Ndërlidhjet

Opozita nuk kthehet në Kuvend


Parlamenti i Maqedonisë
Parlamenti i Maqedonisë
Lidhja Socialdemokrate e opozitës do të kthehet në Kuvendin e Maqedonisë vetëm nëse plotësohen kushtet e vendosura më parë, por edhe partitë në pushtet janë të vendosura që të shkojnë në zgjedhje, edhe nëse ato bojkotohen nga opozita. Qëndrimet e këtilla janë përsëritur nga dy taborët politikë edhe pas dështimit të së hënës të mbledhjes së grupeve parlamentare.


Opozita ka bojkotuar mbledhjen koordinuese të së hënës të grupeve parlamentare, në të cilën duhej të debatohej për kërkesat e saj lidhur me ngecjen e dialogut politik, fillimin e procedurës për zgjedhjen kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe afatet kohore për miratimin e ligjeve tjera që do t’i hapnin rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Përfaqësues të Lidhjes Socialdemokrate kanë thënë se nuk do të kthehen në Kuvend, derisa të plotësohen të gjitha parakushtet dhe kushtet e vendosura.

“Nuk janë plotësuar kushtet tona, madje, as që ka ndonjë përpjekje për zgjidhjen e tyre, kështu që ne nuk kthehemi në Kuvend ”
, ka deklaruar Jani Makraduli.

Ai ka theksuar se kërkesa kryesore që do t’i hapte rrugën hapjes së debatit për çështje tjera, mbetet zhbllokimi i xhirollogarive të televizionit A1 dhe të disa mediave tjera që janë bllokuar për shkak të dyshimeve për afera korruptive. Por, nga opozita kanë thënë se hapi i tillë është ndërmarrë nga pushteti për shkak të politikave të tyre redaktuese.

Edhe opozita shqiptare ka bojkotuar seancën koordinuese. Demokracia e Re, si kusht për kthimin në Kuvend, ka vënë shtyrjen e afatit të regjistrimit të popullsisë, si dhe aplikimin e Parimit të Badenterit në sistemin gjyqësor, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese.

Por, kushtëzimet e vendosura janë kritikuar nga kryetari i Kuvendit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanovski.

“Për mua është e pakuptimtë, që ata të cilët tërë kohën kërkonin zgjedhje të parakohshme dhe kushtimisht e pengonin punën e rregullt të Kuvendit, tani të mos vijnë në koordinim për të diskutuar kërkesat e tyre për zgjedhje të parakohshme”.

“Në çdo pyetje dhe pikë të rendit të ditës kërkonin zgjedhje të parakohshme. Tani, kur ka mundësi të debatojmë, ata me çdo kusht kërkojnë mënyra apo gjejnë arsye që të mos marrin pjesë dhe të mos shpallen zgjedhjet”,
ka thënë kryeparlamentari Veljanovski.

Ai i ka dhënë afat opozitës që deri në fund të javës të propozojë një kandidat për kryetar të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve që të mund të fillojë procedura për emërimin e tij, pas dorëheqjes së kryetarit të deritashëm, Aleksandar Novakovski, që shkaktoi polemika të shumta mes partive politike.

Në të kundërtën, pushteti ka paralajmëruar se do t’i respektojë procedurat për zgjedhjen e kryetarit edhe pa praninë e opozitës.

Ndërkohë, për dallim nga opozita maqedonase, ajo shqiptare, ka thënë se do ta mbështesë kërkesën për zgjedhje të parakohshme pavarësisht mospërmbushjes së kërkesave tjera që ka vendosur si kusht për kthimin në Kuvend.

“Konsiderojmë se vetëm ato janë të duhura që në këtë moment Maqedonia të dalë nga kjo krizë parlamentare dhe politike, sepse gjatë tërë kohës kemi bllokim të procesit euroatlantik, gjithashtu kemi krijim të politikave të gabueshme dhe antishqiptare”
, ka theksuar nënkryetarja e Demokracisë së Re, Flora Kadriu.

Zgjedhjet e parakohshme mbështeten edhe nga të gjitha partitë tjera politike, ndërsa kryeministri, Nikolla Gruevski, ditë më parë deklaroi se zgjedhjet do të mbahen me ose pa opozitën.

Kjo deklaratë e Gruevskit ka ardhur pasi LSDM-ja, siç është shprehur ai, është ajo që tashmë një kohë të gjatë po e mban peng vendin me kërkesat për zgjedhje dhe tani kur pushteti është i gatshëm për to, ajo vendos parakushte dhe kushte nga më të ndryshmet që, sipas Gruevskit, janë shprehjes e frikës së LSDM-së për humbjen e tyre nëse ato do të mbaheshin.
XS
SM
MD
LG