Ndërlidhjet

Daka: Procesi është devijuar


Valdete Daka
Valdete Daka

Në momentin kur procesi zgjedhor ditën e zgjedhjeve ka kaluar në përgjegjësi të komisionarëve dhe subjekteve politike, ai ka devijuar, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.


RADIO EVROPA E LIRË
Zgjedhjet e 12 dhjetorit fillimisht u cilësuan si të suksesshme, por më vonë dolën në pah shqetësime për parregullsi, përfshirë këtu edhe ato nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ku qëndron problemi themelor, pse ndodhi kjo?

VALDETE DAKA

Përderisa procesi zgjedhor ka qenë i organizuar shumë mirë, pothuajse në mënyrë të përkryer nga ana e KQZ-së, pra teknikisht ne jemi ata që i organizojmë zgjedhjet dhe deri në ditën e zgjedhjeve, procesi është në duart tona. Mirëpo, në momentin kur ky proces ditën e zgjedhjeve ka kaluar në përgjegjësi të komisionarëve dhe të subjekteve politike, procesi është devijuar.

Me qëllim apo pa qëllim - unë këtë nuk do ta paragjykoja, sepse kjo është çështje, me të cilën do të merren organet tjera dhe përgjegjësinë duhet ta bartin ata që i kanë shkaktuar këto devijime.

RADIO EVROPA E LIRË
Ishte mungesa e mjeteve teknike, çështja që u diskutua më së shumti që në ditën e votimeve, për çka u tha se në këtë formë është ofruar mundësia për manipulim. Në fakt, sa ka ndikuar kjo çështje në parregullsi?

VALDETE DAKA

Nuk do të thosha se mungesa e materialeve teknike ka ndikuar në cilësinë e zgjedhjeve në ditën e zgjedhjeve, sepse llambat edhe pse ndoshta kanë qenë të kualitetit më të dobët, megjithatë kanë punuar dhe ne me përgjegjësi të plotë themi se llambat, të cilat janë dorëzuar dhe bateritë pastaj, që ne i kemi dërguar që të zëvendësohen, kanë punuar. Për atë se çka ka ndodhur në terren, ne nuk e bartim përgjegjësinë.

Gjithashtu edhe spërkatësi identifikues, është i njëjti, i cili është dërguar në Rahovec për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar. Ne, si KQZ, garantojmë se spërkatësit identifikues, të cilët janë dërguar nga depoja e KQZ-së, kanë qenë të rregullt.

Megjithatë, më duhet ta përsëris se ajo çka ka ndodhë pastaj në terren nuk është përgjegjësi e KQZ-së, sepse komisonerët dhe vëzhguesit, të cilët janë nëpër Komisione Komunale Zgjedhore edhe nëpër Këshilla të vendvotimeve, janë bartës të procesit ditën e zgjedhjeve dhe janë pjesë e partive dhe subjekteve politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë masash mund të ndërmerrni që parregullsitë të mos përsëriten në rivotimin e 9 janarit?

VALDETE DAKA

Sa i përket 9 janarit, ne do të marrim përgjegjësinë që të ndërrohen të gjithë komisionarët në këto tri komuna. Pra, që asnjë prej komisionarëve, të cilët kanë qenë, e ndoshta edhe ata që nuk kanë qenë fajtorë, megjithatë për t’u ikur manipulimeve të mundshme, ne do ta bëjmë ndërrimin e të gjithë komisonarëve në këto tri komuna dhe do ta shtojmë mbikëqyrjen, ashtu siç jemi urdhëruar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku i shihni pengesat kryesore që e pamundësojnë një proces të pastër zgjedhor?

VALDETE DAKA

Tash ndoshta është herët të flasim, edhe pse disa mangësi janë vërejtur sikurse në të gjitha zgjedhjet e deritashme. Por, megjithatë do ta lija që pasi të përfundojë ky proces, fatbardhësisht të na përfundojë më 9 janar, pra në ditën kur do të mbahen zgjedhjet - faktikisht rivotimi në këto 3 komuna dhe pas asaj, do të kemi mundësinë që t’i analizojmë të gjitha ato që kanë ndodhur në atë proces, ku kanë qenë gabimet dhe ku janë pengesat që bëjnë një proces të mos jetë i rregullt vazhdimisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa parti politike tashmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e kanë cilësuar si institucion të politizuar. Si do t’u përgjigjeshit këtyre akuzave?

VALDETE DAKA

Nuk do të doja t’i komentoja. Këto janë mendimet e tyre. Unë jam kryetare e KQZ-së, jam plotësisht e pavarur si gjyqtare që jam. Mirëpo, me përgjegjësi të plotë mund të them se edhe anëtarët e KQZ-së, pavarësisht faktit se janë përfaqësues të partive politike, kanë qenë shumë unikë, kanë qenë të gatshëm për bashkëpunim dhe nuk e kanë devijuar procesin në asnjë moment asnjëri prej tyre.
XS
SM
MD
LG