Ndërlidhjet

Maqedoni: Shqetësime për bojkotin e opozitës


Parlamenti i Maqedonisë
Parlamenti i Maqedonisë
Përfaqësuesit ndërkombëtarë në Maqedoni janë shprehur të shqetësuar lidhur me braktisjen e Parlamentit të dy partive maqedonase në opozitë, LSDM-së dhe Lidhjes së Re Social-Demokrate, ndërkohë që e kanë apostrofuar si problematik mosfunksionimin e dialogut politik në Maqedoni.

Ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker, është shprehur se përpos gjyqësisë dhe mediumeve, të cilat po ballafaqohen me shumë probleme, me boshatisjen e ulëseve në Parlament të deputetëve të LSDM-së, rrezikohet edhe funksionimi normal i Kuvendit të Maqedonisë.

“Lirisht, mund të shprehem se, mediumet e pavarura dhe gjyqësia, të cilat janë dy komponentët kryesorë të demokracisë, po ballafaqohen me shumë probleme. Kuptova se edhe Parlamenti, si organ ligjvënës, po ballafaqohet me probleme. Institucionet dhe demokracia në Maqedoni duhet të merren seriozisht me këtë çështje për ta rregulluar atë”,
është shprehur ambasadori amerikan, Riker, pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Ndërkohë, delegacioni i Bashkimit Evropian në Shkup dënon çdo lloj bojkoti të Parlamentit.

“Vendi i deputetëve është në Parlament dhe vetëm aty mund të sigurojnë parakushtin kryesor për euro-integrim të vendit, dhe ai është dialogu politik”
, thuhet në reagimin me shkrim të zyrës së BE-së në Shkup.

Ndryshe, lideri i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, që drejton partinë më të madhe maqedonase në opozitë, duke sqaruar vendimin për të braktisur punën e Parlamentit, ka theksuar se ky hap merret për shkak të mungesës së kapacitetit demokratik në vend.

Cërvenkovski ka thënë se partia e tij nuk e ka ndërmend që t'i japë legjitimitet këtij pushteti jodemokratik, duke theksuar me këtë rast dhe bllokimin e xhirollogarisë së Televizionit A1, që është më i shikuari në vend dhe llogaritet si një nga më kritikët ndaj qeverisë.

Por, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, e ka dënuar veprimin e opozitës për të bojkotuar, duke theksuar se opozita është vënë në mbrojtje të krimit.
Ndërkohë, partia shqiptare në opozitë, Demokracia e Re, kapërcimin e krizës politike e sheh në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Një kohë të gjatë në vendin tonë nuk ka dialog politik dhe demokraci parlamentare. Të vetmit fajtorë për këtë situatë janë BDI-ja dhe VMRO-DPMNE-ja. Prandaj, nesër Këshilli Qendror i partisë me propozim të kryetarit të partisë, do të vendosë nëse Demokracia e Re edhe më tutje do të jetë pjesë e dialogut mes të shurdhërve, ose veprimin e saj politik do ta realizojë atje ku janë problemet reale politike, ekonomike apo sociale, në mesin e popullit dhe me popullin”
, ka deklaruar zëdhënësi i Demokracisë së Re, Arjanit Hoxha.

Por, partia shqiptare, pjesë e koalicionit qeveritar, BDI, ka vlerësuar se vendi i deputetëve është në Parlament, aty ku duhet bërë dhe beteja politike. Rafiz Haliti, zyrtar i lartë i partisë, ka thënë se vendimin për veprimin e mëtejmë për të mbetur ose dalë nga Parlamenti, partia e tij do ta ndërmarrë në mbledhjen e Kryesisë Qendrore.

“Mendoj se interesi i çdo deputeti, i çdo subjekti politik është që kontributin e vet ta japë në Parlament. Vota e çdo qytetari është dhënë për subjektet politike, që ata pastaj të veprojnë brenda Kuvendit dhe aty të artikulojnë interesat e tyre”,
është shprehur Haliti.

Ndryshe, sot kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanoski, përmes një deklarate me shkrim, ka theksuar se të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen me dialog politik dhe se bojkoti i punës së Kuvendit nuk është mënyra e duhur që të bëhet kjo, pasi kjo është në kundërshtim me interesat kombëtare të shtetit.

Veljanovski, pavarësisht bojkotit për të hënën i ka ftuar të gjithë koordinatorët e grupeve parlamentare për t’i tejkaluar dallimet.
XS
SM
MD
LG