Ndërlidhjet

Si do të jetë ekonomia në 2011?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Ndërsa ekonomia botërore e vazhdon përpëlitjen, korrespondentët e Radios Evropa e Lirë, Heather Maher dhe Jeremy Bransten, biseduan me ekonomistë të njohur për të parë se çfarë mund të sjellë viti 2011.

Sajmon Xhonson (Simon Johnson), ish-kryeshef në Fondin Monetar Ndërkombëtar, është profesor në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets. Allan Melcer (Allan Meltzer), profesor i ekonomisë politike në Universitetin Karnegi Mellon, është historian i njohur i Rezervave Federale. Roxher Botëll (Roger Bootle), ish-këshilltar i qeverive britanike dhe autor i librit “Paratë për asgjë”, është njeriu, i cili e parashikoi krizën aktuale financiare.

Sajmon Xhonson

Sajmon Xhonson mendon se ekonomitë më të mëdha globale nuk do të rimëkëmben lehtë dhe parashikon kriza të reja.

Nuk besoj që do të ketë recesion dyshifror, i cili nënkupton tkurrje të prodhimtarisë, por mendoj se ekonomia evropiane do të trazohet. Mendoj se do të ketë edhe një krizë tjetër, ndoshta në pranverë, dhe kjo do ta ngadalësojë ekonominë botërore. Pra, nuk do të ketë rimëkëmbje, ndërsa papunësia do të jetë problemi kryesor në botë”, thotë Sajmon.


Por, çfarë mendon Roxher Botëll, a do të ketë rimëkëmbje apo recesion të dyfishtë?

Roxher Botëll

“Asnjëra. Këto dy gjendje nuk mund të ekzistojnë si mundësi. Mendoj se rritja ekonomike mund të bjerë pak, sepse mendoj se Evropa do të jetë në krizë dhe nuk shoh shumë gjasa për rritje ekonomike në tregjet e reja. Prandaj, mendoj se do të mbetemi në këto nivele, ose pak më poshtë, por me gjasë nuk do të ketë recesion të dyfishtë”,
thotë Botëll, i cili shkruan komente javore për “Daily Telegraph”.

Allan Melcer është optimist i matur. Por, cili është vlerësimi i tij, a po del ekonomia globale nga kriza, po stagnon apo po rikthehet në zonën e rrezikshme?


“Mendoj se po ec përpara, të paktën sigurisht në Evropë dhe në SHBA, ku ishin zonat më të goditura, por në SHBA ritmi është më i ngadaltë. Nuk mund të presim që papunësia të ndryshojë shpejt, sepse një pjesë e madhe e vendeve të punës që humbën, kanë të bëjnë me ndërtimtarinë. Rimëkëmbja do të jetë e ngadalshme përderisa një pjesë e madhe e shtëpive mbeten të pashitura në treg”
, shprehet Melcer.

Ndër problemet më shqetësuese vazhdon të mbetet stabiliteti i eurozonës. Sajmon Xhonson mendon se valat e krizave në eurozonë mund të përsëriten dhe qetësimin e sheh pas pesë vjetësh.

“Mendoj se eurozona do të mbijetojë, por dyshoj se do ta ketë përbërjen aktuale. Tash janë 16 dhe do të bëhen 17 vende kur Estonia të bashkohet në janar. Dyshoj se mund të vazhdojë me politikat e nxjerrjes nga kriza të vendeve të zhytura në telashe”.

“Sipas mendimit tim, do të ketë ndryshime të mëdha në strukturën dhe operimin e eurozonës, por besoj se do të ketë një bërthamë që do të mbijetojë. Gjatë vitit të ardhshëm do të ketë valë krizash dhe përpjekje për të reformuar eurozonën, por pas pesë vjetësh besoj se do të dalë një eurozonë e gjallë dhe e shëndoshë”,
thotë Xhonson.

Po çfarë janë vlerësimet e Roxher Botëll, njeriut që parashikoi krizën aktuale financiare?

“Nuk mendoj se euroja do të mbijetojë në formën aktuale. Por, do të isha i befasuar nëse të paktën një vend nuk do ta braktiste eurozonën. Kjo mund t’i bëjë punët edhe më dramatike. Mendoj se kriza financiare nuk do të ndalet dhe vendet do të vazhdojnë me problemet e buxhetit. Ka edhe mundësi që euroja të ndahet në euro veriore dhe jugore, por që të ndodhë kjo duhet revolucion në mendimin politik të Gjermanisë”
, thekson Xhonson.


Allan Melcer

As Allan Melcer nuk është shumë optimist për ekonominë e vendeve të eurozonës.

“Nuk mund të shoh se si vendet si Greqia do të mund të shmangin ristrukturimin e borxhit të tyre. Ndihma e realizuar përmes Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimit Evropian, që tërhoqi aq shumë vëmendje, nuk ka zgjidhur shumë probleme reale, por vetëm i ka shtyrë. Ato që kanë shumë borxhe, e kanë vështirë, prandaj herët apo vonë do të duhet të ristrukturohen. Por, ka dhe vende tjera që mund të jenë në pozitë të ngjashme”,
thotë Melcer.

Sa i përket dollarit amerikan, Melcer, Xhonson dhe Botëll parashikojnë se valuta e Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë me tendencën e rënies. Por, në muajt e parë të vitit 2011 presin rritje të vlerës së dollarit për shkak të dobësimit të euros, si pasojë e problemeve në Spanjë, Itali apo Portugali.(v.p.)
XS
SM
MD
LG