Ndërlidhjet

Protestat si katalizatorë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Protestat e paralajmëruara të disa partive politike në opozitë kundrejt, siç thuhet, politikës së gabuar të Qeverisë, si në planin ekonomik, ashtu dhe në atë politik, mund të jenë katalizatorë relevantë për zhvillimet në Maqedoni, vetëm nëse veprimi i tyre është i përbashkët, thonë analistët.

Partia më e madhe maqedonase në opozitë, Lidhja Social-Demokrate, ka paralajmëruar se pas Prilepit, do t’i vazhdojë protestat edhe në qytetet tjera të vendit, për shkak të, siç thuhet, gjendjes së rëndë ekonomike, në të cilën i ka futur qytetarët e Maqedonisë politika izoluese e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Ndërkaq, partia shqiptare “Demokracia e Re” ka paralajmëruar protesta para Parlamentit atë ditë kur deputetët do të votojnë Ligjin për regjistrim, ngase, siç vlerësohet, ky ligj anashkalon regjistrimin e popullatës shqiptare, e cila ndodhet në mërgim.

Protestë do të mbajë edhe lëvizja qytetare “Zgjohu”. Kjo e fundit do të protestojë më 28 nëntor “për t`i treguar pushtetit se shqiptarët janë të revoltuar nga mosintegrimi i Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Ekspertët thonë se protestat mund të kenë efekt më të madh nëse partitë opozitare arrijnë të sinkronizojnë veprimin. Sipas politikologut Nazmi Maliqi, aktualisht një gjë e tillë është vështirë e arritshme.

Megjithatë, siç thotë ai, edhe protestat e realizuara ndaras do të kenë mesazh të qartë për strukturat udhëheqëse të shtetit.

“Këto paralajmërime për realizimin e protestave me siguri se kanë domethënien e vet, ngase në këtë drejtim edhe Qeveria do të detyrohet të ndërmarrë veprime me një këndellje, me një përafrim, sa u përket interesave primare të qytetarëve në përgjithësi”, thotë Maliqi.

Në anën tjetër, Vlladimir Misev, nga Instituti për Demokraci, thotë se partitë politike në Maqedoni, pothuajse dy dekada të plota nga pluralizmi, nuk demonstrojnë pjekuri politike për dy arsye.

E para, sipas tij, qëndron në faktin se para çdo veprimi, nuk bëhen analiza serioze lidhur me atë se çka i indinjon qytetarët dhe, e dyta, krerët politikë nuk arrijnë të lënë anash interesat e partisë kundrejt zhvillimeve politike, në interes të së ardhmes së Maqedonisë.

Sipas hulumtimit të fundit të Institutit për Demokraci, kemi një realitet që s’ka ndodhur më parë. Rreth 55 për qind e qytetarëve janë të papërcaktuar. Pra, ata nuk e mbështesin asnjë parti politike”.

“Qytetarët janë të lodhur nga lufta politike mes pushtetit dhe opozitës. Ata thjesht janë një hap para partive politike, kërkojnë alternativë konkrete se si të dilet nga kjo gjendje”,
thotë Misev.

Sipas tij, efekti i protestave do të jetë i barabartë me zero nëse drejtuesit politikë nuk ofrojnë zgjidhje konkrete për problemet që i prekin qytetarët.

Ligjëruesi në Universitetin Evropian, Nazmi Maliqi, thotë se shifra e lartë e qytetarëve të papërcaktuar është një indikator i qartë jo vetëm për politikën e Qeverisë, por edhe veprimin e partive politike në opozitë.

“Mungesa e projekteve konkrete, mungesa e iniciativave konkrete krijon apati te qytetarët. Është shumë domethënëse kjo përqindje e qytetarëve të papërcaktuar”.

“Ata që mendojnë të bëjnë një risi te kjo pjesë e qytetarëve, paraprakisht duhet të ndryshojnë strategjinë, duhet të jenë shumë më korrektë, shumë më transparentë, më produktivë, veçanërisht kur bëhet fjalë për politikat e mirëqënies ekonomike për të gjithë qytetarët, si dhe për procesin e integrimit të vendit”,
konkludon Maliqi.
XS
SM
MD
LG