Ndërlidhjet

Përfitimet politike në GJND


Delegacioni i Maqedonisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë
Delegacioni i Maqedonisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë
Ekspertët juridikë vlerësojnë se ngritja e padisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ndaj Greqisë, nuk do të ketë efekte juridike, pavarësisht vendimit që do të marrë GJND-ja, pos aspektit politik, veçanërisht nëse merret vendim pozitiv për Maqedoninë.

Me këtë padi në GJND, Maqedonia akuzon fqinjin e saj jugor se ka penguar integrimin euro-atlantik duke shkelur Marrëveshjen e Përkohshme bilaterale të vitit 1995, konkretisht ka penguar pranimin e Maqedonisë në NATO në Samitin e Bukureshtit.

“Ai vendim do të vlerësohet si rrethanë pozitive, politikisht lehtësuese për negociatat e mëtutjeshme që Evropa dhe strukturat evropiane, të cilat duhet të vendosin për anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat Euro-atlantike, mund të merret si rrethanë që do të reflektojë pozitivisht për fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE”,
thotë Osman Kadriu, ekspert për çështje juridike.

Ndërkohë, ish-diplomati Denko Malevski vlerëson se ky proces nuk do të ndryshojë ndonjë gjë të rëndësishme që do të çonte kah zgjidhja e kontestit ndërmjet dy vendeve fqinje, Maqedonisë dhe Greqisë.
Vetë kontesti në vend, për fat të keq trajtohet si çështje e fitores apo humbjes.


“Vetë kontesti në vend, për fat të keq trajtohet si çështje e fitores apo humbjes. Unë mendoj se do të ishte më mirë nëse ne e shohim tërë këtë proces nga ku do të nxjerrim mësime, pra duke analizuar qëndrimet e njërës palë dhe tjetrës, mësojmë çka në fakt e lëndon njërën palë, përkatësisht tjetrën. Kjo ndoshta mund të na ndihmojë gjatë diskutimeve në të ardhmen, gjatë zhvillimit të negociatave për të zgjidhur kontestin që zgjat mes dy vendeve tashmë dy dekada të plota dhe pengon procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE”,
vlerëson Malevski, ish-ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë.

Ndërkohë, eksperti Kadriu konsideron se padia e Maqedonisë në GJND, ndaj Greqisë, më shumë do të konsumohet në politikën e brendshme të vendit.
Mendoj se kjo padi u bë me qëllim që të arsyetohet pushteti aktual para elektoratit...


“Mendoj se kjo padi u bë me qëllim që të arsyetohet pushteti aktual para elektoratit, para qytetarëve e kombit maqedonas, që ja, ne si staf udhëheqës i Maqedonisë me këmbëngulje kërkojmë që integrimin e vendit dhe njëherësh të konstatohet shkelja flagrante e Marrëveshjes së Përkohshme nga ana e Greqisë”, thekson Osmani.

Ndryshe, ministri i Punëve të Jashtme dhe përfaqësues i Maqedonisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Antonio Milloshoski, shpreh qëndrimin se rasti është i thjeshtë dhe i qartë dhe se marrëveshjet duhet të respektohen.

"Pala e paditur kundërshtoi anëtarësimin tonë në NATO duke u mbështetur në arsye, të cilat nuk janë të lejuara sipas Marrëveshjes së Përkohshme. Pala e paditur përpiqet që rastin ta bëjë kompleks, duke paraqitur një seri pohimesh jorelevante apo të pasakta, si dhe pohime të reja juridike dhe faktike, të cilat nuk ishin inicuar para prillit të vitit 2008. Argumentet e palës së paditur, si duket, kanë për qëllim të fshehin shkelje eksplicite të një obligimi eksplicit, i cili del nga Marrëveshja e Përkohshme", deklaron Milloshoski.

Ai potencon se kjo është paraqitja e parë e Maqedonisë si klient në Gjyqin e Hagës, dhe se me padinë kërkohet nga Greqia t'u përmbahet obligimeve kyçe nga marrëveshja kohore, gjegjësisht neni 11, sipas të cilit kjo nuk do ta pengojë anëtarësimin e shtetit në organizata ndërkombëtare, nën referencën e përkohshme, në të cilat ajo është anëtare.

Pas prezantimit dyditësh të argumenteve të Maqedonisë, pala greke kundër-argumentet e saj do t'i elaborojë më 24 dhe 25 mars.
XS
SM
MD
LG