Ndërlidhjet

SHBA-të dyshojnë te Rusia


Gazetat raportuan rreth dokumenteve të publikuara nga WikiLeaks.
Gazetat raportuan rreth dokumenteve të publikuara nga WikiLeaks.
Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Vladimir Putinin si udhëheqësin real në Rusi, pavarësisht një lloj miqësie dhe deklaratave në publik nga presidentët Obama e Medvedev.

Për zyrtarët amerikanë, Medvedevi ka personalitet “të zbehtë dhe hezitues”, duke qenë kështu në kontrast të thellë me Vladimir Putinin, që është “drejtuesi kryesor në vend”.

Gjithashtu burimet amerikane thonë se Medvedevi dëshiron të luajë “Robinin përpara Putinit Batman”.

Të gjitha këto vlerësime gjenden në mesin e dokumenteve të publikuara nga WikiLeaks, natën mes së dielës dhe së hënës së shkuar.

Në një takim mes ministrave të mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara dhe të Francës, shefi i Pentagonit, Robert Gejts, e cilësoi Rusinë si “vend ku demokracia është zhdukur dhe shteti është një oligarki e udhëhequr nga shërbimet sekrete”.

Analistët thonë se dokumentet e klasifikuara, të bëra tashmë publike, tregojnë se në mesin e diplomatëve amerikanë nuk ka iluzione, me gjithë politikën e një fillimi të ri të nisur nga presidenti Obama në raport me Moskën.

“Kjo tregon se ekziston një realizëm i ftohtë rreth Rusisë. Ata nuk kanë rënë pre e retorikës për demokraci e pluralizëm të menaxhuar. Me dyer të mbyllura, ata e pranojnë atë që është në realitet - një oligarki e drejtuar nga shërbime sekrete - dhe kjo flet dhe për politikën amerikane ndaj Rusisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Nikolas Gvosdev, profesor në Navy War College.

Në një tjetër dokument të bërë publik, një diplomat amerikan e përshkruan problemin e Putinit si një betejë me “një burokraci të pamenxhueshme” dhe shtetin rus si “shtet virtual mafioz”.

Dokumentet janë dëshmi e asaj se Uashingtoni nuk sheh ndonjë virtyt sa i përket Moskës, sqaron Gvosdev.

“Ajo me të cilën ata gjithmonë janë përballur, ka qenë pyetja: duke pasur parasysh realitetin, çfarë duhet bërë? Ata me Rusinë asnjëherë nuk kanë ndjekur qasjen: ky është problemi, eja ta rregullojmë. Qasja që ekziston është: këta janë njerëzit me të cilët kemi punë dhe ne po merremi me ta. Le të shohim se ç’mund të dalë nga kjo marrëdhënie”, thotë Gvosdev.

Edhe elita moskovite nuk duket e befasuar nga dokumentet e publikuara.

“Në Rusi, opinioni publik dhe elita politike janë shumë më cinike dhe realiste se në vendet perëndimore. Fakti që diplomatët thonë tjetër gjë në publik e tjetër me dyer të mbyllura, nuk përbën habi”, sqaron për Radion Evropa e Lirë Fjodor Lukjanov, kryeredaktor i “Rusia in Global Affairs”.

Nisur nga kjo qasje, analistët në Moskë dyshojnë se dokumentet e WikiLeaks-it do të dëmtojnë tendencën për raporte më të mira të Perëndimit me Moskën.

“Të gjithë e kuptojnë se njerëzit lënë gjuhën më të lirë në dokumentet për përdorim të brendshëm. Kjo është e pakëndshme, por duke ditur se Shtetet e Bashkuara thanë se nuk ka asgjë për t’u stresuar nga kjo rrjedhje, atëherë ne mund të pretendojmë se presidenti ynë është vetë Batmani dhe jo ndihmësi i tij. Në fakt, e gjithë kjo nuk ka shumë interes”, thotë analisti politik rus, Dimitri Oreshkin.

Megjithatë, diçka mund të pësojë nga dokumentet e WikiLeaks-it. Dëmtohet aftësia e Obamës për ta bindur Senatin të miratojë marrëveshjen START 2, që parasheh zvogëlimin e arsenalit bërthamor të Rusisë e Shteteve të Bashkuara. (i.b.)

Lexoni edhe këtë:
WikiLeaks: Arabët i tremben Iranit
XS
SM
MD
LG