Ndërlidhjet

Analistët: Formula qeverisëse në duart e PDK-së


Foto arkivi
Foto arkivi
Analistët politikë në Prishtinë i vlerësojnë në mënyra të ndryshme dy idetë e lansuara deri më tani në lidhje me formulën e ardhshme të qeverisë së Kosovës. Opsioni i koalicionit gjithëpërfshirës, i propozuar nga LDK-ja, shihet si një opsion me më shumë përparësi, krahasuar me opsionin e AAK-së për qeverinë që do të përbëhej nga treshja, PDK, LDK dhe AAK. Sidoqoftë, analistët vlerësojnë se përcaktimi rreth formulës qeverisëse i përket partisë fituese të zgjedhjeve.


Në kuadër të shumë opsioneve që janë prezantuar deri më tani rreth formimit të qeverisë së ardhshme të Kosovës, së fundit doli edhe ideja e prezantuar nga nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, për formulën qeverisëse ndërmjet PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Paraprakisht ishte një ide tjetër, ajo e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që Kosova të formojë një qeveri gjithëpërfshirëse, e cila do të kishte si mandat përgatitjen e vendit për reforma zgjedhore dhe një proces të ri zgjedhjesh.

Analisti Ramush Tahiri thotë se me gjithë idetë e prezantuara, formula e qeverisjes duhet të jetë në duart e partisë fituese.

Sipas tij, një qeveri gjithëpërfshirëse do të ishte pozitive për kah njëra anë e medaljes, por mund t’i ketë edhe anët negative nëse bëhet pa një platformë dhe qëllim.

Ramush Tahiri
“Qeveria e gjerë prodhon stabilitet dhe i tejkalon të gjitha vështirësitë, mirëpo qeveria e gjerë, nëse bëhet pa platformë, mund të çojë vendin në një lloj ngërçi politik. Përndryshe, për mendimin tim, kur të paraqitet nevoja, duhet edhe koalicioni i gjerë, sepse Kosova nuk e ka luksin të hyjë në zgjedhje çdo tre muaj”,
thotë Tahiri.

Përderisa ende nuk është certifikuar rezultati i zgjedhjeve, Tahiri thotë se është ende herët të dihet me saktësi pozicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, si partia fituese e zgjedhjeve.

Ai vlerëson po ashtu se PDK-ja do të vërë në peshore fillimisht nëse është apo jo e gatshme që të ndajë qeverisjen me gjithë spektrin politik dhe të humbasë shumë nga ministritë që mund t’i ketë nën udhëheqje, nëse krijon një qeveri dhe koalicion më të ngushtë.

“Nëse koalicioni është i madh, atëherë PDK-ja, në asnjë variant, nuk mund t’i ketë më shumë se katër ministri dhe duhet vlerësuar se a është në interesin e saj të hyjë në një koalicion të tillë, ku do t’i kishte 3 – 4 ministri, apo të hyjë në një koalicion të ngushtë, ku do t’i kishte më shumë se gjysmën e ministrive”, thekson Tahiri.

Ndërkohë, analisti Halil Matoshi thotë se ende beson që PDK-ja do të provojë fillimisht formimin e një koalicioni me AAK-në dhe me pakicat.

Matoshi thotë se përfshirja edhe e LDK-së në qeveri do të nënkuptonte kthim prapa, pasi që të gjitha subjektet e mëdha do të ishin në pushtet.

Halil Matoshi
“Më tepër i besoj një koalicioni që siguron numrat dhe një stabilitet qeveritar ndërmjet PDK-së, partive të komuniteteve pakicë dhe AAK-së, sesa formulës së zotit Shala, e cila përpiqet që sërish ta rikthejë LDK-në në pushtet”,
thotë Matoshi.

Ai nuk e përjashton as mundësinë e një qeverie gjithëpërfshirëse, por një opsion i tillë, sipas tij, do të vinte në shprehje vetëm nëse spektri politik do të përcaktohej për reforma zgjedhore dhe riparim të procesit, tashmë të cilësuar si të lënduar, të zgjedhjeve të 12 dhjetorit.

Sa i përket variantit të dytë, atij të LDK-së për një qeveri kujdestare ose gjithëpërfshirëse, mendoj se është më e logjikshme, me kushte që të mblidhet një tryezë e partive politike, në një afat optimal të shkohet në zgjedhje të lira dhe të riparohet i tërë procesi zgjedhor, duke përfshirë edhe Ligjin zgjedhor, por edhe Ligjin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës”, vlerëson Matoshi.

Analistët thonë po ashtu se përcaktimi eventual i PDK-së për ndonjë formulë gjithëpërfshirëse apo koalicion me bazë të gjerë do të vinte në shprehje vetëm nëse ky subjekt politik vlerëson se me një koalicion të ngushtë, i cili do të prodhonte një qeveri të brishtë, do të mund të rrezikonte mandatin katërvjeçar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG