Ndërlidhjet

Në pritje të ofertave për koalicion...


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Partia Demokratike e Kosovës dhe lideri i saj, Hashim Thaçi, thanë se janë në pritje të certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve para se t’i bëjnë publike ofertat për partitë tjera rreth koalicionit të ardhshëm qeverisës. Ndërkohë, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, konfirmoi se kjo parti politike do të jetë në opozitë dhe nuk do të përfshihet në kurrfarë negociatash për qeverinë e re.

Kosova do ta ketë qeverinë e re shumetnike, shumëpërfshirëse dhe me orientim euro-atlantik, përsëriti të hënën kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh dhe kryeministri në largim, Hashim Thaçi.

Si udhëheqës i partisë fituese të zgjedhjeve, Thaçi u zotua se do ta formojë qeverinë e re, por nuk e sqaroi formulën, mbi të cilën ai mendon të lidhë koalicionin qeverisës. Ai tha se qeveria e re do të formohet shumë shpejt pas certifikimit të rezultatit zgjedhor.

Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së

“Tanimë, përfundimisht dihet botërisht legjitimiteti i qytetarëve të vendit. Partia fituese me një rezultat bindës është PDK-ja. E ritheksoj edhe një herë se menjëherë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor do ta kemi edhe qeverinë e re, shumetnike, shumëpërfshirëse në kuptimin politik dhe standardeve euroatlantike”
, tha Thaçi

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës për herë të parë do të jetë në taborin e opozitës. Pozicionin e LDK-së për mospërfshirje në qeverinë e ardhshme, e rikonfirmoi lideri i saj, Isa Mustafa.

“Ne nuk do të bëjmë koalicion, jam shprehur se nuk do të bëjmë koalicion. Ne jemi pozicionuar si LDK se ku do të jemi, ne do të jemi në opozitë në Parlamentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës, ndërsa tash, ne presim që të bëhet edhe certifikimi i rezultatit”
, theksoi Mustafa.

Ai e hodhi poshtë mundësinë që disa deputetë të LDK-së të kalojnë te koalicioni i ri i PDK-së me subjektet tjera. Mustafa tha se ka dëgjuar zëra për një mundësi të tillë, por, siç u shpreh ai, deputetët e LDK-së nuk mund të trafikohen nga një subjekt në tjetrin.

Isa Mustafa, kryetar i LDK-së

“Konsiderojmë se nuk e kemi asnjë mercenar që na është futur në listën e deputetëve dhe nuk shohim asnjë arsye që qeverisja e ardhshme e Kosovës të bazohet në trafikimin e deputetëve, sepse nuk do të ketë qeverisje të sigurt dhe nuk do të ketë qeverisje të qëndrueshme”,
u shpreh Mustafa.

Mbetja e LDK-së jashtë koalicionit, si edhe e Vetëvendosjes, e cila tashmë është deklaruar se nuk do të përfshihet në qeverinë e ardhshme, e qartëson opozitën e ardhshme.


Ndërkaq, PDK-së i mbetet të llogarisë që qeverinë e ardhshme ta mbështesë në koalicionin me pakicat, si dhe me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës apo Koalicionin për Kosovën e Re.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, tha të hënën se kjo parti politike nuk ka asnjë ofertë nga partia fituese për ndonjë koalicion të mundshëm. Pavarësisht nëse do të jetë në pushtet apo në opozitë, AAK-ja, tha Isufi, është e gatshme ta marrë pjesën e vet të përgjegjësisë.
Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së

“Ne jemi për krijimin e një parlamenti ashtu si e do vendi, për institucione të fuqishme, për një qeveri, e cila është stabile dhe që e përfundon mandatin. Dhe, ne mendojmë se AAK-ja e merr pjesën e vet të përgjegjësisë qoftë nëse hyn në qeveri, qoftë nëse mbetet në opozitë”, theksoi Isufi.

Partia fituese e zgjedhjeve, sipas Kushtetutës, e merr e para mandatin për formimin e qeverisë së ardhshme. Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, PDK-së në këtë rast do t’i duhet të lidhë një koalicion qeverisës për formimin e qeverisë së re, e cila merr miratimin e Kuvendit me minimumin prej 61 votash.

Por, zyrtarët e PDK-së shprehën besimin se do të kenë më shumë vota në Kuvend, në mënyrë që qëndrueshmëria e qeverisë së ardhshme të mos vihet në pikëpyetje që në start.

Lexoni edhe këto:

Sprova përballë partive politike
Koalicion qeverisës apo zgjedhje të reja?
XS
SM
MD
LG