Ndërlidhjet

Bisedimet vazhdojnë


Foto arkiv
Foto arkiv
Kuvendi i Kosovës nuk i ka dhënë mbështetje kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për ndërprerjen e bisedimeve të filluara me Serbinë. Pozita dhe opozita kanë zhvilluar sot një debat tejet të ashpër në lidhje me këtë dialog. Përplasja e pikëpamjeve rreth bisedimeve ka pasuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka ftuar në interpelancë kryeministrin Hashim Thaçi.


Dialogu me Serbinë sërish ka përplasur pikëpamjet politike të pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës.

Me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri Hashim Thaçi raportoi për bisedimet me Serbinë, përderisa ai u kundërshtua në vazhdimësi nga opozita, e cila kërkoi ndërprerjen e dialogut.

Në emër të Vetëvendosjes, lideri i saj, Albin Kurti, tha se bisedimet po i duhen vetëm Serbisë që ta fitojë statusin e kandidatit për integrim në Bashkimin Evropian.

Kurse Kosova, sipas tij, nuk përfiton asgjë, pos ndonjë kopjeje të dokumenteve të plaçkitura nga Serbia, siç ishte oferta e palës serbe për regjistrin civil.

Kurti tha se pas Pakos së Ahtisarit, e tani edhe me këto bisedime, Kosova po bosnizohet dhe se në fund çdo gjë do të marrë vulën shqiptare dhe serbe, duke fuqizuar rolin e shtetit të Serbisë në Kosovë.

“Në dialogun në Bruksel po bisedohet që ndarja të vazhdohet edhe me ndërmarrjet dhe shërbimet publike. Gjithçka në Kosovë do ta ketë anën e vet shqiptare dhe anën e vet serbe me këto bisedime, ashtu sikurse në Bosnje ku gjithçka e ka ose vulën boshnjako-kroate ose vulën serbe - ani pse thuhet që Bosnja është një shtet”.

“Përderisa shteti i Kosovës e ka pavarësinë më shumë në emër sesa në substancë, me këto bisedime po sajohet shteti i Serbisë brenda shtetit të Kosovës, që do të jetë më shumë i tillë - më shumë në substancë sesa në emër”,
tha Kurti.

Sipas Albin Kurtit, diskutimi i çështjeve të brendshme të Kosovës me Serbinë, tash pas shpalljes së pavarësisë, e cenon shtetin e Kosovës.

Duke iu përgjigjur liderit të Vetëvendosjes, kryeministri Hashim Thaçi tha se nuk ka iluzione që Serbia ka lëvizur nga politika e saj në raport me Kosovën, por, sipas tij, dialogu në këtë rast duhet të shihet edhe si obligim ndërkombëtar.

Thaçi tha se Kosova ka hyrë në dialog, por i ka edhe vijat e kuqe, jashtë të cilave nuk mund të dilet gjatë bisedimeve dhe marrëveshjeve eventuale. Këto marrëveshje eventuale do të ratifikohen në Kuvend, tha Thaçi.

“Parimet e panegociueshme apo vijat e kuqe janë: statusi i Kosovës është zgjidhur njëherë e përgjithmonë; Kosova është shtet i pavarur dhe sovran; pavarësia është e panegociueshme; Kosova është shtet i pavarur me integritet territorial të paprekshëm, të njohur ndërkombëtarisht; sovraniteti dhe integriteti territorial është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm, ndërsa mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj”, u shpreh Thaçi.
A e njeh Qeveria e Kosovës Republikën e Serbisë? Kjo pyetje është shumë e rëndësishme, sepse kushtëzon shumëçka sa u përket këtyre bisedimeve dhe jo vetëm atyre.

Kurti kërkoi nga Thaçi të sqarojë para Kuvendit se a e njeh Qeveria e Kosovës Republikën e Serbisë apo jo.

“A e njeh Qeveria e Kosovës Republikën e Serbisë? Kjo pyetje është shumë e rëndësishme, sepse kushtëzon shumëçka sa u përket këtyre bisedimeve dhe jo vetëm atyre. Ne natyrisht mendojmë se Republika e Kosovës nuk duhet ta njohë Republikën e Serbisë, sepse kështu mund ta iniciojmë reciprocitetin e shumëkërkuar”, tha Kurti.

Lidhur me njohjet Kosovë - Serbi, kryeministri Thaçi shprehu gatishmërinë që Kosova ta njohë Serbinë në momentin që edhe Serbia të jetë e gatshme ta njohë Kosovën.

Ligjvënësit kosovarë
”Kosova është e gatshme për njohje reciproke - pra Kosova ta njohë Serbinë dhe Serbia ta njohë Kosovën si shtet”,
u përgjigj Thaçi.

Gjatë debatit parlamentar, dialogut i kanë dhënë mbështetje partitë e koalicionit dhe pakicat. Ndërkaq opozita ka kritikuar gjithë procesin.

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerësoi se bisedimet Kosovë - Serbi nuk mund të sjellin rezultate. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se bisedimet po zhvillohen pa asnjë platformë, kurse pala serbe po prezanton pikëpamje të rrezikshme, siç është ndarja e Kosovës.

“Serbia vazhdon ta cenojë integritetin e vendit tonë, prej ushtrimit faktik të pushtetit lokal në disa komuna të Kosovës, pastaj shtypja e tabelave dhe qarkullimi i lirshëm i automjeteve me targa serbe në territorin e Kosovës - pa asnjë pengesë, veprimtaria e mëtejme ilegale e rrjetit të telekomunikacionit, sistemet ilegale shëndetësore, arsimore, cenimi i vazhdueshëm i sigurisë së qytetarëve serbë nga ekstremistët serbë, veçmas në komunat me shumicë serbe”, deklaroi Beqiri.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se këto bisedime janë një paradoks. Serbia e di se çfarë po kërkon nga Kosova, por Kosova nuk e di se çfarë po kërkon nga Serbia në këtë dialog, tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini.

Ai tha se vazhdimi i bisedimeve me Serbinë në kohën kur ky vend vazhdon me akuzat ndaj Kosovës dhe udhëheqësve të saj, duke i prezantuar ata si përgjegjës për krime dhe trafik organesh, është i pakuptimtë.

“Serbia, me të cilën ne bisedojmë, ka lëshuar fletarrestim për kryeministrin. Ajo Serbi na ka bërë bllokadë ekonomike, ajo Serbi nuk po na lejon të udhëtojmë me tabela të Kosovës atje. Kudo që po shkon në botë, po thotë se ne jemi kriminelë, që trafikojmë organe, që ne e kemi krimin e organizuar më të madhin në botë, e të tjera”.

“Këto Serbia po i thotë, ndërsa zonja Edita Tahiri, me syze të diellit, piktoreske, kur kthehet prej Brukselit, thotë se kemi pasur një bisedim shumë substancial dhe thotë se fryma konstruktive po mbizotëron në bisedime. Ky është paradoks”,
theksoi Gjini.

Me anë të këtij mocioni, Vetëvendosja kërkoi që bisedimet të ndërpriten. Por, votimi në Kuvend solli si rezultat 56 vota për vazhdimin e bisedimeve, 21 për ndërprerjen dhe 5 abstenime. Dy kërkesa të tjera të Vetëvendosjes u miratuan.

E para kërkon nga Qeveria të shtrijë autoritetin e vet në gjithë territorin, sidomos në veri, ndërsa tjetra i bën thirrje ekzekutivit që ta informojë Kuvendin për bisedimet me Serbinë çdo tre muaj.

Lexoni edhe këtë:
Bisedime me vija të kuqe
XS
SM
MD
LG