Ndërlidhjet

Pritjet nga takimi Gruevski-Cërvenkovski


 Branko Cërvenkovski (majtas) dhe Nikola Gruevski (Foto nga arkivi)
Branko Cërvenkovski (majtas) dhe Nikola Gruevski (Foto nga arkivi)
Partitë maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM, shprehen me tone optimizmi rreth takimit të së martës mes liderëve Gruevski dhe Cërvenkovski, me kusht që takimi të jetë i sinqertë dhe pa taktizime. Ky takim, ndërkohë, përveç nga BDI-ja, nuk shihet me interes nga dy partitë shqiptare në opozitë, të cilat kanë dallime në qëndrime sa i përket dialogut të mundshëm me BDI-në në pushtet.


Takimi i së martës mes kryeministrit Nikolla Gruevski dhe liderit të opozitës, Branko Cërvenkovski shihet me tone optimiste nga përfaqësuesit e partive që drejtojnë, VMRO-DPMNE dhe LSDM.

Takimi synon zhbllokimin e dialogut politik dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Opozita kërkon garanci për zgjedhje të lira dhe demokratike, miratimin me konsensus të Kodit Zgjedhor sikurse dhe zgjedhjen e kryetarit të KSHZ-së dhe pastrimin e listave zgjedhore.

LSDM-ja, për hir të, siç ka thënë, procesit, ka hequr dorë nga kushti kryesor, zhbllokimi i llogarisë bankare të Televizionit A1 dhe tri gazetave që nga pushteti llogariten opozitare.

“Shpresoj se pas këtij takimi do të gjendet një gjuhë e përbashkët që opozita t’u japë fund ultimatumeve nga rruga dhe të kthehet në Kuvend, që përmes dialogut politik, t’i zgjidhim të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet”
, deklaron Silvana Boneva, nga VMRO-DPMNE.

Ndërsa, Zoran Zaev, nga LSDM-ja, thotë:

“Sinqerisht, besoj se vetëm me bisedime të vërteta nga ana pushtetit, pasi ne jemi të sinqertë në këtë drejtim, besoj se do të arrijmë të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike. Pra, shpresoj që përmes bisedimeve të tilla do të plotësohen kushtet tona që as më pak, e as më shumë, nënkupton krijimin e kushteve për zgjedhje korrekte
”.

Përveç për Bashkimin Demokratik për Integrim, për asnjërën nga partitë tjera shqiptare takimi Gruevski-Cërvenkovski, nuk shihet me interes të veçantë.

“Ne kemi thënë qysh në fillim se pa krijuar një atmosferë konsensuale, pra konsensus mes partive, nuk është e mundur që të shkohet në zgjedhje. Takimi është i mirëpritur dhe ne e përshëndesim si të tillë”,
thekson Ermira Mehmeti nga BDI-ja.

Ndërkohë, partia opozitare Demokracia e Re, thotë se me rëndësi të veçantë për situatën e krijuar është që të ketë edhe takim mes liderëve shqiptarë, derisa takim të tillë mbajnë liderët maqedonas.

“Është e pakuptueshme që partitë shqiptare të mos ulen dhe të bisedojnë për procesin zgjedhor ashtu siç na konvenon, në një frymë demokratike dhe transparente”
, thotë kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selamni.

Por, një takim i tillë kundërshtohet nga kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, duke fajësuar për situatën e krijuar, Bashkimin Demokratik për Integrim dhe kryetarin e saj, Ali Ahmeti:

“S’ka dialog brenda shqiptarëve derisa Ali Ahmeti të jetë në prehrin e Gruevskit. Ai anashkalon PDSH-në pasi e di se PDSH-ja vendos kërkesa të forta kombëtare ”.


Por, BDI-ja prononcimet e tilla i konsideron fyese dhe tentim të kreut të PDSH-së për të fshehur dëmin që u ka shkaktuar shqiptarëve.

“Nuk dua t’i komentoj deklaratat e atyre që për të ndenjur, gjegjësisht për të arritur në prehrin e Gruevskit, në vitin 2006, mbushnin kutitë pikërisht në njësinë e gjashtë zgjedhore, për të siguruar jo më shumë deputetë shqiptarë, por për të siguruar më shumë deputetë maqedonas, gjegjësisht, deputetë për VMR-DPMNE-në”
, shton Ermira Mehmeti.

Ndërsa, sa i përket kërkesës së Imer Selmanit, Mehmeti thotë se BDI-ja ka qenë dhe mbetet gjithmonë e gatshme për të dialoguar me të gjitha subjektet e interesuara për çështjet që kanë të bëjnë me interesin shqiptar.
XS
SM
MD
LG