Ndërlidhjet

Politizimi i medias


Shkup - foto arkiv
Shkup - foto arkiv
Maqedonia ka shënuar rënie të re prej dy vendeve sa i përket lirisë së shtypit, tregon raporti i fundit i organizatës ndërkombëtare Freedom House, duke u radhitur kështu në vendin e 96-të, për dallim prej raportit të kaluar kur ka qenë në vendin e 94-të.

Komunikologu maqedonas, Krime Babunski, duke komentuar rënien konstante në Maqedoni sa i përket lirisë së mediave ose nivelit të demokracisë, vlerëson se faji qëndron po aq sa te presioni i politikë-bërësve, edhe te profesionalizmi i gazetarëve.

“Për fat të keq, gjithnjë e më vështirë mund të binden gazetarët që bashkërisht të ngrenë zërin kundër politizimit të profesionit të tyre dhe t`i thonë mjaft presionit nga ana e politikë-bërësve”, thotë Babunski.

Lirim Dullovi, botues i së përditshmes KOHA, pranon se raporti i Freeedom House pasqyron realisht gjendjen e mediave në Maqedoni, duke nënvizuar se gjithnjë e më shumë po thellohet hendeku mes mediave në aspektin etnik dhe atë politik.

“Që moti në Maqedoni ka humbur kufiri mes gazetarisë dhe politikës, e veçanërisht viteve të fundit. Shumë herë është bërë gazetari në emër të politikës dhe, anasjelltas, politikë në emër të gazetarisë”.

“Së fundmi, veprimi i disa kolegëve tanë gazetarë, të cilët u futën në listat e partive politike si kandidatë të mundshëm për deputetë, në njëfarë mënyre, është për t’u përshëndetur, ngase përfundimisht ata do të bëjnë politikë në emër të politikës dhe jo gazetarisë, siç ka qenë realitet”,
shprehet Dullovi.

Sipas tij, mediave në Maqedoni u duhet një reformim më i gjerë, duke filluar nga financimi i tyre, qartësimi i pozicionit të pronarëve që i drejtojnë ato deri te definimi i qartë i pozicionit të gazetarëve.

Nga ana tjetër, Nazim Rashiti, gazetar, thotë se shtrohen dilema serioze në profesionalizmin e mediave në Maqedoni.

“Të gjithë këta gazetarë, të cilët kanë vendosur të marrin pjesë aktive në politikë, më saktë janë futur në garën për t’u zgjedhur deputetë, i kanë vënë në një pozitë shumë të vështirë sidomos kolegët e redaksive nga ata kanë dalë, e më pas profesionin e gazetarisë”.

“Realisht, besoj se do të ishe më mirë që të gjithë këta gazetarë, disa muaj më parë, të ishin shkëputur nga profesioni, duke ia shprehur qartë opinionit qëndrimet e tyre përse kanë ndërmend të hyjnë në politikë”,
thotë Rashiti.

Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit është një rast i mirë për të analizuar qartë pozitën e mediave në vend, thekson drejtoresha e Institutit Maqedonas për Media, Bilana Petkovska.

Politika plotësisht ka hyrë jo vetëm në biznesin e mediave, por brenda vetë gazetarëve. Si rezultat i kësaj, është vështirë të shpresohet krijimi i një fronti të përbashkët, i cili do ta luftonte këtë paralizim të plotë të shprehjes së lirë”, konkludon ajo.
XS
SM
MD
LG