Ndërlidhjet

Maqedonia, presione ndaj mediave


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Ekspertët dhe drejtuesit e disa gazetave në Maqedoni e vlerësojnë reale pjesën për mediat në raportin e Komisionit Evropian. Sipas tyre, përveç presioneve, mediat përballen edhe me ndërhyrje brutale nga ana e pushtetit.


“Media në Maqedoni mbetet e ndarë në baza etnike dhe politike, ndërsa auto-censura po merr shtrirje gjithnjë e më të gjerë; procesi i licencimit të transmetimit influencohet fort nga interesat politike dhe ekonomike; pronësia e gazetave nuk është ende transparente; akuzat për shpifje ndaj gazetarëve të veçantë me gjoba të rënda, mbeten shqetësim; kërcënimi i gazetarëve është po ashtu një shqetësim serioz”.

Këto vlerësime i përmban raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë në pjesën e mediumeve.

Fami Bajrami, kryeredaktor i gazetës “Koha e Re”, i mbështet plotësisht konstatimet e këtilla. Ai thotë se përveç presioneve, mediat në Maqedoni po përballen edhe me ndërhyrje brutale nga ana e pushtetit, përmes inspektimeve të ndryshme, për të heshtur kritikat e tyre ndaj pushtetit.

Bajrami thotë se Raporti i Komisionit Evropian është edhe një dëshmi për, siç shprehet, gjendjen katastrofale në të cilën ndodhen mediat.

“Mediat u dëshmua se janë robër të qeverisë. Ndërhyrja brutale në gazetën ‘Koha e Re’ dhe në disa media të tjera në vend ishte kulmi i demagogjisë së kësaj qeverie. Kjo dëshmon se liria e gazetarit ose është e kufizuar, ose e cenuar”, thotë Bajrami.

Edhe Isen Saliu, kryeredaktor i gazetës “Lajm”, thotë se raporti i Komisionit Evropian është shumë real. Sipas tij, në vend se Maqedonia t’i evitojë kritikat e një viti më parë, ajo tani ngarkohet me kritika edhe më të theksuara.

“Fatkeqësisht, kemi edhe një raport të Komisionit Evropian, i cili shënon ngecje në përparimin e fjalës së lirë, që nënkupton se autoritetet e këtushme nuk i kanë marrë seriozisht vërejtjet e mëhershme që janë bërë edhe nga Komisioni Evropian, por edhe nga shoqatat e ndryshme prestigjioze ndërkombëtare, të cilat në të gjitha raportet e tyre kanë theksuar presionin me të cilin përballet fjala e lirë në Maqedoni”, deklaron Saliu.

Edhe ekspertët pajtohen me këto konstatime. Sipas tyre, gjendja e mediave në Maqedoni është shqetësuese, si pasojë e presioneve që bëhen në forma të ndryshme nga pushtetet.

"Nëse kthehemi 10 muaj pas, jemi dëshmitarë të shumë tensioneve të krijuara në mënyrë të panevojshme, nga ndarjet që bëheshin në tradhtarë dhe patriotë të gazetarëve dhe redaktorëve të mediave. Gazetarët gjithnjë e më pak kanë liri që të shprehin qëndrimet apo opinionet në veçanti, nëse ato janë në kundërshtim me ato të shtetit",
thotë Klime Babunski, komunikolog.

Ekspertët tërheqin vërejtjen se është koha e fundit që institucionet të garantojnë lirinë e shprehjes - si e drejtë fundamentale në një shtet që pretendon të jetë demokratik.

Lexoni edhe këtë:
Opozita: Raporti objektiv
XS
SM
MD
LG