatin e parlamentit, mandat ky i cili ende nuk është kontestuar në parlament”.

“Kësisoj, do të duhej të procedonte me zëvendësimin e dy ministrave në dy ministri, të cilat kanë mbetur pa ministra dhe pa zëvendësministra. Ndërsa, në ministritë tjera mund të vazhdohet me punën e zëvendësministrave deri në zgjedhjet e 13 shkurtit”,
thotë Gashi.

Por, analisti Ismajl Hasani, profesor në Universitetin e Prishtinës, shpreh tjetër mendim, duke thënë se që nga dorëheqja e Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit të Kosovës, në mënyrë të vazhdueshme janë shpërfaqur format e krizës, të cilat, sipas tij, kanë kulmuar me braktisjen e koalicionit qeverisës nga ana e LDK-së.

Sipas Hasanit, problemi fundamental në shpërfaqjen e vazhdueshme të krizës konsiston edhe në reperkusionet që po prodhon kjo krizë jo vetëm në dimensionin politik, por edhe në atë ekonomik, shoqëror dhe moral.

“Njerëzit e Kosovës, ditëve të fundit, po shohin skenarë të ndryshëm. Po shohin paraqitje të ndryshme të njerëzve që kanë përgjegjësi institucionale, të cilët, tejkalimin e situatës krizë që aktualisht po mbretëron në Kosovë, e konsiderojnë si bisedë rasti ose pretekst për t’u paraqitur në mënyrë demagogjike në mjetet e informimit, në debate të ndryshme televizive etj.”.

“Në këtë kontekst, mendoj se këto janë procese, të cilat i bëjnë dëm shtetit të Kosovës”,
thekson Hasani.

Në anën tjetër, sipas analistëve, tashmë është e ditur se ekzistojnë dy zgjidhje, të cilat janë të mundshme dhe të pritshme gjatë ditëve të ardhshme. Njëra mundësi është mocioni i mosbesimit për qeverinë, që do të pasohej me shpërbërjen komplete të qeverisë aktuale dhe rrjedhimisht me zgjedhje të përgjithshme të jashtëzakonshme, në afat brenda 45 ditësh.

Zgjidhja tjetër mbetet vazhdimësia e qeverisë aktuale deri në datën e 13 shkurtit, për kur edhe është përcaktuar data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Analisti Gashi pret që të ndodhë varianti i parë.

“Duke pasur parasysh disponimin e ndryshëm dhe të ndryshueshëm të partive politike që tani janë në opozitë, është me të vërtetë vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë. Megjithatë, unë kujtoj se, nëse kryeministri Thaçi e ka shumicën e thjeshtë në kuvend për të aprovuar një mocion mosbesimi për qeverinë, ai këtë do ta bëjë, sepse është në interes të partisë së tij që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt”.

“Por, nuk jam shumë i sigurt nëse kjo do të ishte në interes të vendit, meqenëse kemi pasur deklarata nga zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, se në rast se kjo ndodh, ata nuk do të jenë në gjendje që të garantojnë mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit zgjedhor”,
thekson Gashi.

Ndërkaq, Ismajl Hasani thotë se vendimi për cilëndo zgjidhje duhet të merret sa më parë.

“Unë konsideroj se përcaktimi i një date është një kornizë e mjaftueshme, në të cilën Qeveria Thaçi do të duhej të investojë - në plotësimin e kabinetit qeveritar përkohësisht - në mënyrë që t’u jepet mundësia, shansi të gjitha subjekteve politike që të kryejnë fushatën e brendshme zgjedhore”.

“Paralelisht, t’i jepet mundësia KQZ-së që ta kornizojë aktivitetin rreth zgjedhjeve të ardhshme, të cilat janë paralajmëruar dhe janë konfirmuar nga ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës”,
thotë Hasani.

Sipas tij, aktualisht është e nevojshme që administrata ndërkombëtare të paraqitet me, siç e quan ai, ofertën e shërbimeve të mira. Hasani thotë se Zyra Civile Ndërkombëtare duhet të paraqitet në rolin e mbështetësit të procesit dhe të marrë rolin e ruajtësit të jetës demokratike në Kosovë.
XS
SM
MD
LG