Ndërlidhjet

WP: Në kërkim të ‘lirisë së fjalës’, goditet fjala e ndershme


Liderët botërorë që përmenden në dokumentet e WikiLeaks-it.
Liderët botërorë që përmenden në dokumentet e WikiLeaks-it.
"Washington Post"

Shkruan: Anne Applebaum

Jam e sigurt se populli i Rusisë do të shokohet, kur të zbulojë se diplomatët amerikanë mendojnë se presidenti rus, Dimitri Medvedev, luan rolin e Robinit, kurse Putini Betmenin.

Italianët po ashtu do të tmerrohen kur të mësojnë se kryeministri i tyre, Silvio Berluskoni, konsiderohet “lider evropian fals dhe i padobishëm”.

Francezët gjithashtu do të shtangen kur të dëgjojnë se presidenti i tyre, Nikolas Sarkozi, është quajtur “lëkurëhollë dhe autoritar”.

Sa u përket afganëve, ata do të habiten kur të lexojnë se presidenti i tyre, Hamid Karzai, është përshkruar si “njeri tejet i dobët, i cili nuk ua vë veshin fakteve”.

Cilido që do t’i lexonte mesazhet gjysmëdiplomatike, të publikuara nga WikiLeaks, pak a shumë do të ndjehej njëlloj.

Robert Mugabeja i Zimbabvesë është një “plak i marrë”. Moamer Gadafi i Libisë udhëton me një biondinë, e cila përshkruhet si “kryeinfermiere ukrainase”.

Në ditët e ardhshme do të thuhen shumë më tepër gjëra për dokumentet e sapopublikuara. Por, para kësaj të mos e harrojmë thelbin e çështjes.

Mbi të gjitha, dokumentet përmbajnë thesar të gjërave që njerëzit zakonisht i thonë jozyrtarisht. Ato nuk janë regjistrime të shkeljeve të të drejtave të njeriut, ato janë copëza të bisedave.

Dokumentet “zbulojnë”, përveç tjerash, se Shtetet e Bashkuara (për çudi) bëjnë lobim te vendet tjera që të organizojnë sanksione kundër Iranit, se diplomatët e Koresë Jugore kanë diskutuar se çfarë mund të ndodhte nëse bie Koreja Veriore, se diplomatët amerikanë u kanë dhënë mito vendeve tjera që t’i pranojnë ish-të burgosurit nga Guantanamo.

Rrëfimi i vërtetë nuk qëndron tek informatat, shumica e të cilave janë raportuar më herët, por te gjuha. Diplomatët e zakonshëm citohen të kenë bërë komente jo aq të pëlqyera me bashkëbiseduesit e tyre. Jo të gjithë ata janë amerikanë.

Mbreti saudit mendon se presidenti i Pakistanit është “i kalbur”. Kryediplomati francez mendon se Irani është një “shtet fashist”. Shefi i Bankës Qendrore britanike mendon se kryeministri i tij është “i cekët”, dhe kështu me radhë.

Kuptohet që e gjithë kjo është e turpshme për ata që i kanë bërë komentet e tilla. Por, jam më pak e sigurt nëse zbulimet do të na çojnë diku. Përkundrazi, duket sikur në emër të “lirisë së fjalës”, i është bërë edhe një goditje fjalës së ndershme.

Tash, vetëm iu dha më shumë municion atyre që parapëlqejnë kontrollin, korrektësinë politike dhe hipokrizinë më të madhe.

Mos prisni qeverisje më të mirë pas këtyre zbulimeve, prisni vetëm sekrete më të thella...

Për pasojë, vetëm udhëheqësit autoritarë do të mund të jenë në gjendje të flasin sinqerisht me njëri-tjetrin.

Një zyrtar rus mund ta mbajë deklaratën jokorrekte larg gazetave. Gjenerali kinez edhe ashtu kurrë nuk do të fliste me gazetarët. Zyrtarët e nivelit të ulët në Iran nuk do t’ia dërgonin më informatat WikiLIeaks-it, sepse regjimi mund t’i vrasë dhe t’ua torturojë familjet.

Për dallim prej tyre, zyrtari i nivelit të ulët në administratën e Shteteve të Bashkuara, i cili, sipas të gjitha gjasave, i ka nxjerrë këto informacione diplomatike, do të jetojë gjatë... (v.p.)
XS
SM
MD
LG