Ndërlidhjet

Kërcënohen vëzhguesit e DV-së


Koalicioni i OJQ-ve "Demokracia në Veprim" ka tërhequr vëzhguesit nga qendra e votimit në Koreticë të Epërme të Drenasit, meqë, siç ka thënë aktivisti Driton Selmanaj, vëzhguesi ka marrë kërcënime serioze nga persona të autorizuar, për shkak se ata kanë pasur distinktivë, por nuk kanë qenë anëtarë të Komisionit të Këshillit të Vendvotimit.

“Meqë kërcënimi ka qenë tejet serioz, ne kemi konsideruar se është e rëndësishme jeta e tij, ose integriteti i tij. Kemi vlerësuar që nga ajo qendër e votimit duhet t’i tërheqim vëzhguesit tanë. Nga ky moment, kjo qendër e votimit në Koreticë të Epërme të Drenasit nuk mbulohet nga ana e 'Demokracisë në Veprim'", ka thënë Selmanaj.

Ai e ka bërë këtë njoftim në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarë.

Ndryshe, ky koalicion ka raportuar për parregullsi të evidentuara në Koreticë dhe në disa vendvotime tjera në komunën e Drenasit dhe Skënderajt.

“Në Drenas dhe Skënderaj janë evidentuar 31 raste të votimit të dyfishtë në 10 vendvotime, madje në Koreticë të Epërme edhe kryesuesi i Këshillit ka votuar dy herë pa u penguar nga askush. Në Runikë të Skënderajt janë evidentuar tri raste të votimit pa dokumente identifikimi dhe tri raste të votimit të hapur. Në Likoc janë evidentuar raste kur nuk janë kërkuar dokumentet e identifikimit”, ka bërë të ditur Besnik Ramadani nga "Demokracia në Veprim".

Ky rrjet ka thënë se deri në orën 12 janë regjistruar 300 raste të votimit familjar.

Ndërkohë, DV ka dhënë rezultate tjera nga ato të KQZ-së të pjesëmarrjes së votuesve deri në orën 12.

Sipas "Demokracisë në Veprim", deri në orën 12 në Skënderaj kanë votuar 23.77 për qind, në Deçan, 12.54 për qind, në Drenas, 20.72 për qind, në Malishevë, 14.6 për qind dhe në Lipjan 23. 56 për qind.
XS
SM
MD
LG