Ndërlidhjet

Rusia shpreh keqardhje për reagimin e Japonisë



Rusia ka shprehur keqardhje për reagimin e kryeministrit japonez lidhur me vizitën e fundit të presidentit rus Dimitri Medvedev në ujdhesat Kurile, deklaroi ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov.

"Shprehjet e tilla nuk janë diplomatike", tha Lavrov duke komentuar deklaratën e kryeministrit Naoto Kan, i cili pat thënë se vizita e Medvedevit është "fyerje e pafalshme".

Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore Moska mban kontrollin e ishujve Kurile, të cilat Tokio i quan Territore Veriore.

Mosmarrëveshjet rreth ishujve nuk i kanë lejuar të dyja vendet që të nënshkruajnë edhe zyrtarisht traktatin e paqes që i jep fund armiqësive nga Lufta e Dytë Botërore.

Japonia e ka caktuar 7 Shkurtin si Ditën e Territoreve Veriore.
XS
SM
MD
LG