Ndërlidhjet

Ftesa e Iranit ngjall reagime të ndryshme



Irani tha se ka ftuar një numër diplomatësh të akredituar pranë Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore për të vizituar uzinat e programeve bërthamore të Teheranit.
Ftesa vjen përpara raundit të ri të bisedimeve mes Iranit dhe fuqive ndërkombëtare.

Burimet zyrtare iraniane theksuan se në mesin e diplomatëve të ftuar janë dhe përfaqësues të disa nga gjashtë vendeve të përfshira në bisedime.

“Hapi i ri për të ftuar ambasadorët e vendeve të ndryshme tregon vullnetin e mirë të vendit tonë lidhur me bashkëpunimin dhe aktivitetet paqësore”, tha zëdhënësi i diplomacisë iraniane Ramin Mehmanparast.

Pekini ka konfirmuar se është në mesin e të ftuarve. Ministria e Jashtme e Hungarisë tha se e ka marrë letrën e Iranit dhe po e diskuton atë me homolgët e BE-së dhe shefen e diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton.

Delegati rus është gjithashtu në mesin e të ftuarve. Kina dhe Rusia janë në grupin e gjashtë vendeve të cilat po negociojnë me Iranin rreth programeve bërthamore.

Nga burime pranë Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore mësohet se SHBA-të nuk janë në mesin e të ftuarve. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner theksoi se ftesa e Teheranit nuk mund të shërbejë si arsyetim për Iranin që të mos përmbushë detyrimet për bashkëpunim me ANEB-ën.

Takimi i fundit mes përfaqësuesve të Iranit dhe atyre të gjashtë fuqive botërore u zhvillua në dhjetor në Gjenevë. Takimi, që u mbajt pas më shumë se një viti ndërprerje shënoi pak përparim lidhur me programet kundërthënëse bërthamore të Iranit.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka vendour pak kohë më parë raundin e katërt të sanksioneve ndaj Iranit. Vendet perëndimore dyshojnë se Irani synon prodhimin e armëve bërthamore. Akuzat janë hedhur poshtë në vazhdimësi nga Irani.

Inspektorët e Agjencisë së Energjisë Bërthamore e vizitojnë rregullisht Iranin, por ata kanë shprehur shqetësimin e tyre për mosbashkëpunimin e plotë të Teheranit.

Irani synon pasurimin e uraniumit, i cili lehtësisht mund të përdoret në prodhimin e armëve bërthamore.
XS
SM
MD
LG