Ndërlidhjet

Bojkoti i opozitës thellon krizën


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë
Analistët në Maqedoni nuk presin zhbllokim të krizës politike, përkundër paralajmërimit të një takimi mes kryeministrit Nikolla Gruevski dhe liderit të opozitës, Branko Cërvenkovski, për t’u marrë vesh për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Alajdin Demiri thotë se partia maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, nuk do të heqë dorë nga zgjedhjet, pasi është e bindur në fitore. Ndërsa opozita, sipas tij, përmes kushtëzimeve, do të tentojë që zgjedhjet të dështojnë.

"Zhbllokim të situatës nuk do të ketë, për arsye se Gruevski do të shkojë fuqimisht në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet t'i mbajë në maj ose në fillim të qershorit”.

“Mirëpo, mendoj se Cërvenkovski ose opozita në tërësi do të luajnë edhe një herë në metodat e bllokimit ose të blerjes së kohës, për arsye se Gruevski tash është i bindur se do të fitojë, ndërsa Cërvenkovski luan një lojë të ndytë. Kur i ofrohen zgjedhjet, dëshiron të tërhiqet. Me siguri ka indikacione se do të humbë",
thotë Demiri.

Lideri i opozitës, Cërvenkovski, ditë më parë, tha se kriza mund të kapërcehet edhe përmes një takimi të liderëve të partive politike, në të cilin, sipas tij, partitë duhet të merren vesh për të gjitha çështjet kontestese.

Sa u përket takimeve të tilla të liderëve politikë, analisti Vlladimir Misev është pesimist në arritjen e ndonjë zgjidhjeje të mundshme.

“Më vjen keq, por takimet e liderëve të partive politike nuk funksionojnë. Mendoj se dialogu kryesor politik duhet të zhvillohet në Kuvendin e Maqedonisë. Kjo nuk do të thotë të mos mbahen edhe takime liderësh, por me rëndësi do të ishte që takimet e tilla të përfundojnë me ndonjë konkluzion, e jo si deri më tani, vetëm për prezantimin e qëndrimeve, pa arritur qoftë edhe një zgjidhje”, thotë Misev.

Si rrjedhojë e gjithë kësaj, analistët nuk përjashtojnë mundësinë e thellimit të krizës politike, në veçanti nëse realizohen paralajmërimet për mbajtjen e zgjedhjeve pa praninë e opozitës.

Ndërsa, sa i përket bllokut politik shqiptar, analisti Alajdin Demiri thotë se partitë shqiptare janë humbëse në një situatë të tillë.

Sipas tij, në rast të bojkotit të opozitës maqedonase, zgjedhjet do të bojkotohen edhe nga opozita shqiptare. Por, në rast të mbajtjes së tyre, përparësi do të ketë Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili, siç shprehet Demiri, ka dëshmuar se pëlqehet nga dy blloqet politike maqedonase.

"BDI-ja ka një përparësi që të fitojë në bllokun maqedonas. Ajo ka krijuar pozitë të atillë që ka qasje edhe te VMNRO-DPMNE, edhe te LSDM, për arsye të rolit që luan si kooperuesi më i mirë për politikën maqedonase në Maqedoni", thotë Demiri.

Kuvendi i Maqedonisë, në seancën e 15 marsit, pritet të votojë kryetarin e Komisionit Shtetëor të Zgjedhjeve, si dhe ligjet tjera që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.

Kandidat për kryetar është Boris Kondarko, që është propozuar nga Lidhja Social-Demokrate. Kjo e fundit ka thënë se, përkundër paraqitjes së kandidaturës, nuk do të marrë pjesë në zgjedhjen e tij, nëse pushteti nuk plotëson parakushtin e parashtruar për khtimin e saj në Kuvend.
XS
SM
MD
LG