Ndërlidhjet

Borxhi për Irlandën, jo pa telashe


Brajën Kouen, kryeministër irlandez.
Brajën Kouen, kryeministër irlandez.

Zyrtarët evropianë së bashku me ata të Fondit Monetar Ndërkombëtar po punojnë për të hartuar planin e ndihmës financiare për Irlandën.

Hapat e ndërkombëtarëve vijnë pasi Dublini gjatë fundjavës kërkoi një borxh të konsiderueshëm për të vënë në binarë sistemin e trazuar bankar.

Reagimi nga Brukseli e Uashingtoni ka qenë i menjëhershëm duke ofruar një paketë në vlerë prej 100 miliardë eurosh për të mundësuar stabilitetin e bankave irlandeze. Banka Qendrore Evropiane foli për kushte të forta të dhënies së borxhit për Dublinin.

“E thënë thjesht bankat irlandeze do të zvogëlohen deri në atë masë që do të jenë në gjendje të qëndrojnë me këmbët e veta. Elementi i dytë themelor i marrëveshjes do të jetë programi për uljen e deficitit buxhetor. Për ta thjeshtëzuar, kjo kërkesë do të thotë rritje e taksave dhe ulje e shpenzimeve të qeverisë”
, u shpreh Brajën Kouen, kryeministri irlandez.

Vendet e eurozonës i druhen rënies së monedhës së përbashkët nëse Dublini vazhdon të zhytet në borxhe. Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Von Rompoi, tha se në lojë është e ardhmja e euros dhe gjithë vendeve të eurozonës.

Masat e rekomanduara nga Brukseli dhe FMN-ja kanë hasur në jo pak kritika nga ana e analistëve. Sipas tyre kushtet e vëna për dhënien e borxhit nuk janë ato të duhurat, pasi nuk do çojnë në uljen e deficitit buxhetor.

Çështja që shtrohet këtu është se ekonomitë në fjalë kanë financa publike të dobëta dhe kanë humbur shkallën e konkurrencës përballë vendeve të tjera brenda eurozonës. Si pjesë e vendeve të eurozonës, qeveria nuk mund të zhvlerësojë monedhën për të rritur eksportet”.

“E vetmja rrugë që iu mbetet ekonomive në vështirësi është shkurtimi i shpenzimeve përfshirë dhe uljen e pagave, çfarë përkeqëson tregun e brendshëm dhe dobëson edhe më tej financat publike”,
tha Simon Tilford, nga Qendra Evropiane për Reforma.

Tilford, një nga kritikët e paketës së shpëtimit për Irlandën thotë se Brukseli e ka vënë Dublinin tashmë në një pozitë të vështirë.

“Arsyeja kryesore përse ka probleme fiskale me këto vende anëtare të eurozonës është rrënimi i perspektivës së tyre për rritje ekonomike. Nëse këto shtete nuk janë në gjendje të vënë në rrugë të mbarë rimëkëmbjen ekonomike, atëherë nuk do të jenë të afta as të rregullojnë financat publike me gjithë paketat e ndihmës”
, theksoi Tilford.

Qëndrimet e Tilfordit kundërshtohen nga ministri irlandez i Financave Brajën Lenihan. Ai thekson se rritja ekonomike në vendin e tij është e mirë për shkak të rritjes së eksporteve.

“Është shumë e rëndësishme të theksohet që me gjithë vështirësitë tona buxhetore dhe problemet me sistemin bankar, themelet e ekonomisë irlandeze janë të qëndrueshme. Parashohim rritje prej 6 për qind të eksporteve këtë vit krahasuar me 2009-ën”
, tha shefi i financave irlandeze, Lenihan.

Edhe kryeministri Kouen i hodhi poshtë kritikat se masat evropiane synojnë shpëtimin e eurozonës dhe nuk marrin parasysh interesat e Irlandës.

“Gjithmonë kam thënë se marr përsipër përgjegjësitë e mia. Gjithashtu dua të përsëris se të gjitha vendimet që kemi marrë, janë në përputhje me interesat kombëtare”,
deklaroi kryeministri irlandez.

Irlanda duket se është emri i krizës së radhës, por jo të fundit për eurozonën. Ekonomistët, kanë dyshime për Portugalinë, Spanjën, Greqinë e madje dhe Italinë, se do jenë në gjendje të paguajnë interesin e borxheve të marra. (i.b)
XS
SM
MD
LG