Ndërlidhjet

PDK: Qeveria e re nga mesi i shkurtit


Pas publikimit të rezultateve preliminare, KQZ njofton se fituese është PDK-ja.
Pas publikimit të rezultateve preliminare, KQZ njofton se fituese është PDK-ja.

Nuk do të ketë vonesa në formimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës, thonë zyrtarët e Partisë Demokratike. Si subjekt fitues i zgjedhjeve, PDK-ja parasheh se do ta formojë koalicionin qeverisës diku nga mesi i shkurtit. Subjektet tjera, ndërkaq, thonë se presin ofertat e PDK-së për koalicion, por edhe parashtrojnë kushtet e veta.


Partia Demokratike e Kosovës zotohet se do ta formojë qeverinë e ardhshme diku nga mesi i muajit shkurt. Si fituese e zgjedhjeve me 32.4 për qind të votave sipas rezultateve preliminare, PDK-ja në bazë të Kushtetutës e merr e para nismën për formimin e qeverisë pas certifikimit të rezultatit.

Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, konfirmon se ky subjekt politik ka zhvilluar tashmë bisedime joformale me partitë tjera, por pret që zhvillime më konkrete në drejtim të negociatave për koalicionin e ardhshëm të ketë pas certifikimit të rezultatit.

Stavileci përsërit zotimin e PDK-së se qeveria e ardhshme do të formohet pa vonesa, edhe atë në një afat rekord.
Kryetari i partisë dhe kryeministri Thaçi ka deklaruar se ne, në afat rekord do ta bëjmë qeverinë...


“Kryetari i partisë dhe kryeministri Thaçi ka deklaruar se ne, në afat rekord do ta bëjmë qeverinë. Pas certifikimit, pra orientimisht mesi i muajit shkurt e tutje, ngase nuk mund të thuhet një datë ekzakte se kur. Por, pasi të përfundojë certifikimi i rezultatit dhe afatet tjera, besojmë brenda një dyjavëshi pasues”
, thekson Stavileci.

Teksa Partia Demokratike e Kosovës paralajmëron oferta konkrete për subjektet tjera pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, partitë tjera parlamentare prezantojnë edhe pozicionet e tyre në lidhje me ndërtimin e institucioneve, sidomos Qeverisë.

Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, thotë se nisma për qeverinë e ardhshme u takon partive më të mëdha. Kurse, pozicioni i AAK-së, sipas Ramadanit, është që qeverisja në Kosovë të ndryshojë, ose në të kundërtën ajo nuk do të jetë pjesë e saj.

“Aleanca e ka si parim të vetin qëndrimin ose synimin për ta ndryshuar qeverisjen në Kosovë dhe Aleanca e sheh veten vetëm me ndonjë koalicion ku mund ta ndryshojë qeverisjen në Kosovë. Përndryshe, nëse nuk mund të ndryshohet qeverisja, nuk është e domosdoshme që AAK-ja të jetë pjesë e asaj qeverie”,
thotë Ramadani.

AAK-ja, e cila në bazë të rezultateve preliminare ka fituar 11.9 për qind të votave, sipas Burim Ramadanit, do të mbështeste edhe idenë tashmë të propozuar nga nënkryetari i saj, Blerim Shala, për një qeveri me bazë të gjerë si dalje nga kriza dhe ngërçi politik.

Ndërkohë, Koalicioni për Kosovën e Re, i cili sipas rezultateve preliminare ka fituar 7.2 për qind të votave, parashtron edhe kushtet e veta për përfshirje në koalicionin e ardhshëm qeverisës.

Mimoza Kusari-Lila thotë se një nga kushtet e domosdoshme është që president i Kosovës të jetë kryetari i AKR-së, Behxhet Pacolli. Ajo nuk e përjashton mundësinë që nëse nuk ka rezultate në bisedimet me PDK-në, negociata për qeverinë e ardhshme të zhvillohen edhe me LDK-në, por sërish me kushtet e njëjta.
Një prej kushteve dhe kritereve ka qenë edhe pozita e presidentit, pasi që e kemi edhe kandidatin, i cili është lideri i koalicionit, z.Behxhet Pacolli.


“Një prej kushteve dhe kritereve ka qenë edhe pozita e presidentit, pasi që e kemi edhe kandidatin, i cili është lideri i koalicionit, z.Behxhet Pacolli. Pastaj, kanë qenë kriteret e programit ose hapësirës për zbatimin e programit të Koalicionit për Kosovën e Re, e natyrisht edhe kriteri, i cili ka të bëjë me bartësit e funksioneve ekzekutive, në mënyrë që ata të jenë profesionalisht të përgatitur dhe etikisht të pastër”
, thotë Kusari-Lila.

Ndryshe, PDK-ja, në bazë të Kushtetutës do të provojë e para formimin e qeverisë. Kurse opsionet rezervë, që do të sillnin LDK-në, si partia e dytë në sprovën e formimit të qeverisë, vijnë në konsiderim vetëm nëse partia e parë dështon.

Nga subjektet politike, që në start, vetëm Lëvizja Vetëvendosje e ka larguar veten nga negociatat për qeverinë e ardhshme, pasi që është deklaruar se nuk lidh koalicion me PDK-në, LDK-në e as me AAK-në.


* * * * *
KQZ: PDK fiton zgjedhjet me 32.40 %

Bekim Bislimi

Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në zgjedhjet e ripërsëritura në komunën e Mitrovicës ka fituar Partia Demokratike e Kosovës. Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, ka prezantuar edhe rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare në nivelin kombëtar, të cilat, siç thotë ajo, gjithashtu kanë nxjerrë fituese Partinë Demokratike të Kosovës.


Rezultatet preliminare, të cilat i publikoi sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për zgjedhjet parlamentare të ripërsëritura dje në komunën e Mitrovicës, si dhe ato të përgjithshme, në nivel kombëtar, nxjerrin fituese partinë Demokratike të Kosovës.

Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha se në komunën e Mitrovicës dje kanë dalë në votime 26. 8 për qind e votuesve potencial të kësaj komune, në 31 qendra të votimit, me 104 vendvotime.

Daka bëri të ditur se Partia Demokratike e Kosovës i prin listës së subjekteve garuese, sipas përqindjes së votave të fituara.

“Me përqindje, sipas partive politike politike, kemi këtë rezultat: PDK- 47. 47 %; LDK – 22.3 %; Lëvizja Vetëvendosje -11.5 %; AAK – 6.3 %; Koalicioni AKR – 6 %; FER-i – 1, 4 %; LDD- 0. 2 %”,
bëri të ditur Daka.

Sipas saj, në këto rezultate nuk janë përfshirë të dhënat nga 23 vendvotime, 22 dy prej të cilave janë në anën veriore të qytetit të Mitrovicës.

Ndryshe, Komisioni Qendror i zgjedhjeve, gjithashtu publikoi rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të Kosovës, në nivel kombëtar apo të përgjithshëm. Daka prezantoi rezultatet:

“Dalja e përgjithshme e votuesve, sipas përqindjes, në tërë Kosovën është 47 %. Rezultatet preliminare, sa i përket tërë Kosovës, janë këto, si në vijim: PDK – 32.40 %; LDK -24.67 %; Lëvizja Vetëvendosje -12.55 %; AAK- 11. 09 %; Koalicioni AKR – 7.22 %; FeR-i – 2.15 %; LDD- 2.13 %”.


Zonja Daka tha se në rezultatet preliminare për nivelin kombëtar, nuk janë përfshirë rezultatet, të cilat janë përjashtuar më herët me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

KQZ-ja njoftoi se është paraparë që afati për dorëzimin e ankesave lidhur me parregullsitë eventuale në komunën e Mitrovicës, të jetë deri në orën 19:00 të ditës së sotme.


Rezultatet e Demokracisë në Veprim

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të përsëritura parlamentare në 31 qendra të votimit, me 104 vendvotime në komunën e Mitrovicës, të cilat i publikoi në mesnatë rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, kanë nxjerrë fituese Partinë Demokratike të Kosovës.

Po ashtu, kjo parti, po sipas rezultateve preliminare të “Demokracisë në Veprim”, është fituese edhe e zgjedhjeve parlamentare në nivel kombëtar. Prezantimin e rezultateve preliminare të zgjedhjeve në Mitrovicë e bëri Ismet Kryeziu, udhëheqës i rrjetit “Demokracia në Veprim".

“Partia Demokratike e Kosovës udhëheq me 47.18 %, Lidhja Demokratike e Kosovës me 22.69 %, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 6.32 %, Lëvizja Vetëvendosje me 11.55 %, FeR-i me 6.04 %. Këto janë rezultatet, të cilat janë për komunën e Mitrovicës. Normalisht, ne nuk i kemi pasur për dy vendvotime, ku nuk kemi arritur që t’i kemi vëzhguesit tanë, gjatë tërë ditës, për shkak të motit të lig”, shpjegoi zoti Kryeziu.

Gjithashtu, Kryeziu prezantoi edhe rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare për nivelin kombëtar, të cilat përfshijnë zgjedhjet e 12 dhjetorit, përsëritjen e zgjedhjeve në Skënderaj, Drenas, Deçan, Lipjan dhe Malishevë, si dhe zgjedhjet e 23 janarit në Mitrovicë.

Sipas tij, rezultatet përfshijnë të dhënat prej 90 për qind të të gjitha vendvotimeve të Kosovës dhe, siç tha Kryeziu, marzha e gabimeve eventuale që mund të ndodhë në përqindje, mund të jetë nga 1 deri në 3 për qind, në totalin e lëvizjeve nga subjektet politike.
Partia Demokratike e Kosovës, në bazë të të dhënave tona, në nivel kombëtar,
ka 30. 85 %...


“Partia Demokratike e Kosovës, në bazë të të dhënave tona, në nivel kombëtar, ka 30.85 %; Lidhja Demokratike e Kosovës ka 26. 37 %; Vetëvendosja ka 13.30 %; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 10. 51 %; AKR-ja ka 8.2 %; FeR-i ka 2.63 %, Lidhja Demokratike e Daradanisë ka 2.20 %. Ndërsa, subjektet tjera kanë 6.13 %”, tha Kryeziu.

Ndryshe, përfaqësuesit e rrjetit “Demokracia në Veprim” thanë se në rezultatet preliminare, të cilat i publikoi, nuk janë përfshirë votat me kusht, që, sipas tyre, pas numërimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mund të ndikojnë në ngritjen ose uljen eventuale të rezultateve të subjekteve politike garuese.

Në anën tjetër, zyrtarët e Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se gjatë ditës së djeshme, gjatë gjithë kohës sa ka zgjatur procesi zgjedhor, nuk ka pasur incidente. Besim Hoti, zëdhënësi Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, tha se për të siguruar proces të qetë zgjedhor, Policia e Kosovës kishte angazhuar 500 policë, në dy ndërrime
Qoftë nga qendrat e votimit në veri të Mitrovicës, por edhe nga vendvotimet në pjesën tjetër të Mitrovicës, nuk është regjistrar asnjë incident i vetëm...
.

“Policia e Kosovës e konsideron si një të arritur shumë të madhe në procesin zgjedhor, nga aspekti i sigurisë ose më mirë të themi, nga aspekti policor, marrë parasysh faktin që nuk është shënuar asnjë incident i vetëm, i cili në çfarëdo forme do të ishte në qendër të vëmendjes të opinionit publik. Qoftë nga qendrat e votimit në veri të Mitrovicës, por edhe nga vendvotimet në pjesën tjetër të Mitrovicës, nuk është regjistrar asnjë incident i vetëm”, njoftoi zoti Hoti.

Sidoqoftë, ashtu sikurse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, edhe rrjeti “Demokracia në Veprim”, tha se përqindja e daljes në votime në komunën e Mitrovicës, më 23 janar ka qenë më e vogël se sa më 12 dhjetor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG