Ndërlidhjet

CEFTA: Takimi i parë, më 11 mars


Zyrtarë të Qeverisë në dorëheqje njoftojnë se në muajin mars do të mbahet takimi i parë anëtarëve të CEFTA-s, nën menaxhimin e Kosovës. Por, ende nuk është e qartë nëse kryesimin e këtij mekanizimi do ta bëjë Kosova vetë apo së bashku me UNMIK-un, meqë ueb-faqen zyrtare të CEFTA-s, thuhet UNMIK-Kosovo.


Autoritet përgjegjëse në Kosovë thotë se më 11mars, në Bruksel, do të mbahet takimi i parë i anëtarëve të CEFTA-s, nën kryesimin e Kosovës.

Presidencën e CEFTA-s, Kosova e ka marrë nga janari i këtij viti, ndërsa takimi i 11 marsit do të jetë aktiviteti i parë në kuadër të kësaj presidence.

Flamur Keqa, drejtor i Departamentit për Tregti të Jashtme në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se tashmë kanë përgatitur programin e punës dhe agjendën për këtë takim

“Është ky një takim, i cili është tradicional dhe takim, që u paraprinë takimeve të tjera, ku diskutohet me donatorët potencialë - donatorë që e kanë përkrahur në të kaluarën këtë marrëveshje dhe donatorë që kanë shprehur interes që ta përkrahin gjatë vitit 2011, por edhe më tutje”,
bën të ditur Keqa.

Por, ende nuk është e qartë nëse kryesimin e këtij mekanizimi do ta bëjë Kosova vetë, apo së bashku me UNMIK-un.

Në ueb-faqen zyrtare të CEFTA-s, thuhet UNMIK-Kosovo.

Ndërkaq, në një përgjigje përmes postës elektronike, Olivier Salgado, zëdhënës në administratën e UNMIK-ut, nuk e specifikon në mënyrë të qartë se a do të jetë UNMIK-u apo institucionet e Kosovës, kryesuese të CEFTA-s.

“UNMIK-u vazhdon të jetë lehtësues për pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizmat dhe marrëveshjet ndërkombëtare ndër-rajonale, siç është rasti edhe për CEFTA-n, ku UNMIK-u është duke punuar nga afër me autoritetet e Kosovës për të siguruar që kryesimi gjatë 2011-s të jetë i suksesshëm”
, thotë Salgado.

Ai, ndërkaq thotë se përfshirja e UNMIK-ut, si nënshkruese e marrëveshjes së CEFTA-s, shihet si e nevojshme nga anëtarët e tjerë të kësaj marrëveshjeje, kurse institucionet e Kosovës janë duke i zbatuar marrëveshjet me CEFTA-n në terren.

Kosova zyrtarisht është bërë anëtare e Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore në korrik të vitit 2007. Marrëveshja në atë kohë ishte nënshkruar nga shefi i UNMIK-ut.

Kjo amulli rreth përfaqësimit të Kosovës në CEFTA, sipas ekspertëve të ekonomisë, është bërë pikërisht për shkak të vonesës së krijimit të institucioneve të reja, pas zgjedhjeve parlamentare.

Në këtë kuadër, Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest” thotë se është treguar një neglizhencë e përgjithshme e institucioneve kosovare për të rregulluar çështjen bazike të përfaqësimit të CEFTA-s.

“Prandaj, unë them se ne kemi një problem të brendshëm të definojmë qartë se kush është bartës i kësaj marrëveshjeje. UNMIK-u nuk ka kompetenca ligjore për ta përfaqësuar Kosovën në çfarëdo marrëdhënie ndërkombëtare. Kosova i ka institucionet e veta dhe këto institucione janë të njohura botërisht”.


“Prandaj, them se është bërë një neglizhencë e përgjithshme e institucioneve tona për të rregulluar çështjen bazike të përfaqësimit. Meqenëse ne nuk e kemi bërë një gjë të tillë, atëherë UNMIKU- u thirret si nënshkruese dhe si bartës i marrëveshjes”
, shpjegon Abdixhiku.

Por, ajo që ende ka mbetur pezull në këtë proces, është përdorimi i simboleve shtetërore në takimet e sekretariatit të CEFTA-s. Në rast të përdorimit të këtyre simboleve, Beogradi zyrtar është kërcënuar se do të japë, siç kanë thënë, “përgjigje të rreptë”.

Në anën tjetër, marrëveshja e CEFTA-s, pas shpalljes së pavarësisë, nuk respektohet nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina. Këto dy shtete kanë bllokuar qarkullimin e mallrave nga Kosova, për shkak se vulat e UNMIK-ut, janë zëvendësuar me simbolet shtetërore.

Vitin e kaluar, CEFTA ishte kryesuar nga Serbia.

Lexoni edhe këto:

Humbjet nga mosrespektimi i CEFTA-s
Kush kryeson CEFTA-n, Kosova apo UNMIK-u?
XS
SM
MD
LG