Ndërlidhjet

Mungesa e dialogut


Parlamenti i Maqedonisë
Parlamenti i Maqedonisë
Armiqësia politike mes partive në pushtet dhe atyre në opozitë ka bërë që institucioni ligjvënës, Parlamenti i Maqedonisë, të mos reflektojë dialogun e mirëfilltë politik, gjë që disa herë e kanë sugjeruar diplomatët e huaj.

Besim Dogani, deputet i pavarur, vlerëson se Parlamenti gjithnjë e më shumë mbahet nën kthetrat e vullnetit të kreut të Qeverisë, duke humbur rolin parësor – diskutimin për interesat e elektoratit. Kjo, sipas tij, ka bërë që qytetarët ta notojnë me notën 2 punën e Parlamentit nga shkalla prej 1 deri 5.

Ka disa arsye që e imponojnë një situatë të këtillë në punën e Parlamentit. E para, kryeparlamentari dhe shumica e Parlamentit udhëhiqen nga vullneti i Qeverisë dhe jo nga nevojat dhe interesi i qytetarëve. Më pas duhet theksuar mungesën e opozitës së mirëfilltë. Hendek në promovimin e interesave të qytetarëve shqiptarë ka shkaktuar dhe bojkoti nga ana e PDSH-së, i punës së Parlamentit. Thjesht, urdhri që vjen nga Qeveria është bërë pothuajse i detyrueshëm të kalojë në Parlament me votat e deputetëve”, thotë Dogani.

Ai nënvizon se Parlamenti në një situatë të këtillë, në të cilën gjendet, është shndërruar në prodhues të ligjeve, të cilat vështirë ose aspak nuk arrijnë të zbatohen në praktikë.

Por, me këtë qëndrim nuk pajtohet deputeti i BDI-së, Safet Neziri, i cili vlerëson se Parlamenti ka qenë dhe do të mbetet i hapur për të gjithë objektivat që kanë për qëllim realizimin e interesave të qytetarëve.

“Unë mendoj se Parlamenti është i hapur, është demokratik, çdo deputet pavarësisht nëse është nga shumica parlamentare, ose opozita, mund t`i parashtrojë kërkesat edhe interesat e elektoratit që e ka votuar. Mendoj se hapësira dhe mundësia është dhënë, por më duhet të theksoj se shumica e deputetëve në mënyrë simbolike, prezantojnë interesat e atyre që i kanë zgjedhur”,
thekson Neziri.

Ai me këtë rast ka apostrofuar Ligjin për administratën publike, sipas të cilit të gjitha institucionet shtetërore obligohen që, gjatë hapjes së vendeve të reja të punës, paraprakisht të konsultohen edhe me Sekretariatin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Ndërkohë, sipas deputetit Sulejman Rushiti, shumica parlamentare gjatë tërë 2010-ës ka injoruar ligjet që drejtpërdrejt prekin interesat e qytetarëve shqiptarë.

“Nuk është miratuar asnjë ligj që është mbështetur nga shumica parlamentare që prek interesat e shqiptarëve. Këtu dua të përmendi dhe iniciativat konkrete që ne i kishim si Demokraci e Re. Dorëzuam një ligj, me të cilin duhej të zgjidhej statusi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe familjarëve të dëshmorëve; i njëjti u refuzua ashtu siç u refuzuan dhe një sërë iniciativash tjera që kishin të bënin me përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve të Maqedonisë
”, shprehet Rushiti.
XS
SM
MD
LG