Ndërlidhjet

KOSOVA ZYRTARISHT ANËTARE E CEFTA-S


Nadie Ahmeti

Kosova, sot, edhe zyrtarisht është bërë anëtare e Marrëveshjes për Tregti të Lirë e Evropës Qendrore, që njihet me emrin CEFTA, pas më shumë se një vit negociatash midis vendeve të rajonit, që tashmë janë anëtare të kësaj organizate. Me anëtarësimin e Kosovës në CEFTA, Kosova po bën një hap përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian, tha ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli. Përfitimet e Kosovës nga funksionimi i marrëveshjes së CEFTA-s, Dugolli pohon se janë të drejtpërdrejta, duke krijuar hapësirë më të madhe për tërheqjen e investimeve të huaja, si dhe në rritjen e mirëqenies së prodhuesve dhe konsumatorëve. “Marrëveshja e Tregtisë së Lirë, CEFTA, është një ndodhi pozitive, që i ka ndodhur Kosovës. Ky dokument ndërkombëtar, i pari i këtij lloji, e bën Kosovën të barabartë me vendet dhe shtetet tjera të rajonit. Pra, me principe të barabarta merr pjesë edhe Kosova”, ka thënë Dugolli. Ai, ndërkaq, pohoi se në aspektin politik, rezultatet e kësaj marrëveshjeje janë se Kosova është bërë pjesëmarrëse me sovranitet të plotë në këtë iniciativë rajonale dhe nuk ka mbetur vrimë e zezë në Ballkan, peng i zgjidhjes së statusit. Gjithashtu, Dugolli tha se duke u bërë pjesë e CEFTA-s, Kosova është pjesë e mekanizmit të bashkëpunimit rajonal, që promovon stabilitetin politik në rajon. “Kjo marrëveshje është edhe një hap përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Nga viti i kaluar, kur është nënshkruar një pjesë e nënshkrimit, ishte edhe Rumania dhe Bullgaria, e ato vende tash janë në BE. Pra, Kosova e ka bërë një hap drejt integrimit në BE dhe kur ta përgatisë bazën e vet politike e ekonomike, pas kësaj marrëveshjeje, kalon në marrëveshjen evropiane dhe është pjesë e BE-së”, tha Dugolli. Ai shtoi se me anëtarësimin e Kosovës në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë për Evropën Juglindore, do të përfitojë edhe konsumatori kosovar. “Përfitues do të jenë edhe konsumatorët e Kosovës, të cilët do të kenë mundësi, që në një treg më konkurrues, të marrin prodhime, të cilat ata i dëshirojnë; normalisht, prodhimet që i kanë me kualitetet e duhura“, është shprehur Dugolli. Ndryshe, Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se komuniteti i biznesit do të jetë ai që do të përfitojë më së shumti me anëtarësimin e Kosovës në CEFTA. “Me këtë, bizneset po përfitojnë një treg të ri. Bizneset kosovare kanë qenë të hendikepuara nga burokracitë e këtyre vendeve. Dhe, tash, kjo do të hapë një perspektivë për zhvillimin e biznesve të Kosovës, por edhe të atyre kompanive që do t’ia mësyjnë Kosovës, sepse Kosova ka qenë një treg shumë liberal për kompanitë e huaja. Këtë reciprocitet nuk e kanë gëzuar kompanitë kosovare. Andaj, CEFTA e mundëson një gjë të tillë”, ka theksuar Shahini. Ndryshe, CEFTA është një marrëveshje e Tregtisë së Lirë, që përfshin tetë vende të rajonit, Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, Bosnjën e Hercegovinën, Kroacinë dhe Moldavinë. Shefi i administratës ndërkombëtare në Kosovë, Joachim Ruecker, në dhjetor të vitit të kaluar, në Bukuresht, ka nënshkruar marrëveshjen e CEFTA-s, në të cilën është thënë se zbatimi i saj do të fillojë në fillim të muajit maj. Edhe pse zbatimi i marrëveshjes nuk ka filluar deri më sot, integrimi i Kosovës në këtë marrëveshje është vlerësuar si mundësi për të pasur qasje të çliruar nga ngarkesat tatimore, në tregun prej 30 milionë konsumatorësh të vendeve anëtare të CEFTA-s.
XS
SM
MD
LG