Ndërlidhjet

Zgjedhja e kryetarit të KSHZ-së përcillet me polemika


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kuvendi i Maqedonisë ka filluar procedurat për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve pas dorëheqjes së kryetarit të deritashëm, Aleksandar Novakovski. Por, zgjedhja e kryetarit të ri ka shkaktuar polemika të shumta mes partive politike. Opozita, nga radhët e së cilës duhet të jetë kryetari, ka akuzuar pushtetin për shkelje të procedurave, ndërsa partitë në pushtet kanë thënë se refuzimi i opozitës bëhet për të përfituar në kohë nga shpallja e zgjedhjeve të parakohshme.


Pas dorëheqjes së kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Novakovski, Kuvendi i Maqedonisë ka filluar procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri, që, sipas ligjit, duhet të jetë nga radhët e opozitës.

Novakovski dha dorëheqjen për shkaqe personale. Ky ka qenë arsyetimi i dhënë nga ana e tij, por partitë në pushtet janë shprehur të bindur se dorëheqja është dhënë me urdhër të liderit të opozitës, Branko Cërvenkovski, që të përfitojë në kohë lidhur me datën e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme.

Nga LSDM-ja kanë thënë se nuk do të paraqesin kandidat për kryetar, pasi, sipas tyre, pushteti ende nuk i ka përmbushur kushtet për kthimin e opozitës në Kuvend, ndërsa e quajnë antiligjore nismën për zgjedhjen e kryetarit të ri të KSHZ-së.

“Bëhet fjalë për një skenar të dhunshëm politik që edhe një herë konfirmon qëndrimin tonë se ata nuk dëshirojnë zgjedhje të lira dhe demokratike, e lëre më zgjedhje të parakohshme parlamentare”
, ka deklaruar Igor Ivanovski, nga Lidhja Socialdemokrate.

Opozita ka thënë se konsideron që vendimi për fillimin e procedurës për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, është antikushtetues.

Nga partia shqiptare e opozitës, Demokracia e Re, përmes një komunikate kanë shprehur dyshimin për manipulime zgjedhore.

“Fakti që vetëm para disa javësh vlerësimet ishin se në Maqedoni ka thuajse 200 mijë votues janë fiktivë, ndërsa para disa ditëve dolën të dhëna të reja se numri i votuesve fiktivë është vetëm 15 mijë, na detyron të dyshojmë se pushteti përgatit skenar të keqpërdorimit të mundshëm të këtyre votuesve fiktivë”,
thuhet në reagimin e Demokracisë së Re.

Por, pretendimet e këtilla janë hedhur poshtë nga VMRO-DPMNE-ja, e cila ka ftuar LSDM-në që të kthehet në institucione, t’i respektojë procedurat për zgjedhjen e kryetarit dhe të vazhdohet me dinamikën e përgatitjes së vendit për zgjedhje të parakohshme.

“Vlerësojmë se në asnjë moment nuk shkelet ligji pasi në të qartë parashihet se në rast të çfarëdo qoftë arsyeje jep dorëheqje kryetari, apo ndonjë nga anëtarët e tjerë, atëherë duhet të veprohet për zëvendësimin e tij. Në këtë rast, opozita ka të drejtën e propozimit të kryetarit të ri, ndërsa shumica parlamentare këtë do ta mbështesë”, ka thënë Zoran Petreski nga VMRO-DPMNE.

Por, çfarë parashohin procedurat ligjore nëse opozita nuk propozon kandidat për kryetar? Zëvendëskryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi, ka sqaruar:

“Nëse opozita nuk propozon kandidat të mundshëm për kryetar nga lista, të cilët kanë konkurruar, atëherë Komisioni për emërime i propozon Kuvendit njërin nga konkurrentët e listës dhe për të cilin mendon se i plotëson kushtet dhe Kuvendi, me dy të tretat e votave duhet të miratojë kryetarin e ri të KSHZ-së”.


I pyetur nëse dorëheqja e kryetarit ka shkaktuar ngecje në punën e Komisionit, zoti Jakupi ka thënë se përveç ndonjë efekti të mundshëm psikologjik, nuk vërehet ndonjë pengesë në punën e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
XS
SM
MD
LG