Ndërlidhjet

Rusi: Ultranacionalisti u dënua me burg të përjetshëm


Ultranacionalisti rus, Nikita Tikhonov, 31 vjeçar, është dënuar sot me burg të përjetshëm për vrasjen e avokatit për të drejtat e njeriut, Stanislav Markelov, dhe të gazetares, Anastasia Buburova, në vitin 2009.

Vendimin për dënim e mori një gjykatë e qytetit të Moskës.

Dashnorja e Tikhonovit, 26 vjeçarja Yevgenia Khasis, u dënua me 18 vjet burgim për ndihmë në sulmin në janar të vitit 2009.

Prokurorët thanë se Tikhonov dhe Khasis ishin të lidhur me një grup ultranacionalist jashtëligjor.

Ata të dy thanë se nuk ndjehen fajtorë për vrasjet.

Stanislav Markelov dhe Anastasia Baburova ishin vrarë në mesditë në Moskë, derisa ata po largheshin nga një konferencë për shtyp për në metron e qytetit.

Markelov ishte avokat, që kishte armiq në mesin e nacionalistëve, për shkak të punës së tij me viktimat e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Çeçeni.

Anastasia Baburova ishte gazetare në të përditshmen liberale “Novaja Gazeta”.
XS
SM
MD
LG