Ndërlidhjet

Raportet Maqedoni - Kosovë


Shkup
Shkup
Maqedonia me Kosovën tashmë dy vjet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ndërton raporte të bashkëpunimit mbi parimin e inkluzivitetit, thekson sekretari shtetëror i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Abdylkadër Memedi.

Ai thekson se Maqedonia angazhohet për inkuadrimin e Kosovës në të gjitha iniciativat ekonomike dhe politike të Ballkanit Perëndimor, ngase kjo kontribuon në instalimin e një paqeje të qëndrueshme për tërë rajonin.

Drejtoria e departamentit të NATO-s në kuadër të Ministrisë për Punë të Jashtme, që koordinon aktivitetet punuese për anëtarësimin e Maqedonisë në aleancën veri-atlantike, ka njoftuar dhe autoritetet kosovare për gatishmërinë e saj që të fillojnë konsultimet politike rreth shkëmbimit të përvojave në këtë drejtim.
Në mesin e pjesëmarrëse të Kartës së Adriatikut në Shkup, ishte edhe zv.ministrjae Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku.

“Kosova, edhe pse nuk është pjesë e Kartës së Adriatikut A-5, por si rezultat i një iniciative të MPJ-së së Maqedonisë, ajo u ftua dhe mori pjesë në takimin ku Maqedonia ishte kryesuese e vendeve të Kartës së Adriatikut A-5. Pra, ky është parimi ynë i inkluziviteit dhe inkaudrimit me vendet fqinje”,
shprehet Memedi.

Ai nënvizon se është duke u instaluar një bashkëpunim i ngushtë me institucionet përkatëse të Kosovës, sa i përket këmbimit të përvojave, si dhe bashkëveprimit për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave edhe për shtetasit e Kosovës.

Fillimisht, në dhënien e shërbimeve konsulore të qytetarëve tanë nëpër ambasada dhe e dyta, qendra për viza ashtu siç e ka Maqedonia, gjë që ka qenë dhe parakusht për liberalizimin e vizave, si dhe për të shkëmbyer tërë përvojën tonë që ka të bëjë me procesin e regjimit të vizave”.

“Për këtë iniciativë tonën, kemi mbështetje të plotë nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, veçanërisht nga Sllovenia, e cila ka shprehur gatishmëri që së bashku me ne të hartojë një projekt të përbashkët për Republikën e Kosovës”,
shton Memedi.

Sekretari shtetëror në dikasterin e Punëve të Jashtme bën të ditur se që nga 1 janari i këtij viti, Republika e Maqedonisë ka zëvendësuar në sistemin kompjuterik të saj kodin e deritashëm SRB, me kodin e ri për Kosovën XXK.

Me këtë veprim, sipas Memedit, është zgjidhur problemi i mijëra shtetasve të Maqedonisë, që kanë lidhje familjare me Kosovën, por që për shkak të kodit nuk mund të pajiseshin me dokumente personale.
Policia maqedonase afër kufirit me Kosovën...

“Çdo qytetari, që do të aplikojë për t’u pajisur me dokumentet personale, e që është i lindur në Kosovë, do t'i shkruhet kodi XXK. Këtë shkurtesë e përdorin shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, dhe Maqedonia si kandidate për t’u anëtarësuar në BE, në të gjitha aspektet e jashtme, përcjell politikat e BE-së, veçanërisht në aspektin e praktikave konsulore, duke marrë parasysh edhe faktin se Maqedonia është pjesë e liberalizimit të vizave”
, thekson Memedi.

Sekretari Memedi shton se kodi i përkohshëm XXK do të zbatohet në Maqedoni deri në momentin kur Organizata e Kombeve të Bashkuara do të regjistrojë kodin e përhershëm të Kosovës, RKS.

Qeveria e Maqedonisë tashmë ka përfunduar të gjitha aktivitetet formale sa i përket fazës së parë për hapjen e dy vendkalimeve kufitare me Kosovën në pikat kufitare Tanushë-Debëllde dhe Bellanoc-Stançiq, njofton Memedi, duke shtuar se ky proces ngec nga ana e palës kosovare për shkak të zhvillimeve rreth zgjedhjeve në Kosovë:

“Ne tashmë ia kemi përcjellë Qeverisë së Kosovës draftin apo propozim -tekstin e marrëveshjeve për hapjen e këtyre dy pikave kufitare dhe tani presim përgjigje që sa më shpejt të fillohen bisedimet për akordimin e këtyre dy marrëveshjeve dhe nënshkrimin e tyre. Kjo nënkupton dhe hapjen finale të këtyre dy pikave kufitare”.

Hapja e vendkalimeve të reja që duhet të bëhet brenda këtij viti, nënvizon sekretari shtetëror i Ministrisë së Punëve të Jashtme, pritet të ndikojë dukshëm në zhvillimin ekonomik, si dhe hapjen e vendeve të reja të punës në rajonin e Karadakut, që llogaritet ndër viset më të varfra të vendit me popullatë shqiptare.
XS
SM
MD
LG