Ndërlidhjet

Pacolli kërkon kapërcim barrierash ekonomike


Presidenti Behxhet Pacolli
Presidenti Behxhet Pacolli
“Maqedonia dhe Kosova duhet të angazhohen me seriozitet për kapërcimin e të gjitha barrierave në bashkëpunimin ekonomik”, theksoi presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli, në forumin e biznesit Maqedoni-Kosovë, që mbahet në Shkup.

Presidenti Pacolli, para biznesmenëve maqedonas dhe atyre kosovarë, tha se “tregu më i mirë është tregu, i cili është më afër”. Andaj, sipas tij, bashkëpunimi mes dy vendeve është i domosdoshëm, duke pasur parasysh “kapacitetin e ulët tregtar brenda këtyre shteteve”.

Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Fatmir Besimi, vlerësoi se Kosova është shumë e rëndësishme për shtetin maqedonas, andaj dhe “qeveria e vendit ka intensifikuar një varg aktivitetesh për ta lehtësuar bashkëpunimin mes dy vendeve fqinje, përfshirë këtu përmirësimin e infrastrukturës dhe ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë”.

Forumi i sotëm, i organizuar mes biznesmenëve të Kosovës dhe Maqedonisë, është në kuadër të vizitës zyrtare të presidentit kosovar, Behxhet Pacolli. Rëndësia e këtij takimi është që bashkëpunimi i deritanishëm, i shkëlqyer në politikë, të jetë i qëndrueshëm, me një përcjellje adekuate edhe në fushën e ekonomisë”, tha Besimi.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se Kosova ka eliminuar barrierat që kanë të bëjnë me importin. Sipas tij, një gjë të tillë s’e ka bërë ende Maqedonia kundrejt biznesit kosovar. Ai me këtë rast apostrofoi debalancën e këmbimit tregtrar mes dy vendeve.

“Vetë fakti se ne kemi mbi 400 milionë euro import të produkteve nga Maqedonia, kurse si Kosovë kemi eksport mbi 20 milionë euro në Maqedoni, tregon se diçka nuk është në regull. Kjo tregon se dy vendet kanë nevojë të ulen dhe të bisedojnë se cilat janë pengesat që pamundësojnë depërtimin e produkteve kosovare në tregun e Maqedonisë”, tha Shahini.

Një nga barrierat është burokracia kufitare, mospranimi i certifikatave sa i përket origjinës, të cilat tanimë janë regulluar me marrëveshjen CEFTA. Ka dhe shumë gjëra të tjera, të cilat më shumë janë joformale, jotarifore sesa tarifore, sepse infrastruktura e të dyja vendeve është duke avancuar të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian”, u shpreh Shahini.

Menderes Kuçi, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, u shpreh optimist për tejkalimin e problemeve në sferen ekonomike.

“Besoj se ekzekutivi në Maqedoni ka dëgjuar me vëmendje problemet që ka vënë në spikamë presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli, në mënyrë që të marrë sa më shpejt masa për çlirimin e ngërçit që paraqitet në sferën e qarkullimit të lirë të mallrave dhe njerëzve”, deklaroi Kuçi.

Nga ana tjetër, edhe elita maqedonse ka shprehur nevojën emergjente për tejkalimin e problemeve burokratike në qarkullimin e mallrave gjatë doganimit.

“Me Kosovën, afërsia gjeografike ka bërë që bashkëpunimi ynë të jetë i suksesshëm, por si problem paraqiten pritjet e gjata gjatë doganimit në pikat kufitare. Andaj, në këtë drejtim, të dyja vendet duhet të angazhohen më seriozisht”, theksoi Safka Todorova nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.

Presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli, gjatë ditës së dytë në Maqedoni do të qëndrojë në Tetovë, ku do të pritet nga kryetari i kësaj komune, Sadi Bexheti. Në kuadër të qëndrimit në Tetovë, presidenti kosovar do të vizitojë edhe kompaninë “Ecolog”, duke realizuar takim me pronarin e saj, Lazim Destani.
XS
SM
MD
LG