Ndërlidhjet

Maqedoni: Komisioni punon pa shqiptarë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoni nuk do të vihet në pikëpyetje, pasi Komisioni ka shumicën dhe mund të punojë edhe pa anëtarët shqiptarë që po bojkotojnë punën e këtij organi, thanë udhëheqës të Komisionit Shtetëror për Regjistrim. Pala shqiptare nuk i komentoi këto pohime, ndërsa analistët presin dështimin e regjistrimit të popullsisë.


Komisioni Shtetëror për Regjistrim do të vazhdojë përgatitjet për regjistrimin e popullsisë, pavarësisht bojkotit të këtij komisioni nga anëtarët shqiptarë.

Vendimet që do të miratojë Komisioni janë legjitime, pasi të njëjtat i miraton me kuorum, tha për Radion Evropa e Lirë, kryetarja e Komisionit, Vesna Janevska.

“Ne u bëjmë thirrje anëtarëve shqiptarë që të kthehen në Komision dhe bashkërisht të fillojmë të punojmë. Nëse kjo nuk ndodhë, ne do të vazhdojmë me aktivitetet e parapara, pasi Komisioni ka shumicën, përfshirë edhe përfaqësuesit e bashkësive tjera etnike dhe derisa ka shumicën, nuk do ndalet edhe procesi deri në regjistrimin e popullsisë”, deklaroi Janevska.

Ajo kundërshtoi kërkesat e anëtarëve shqiptarë që numri i regjistruesve që do të shpërndahen nëpër komuna, të jetë në përputhje me përqindjen e popullatës.

“Propozimi i përfaqësuesve shqiptarë ishte që shpërndarja e regjistruesve në rajone apo komuna, të jetë proporcional, pra, sipas përqindjes etnike të popullatës, por kjo është në kundërshtim me ligjin, i cili parasheh që procesin e regjistrimit në çdo vendbanim ta realizojnë nga dy regjistrues që do të ishin të përkatësive të ndryshme etnike”,
shpjegoi Janevska.

Këto vlerësime nuk u komentuan nga anëtarët shqiptarë, por jozyrtarisht disa prej tyre thanë se pohimet e tilla u ngjajnë regjistrimeve të popullsisë në vitet 1991 dhe 1994, kur po ashtu merreshin vendime të njëanshme, e që në fund çuan në dështimin total të regjistrimit të popullsisë.

Ditë më parë anëtarët shqiptarë të Komisionit për regjistrim deklaruan se nuk do të kthehen në punën e këtij organi, nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre dhe nëse nuk revidohen të gjitha vendimet e miratuara me konsensus.

Duke i komentuar zhvillimet e këtilla, Hasan Jashari, analist politik, tha se pret dështimin e procesit të regjistrimit, ndërsa për këtë fajësoi qeverinë.

“Flitet për një politikë të gabuar qeveritare, domethënë për politikë të gabuar të regjistrimit. Kemi një sjellje jo të hijshme të kryetares së Komisionit Shtetëror të Regjistrimit, e cila irriton kolegët nga bashkësitë etnike, sidomos ata shqiptarë. Nuk mundet që në poste kaq të ndjeshme të vendosen njerëz aq të papërgjegjshëm dhe aq të papërgatitur politikisht. Në një situatë të këtillë, mendoj të gjitha shenjat tregojnë se do të ketë bojkot të procesit të regjistrimit”,
vlerësoi Jashari.

Por, përfaqësuesit e Qeverisë së Maqedonisë ditë më parë shprehën bindjen se dallimet mes anëtarëve do të tejkalohen përmes dialogut, respektimit të procedurave dhe anashkalimit të mbivotimit.
XS
SM
MD
LG