Ndërlidhjet

Pacolli: Vetëm me letërnjoftime


Presidenti i Republikës së Kosovës, Behxhet Pacolli, dhe homologu i tij maqedonas, Gjorgje Ivanov.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Behxhet Pacolli, dhe homologu i tij maqedonas, Gjorgje Ivanov.
Presidentit e Kosovës, Behxhet Pacolli, u prit me nderime të larta nga homologu i tij maqedonas, presidenti Gjorgji Ivanov, gjatë vizitës zyrtare dyditore në Shkup.

“Mes dy vendeve fqinje, Maqedonisë dhe Kosovës, nuk ka çështje të hapura. Duke shfrytëzuar këtë avantazh, vendet duhet të intensifikojnë bashkëpunimin në sferën ekonomike dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve”, tha presidenti i Republikës së Kosovës, Behxhet Pacolli, në konferencën me nikoqirin e tij, presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Pacolli në Shkup theksoi se Kosova pret mbështetjen e Maqedonisë në rrugën e saj euroatlantike.

“Ne kemi filluar mbarë, mes nesh nuk ka asnjë çështje të hapur, kemi lidhur marrëdhënie diplomatike në kohë të duhur. Tani do të fillojmë të bashkëpunojmë për të ardhmen tonë të përbashkët. Ne tani duhet t’i implementojmë të gjitha marrëveshjet që kemi nënshkruar”.

“Maqedonia ka bërë një hap të madh në sferën e integrimeve, Kosova është rrugë të mbarë që të inkuadrohet në rrugën evropiane. Ne presim mbështetje nga ana e Maqedonisë”,
shtoi Pacolli.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behxhet Pacolli, u prit me nderime nga homologu i tij maqedonas, Gjorgje Ivanov. Shkup, 23 mars 2011.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve rreth lëvizjes së lirë të qytetarëve, respektivisht mundësinë që qytetarët e të dyja vendeve ta kalojnë kufirin vetëm me letërnjoftime, presidenti Pacolli shpreh gatishmërinë e shtetit të Kosovës për qarkullim të lirë të qytetarëve të të dyja vendeve.

“Është një prej pikave, që unë konsideroj se do të ndodhin. Në këtë takim kërkova ndihmën e presidentit Ivanov, që edhe në mes Kosovës dhe Maqedonisë të ketë lëvizje të lirë, normalisht me më pak formalitete, respektivisht vetëm me letërnjoftime - e gjithë kjo, në funksion të lehtësimit të qytetarëve të të dyja vendeve”, deklaroi Pacolli.

Duke u përgjigjur po në këtë çështje, pra rreth lëvizjes së qytetarëve vetëm me karta identiteti, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, u shpreh më i përmbajtur, me arsyetimin se kjo çështje u mbetet ta zgjidhin qeverive të të dy vendeve.

Ivanov theksoi nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit në më shumë sfera mes dy vendeve, veçanërisht në synimin e përbashkët për t’u integruar në strukturat euroatlantike.

“Ky takim është një sinjal i qartë për bashkëpunimin e mëtejmë, i cili duhet të pasojë ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës. Me presidentin Pacolli, kishim një takim shumë të frytshëm, në të cilin biseduam për nxitjen e marrëdhënieve tona dypalëshe, si dhe për bashkëpunimin mes vendeve të rajonit”.

“Maqedonia mbështet anëtarësimin e të gjitha shteteve fqinje në strukturat euroatlantike. Maqedonia dëshiron që edhe Kosova sa më shpejtë të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane”,
deklaroi presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Gjatë vizitës dyditëshe presidenti Pacolli të enjten do të qëndrojë në Tetovë, ku do të takohet me krerët e partive shqiptare, si dhe do të vizitojë disa kompani të rëndësishme biznesi në këtë rajon.
XS
SM
MD
LG