Ndërlidhjet

AI:Ligji kundër diskriminimit në Maqedoni – me mangësi


Amnesty International logo (Foto nga arkivi)
Amnesty International logo (Foto nga arkivi)

Amnesty International në pjesën e Maqedonisë ka fokusuar më shumë vërejtje sa i përket lirisë dhe të drejtave të njeriut, edhe atë diskriminimin, duke apostrofuar atë politik në institucionet shtetërore si dhe kushtet e vështira në burgje dhe institucionet psikiatrike, duke mos veçuar edhe këtë vit dobësitë në sistemin gjyqësor në Maqedoni që çon në moszbatimin e ligjeve.

Mirjana Najçevska, ish-drejtuese e Komitetit të Helsinkut, thotë se kritikat gjithnjë e më të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar për mosdemokratizimin e shoqërisë në Maqedoni, janë pasojë e mostrajtimit me seriozitet të po këtyre vërejtjeve nga ana e politikë-bërësve, qofshin ata maqedonas ose shqiptarë.

"Maqedonia gjatë 20 vjetëve të fundit nuk ka bërë as dhe një hap të vogël drejt zhvillimit të kulturës demokratike për t’i dëgjuar kritikat. Përkundrazi, kur bëhen vërejtje të këtilla në adresë të Qeverisë, aktivizohen një varg mekanizmash mbrojtës në vend se të detektohen problemet dhe të angazhohet me seriozitet t’i zgjidhë ato
”, thotë Najçevska, aktiviste për të drejtat dhe liritë e njeriut.

Nga ana tjetër, Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, thotë se shkalla në rritje e shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut në vend, veçanërisht ka të bëjë me veprim selektiv të institucioneve ndaj rasteve që janë më të ndjeshme - diskriminimin, duke apostrofuar më pas dobësitë në administratën publike dhe sistemin gjyqësor të pareformuar.

Memeti thekson se në Maqedoni, gjithashtu, është prezent dhe vetëdija e ulët, si dhe frika për të denoncuar rastet që cenojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

”Ne, si institucion do të bëjmë dhe një kampanjë se Avokati i Popullit ka për obligim t’i mbrojë të drejtat dhe liritë e njeriut. Këtë do ta bëjmë duke pasur parasysh të dhënat se vetëm një numër i vogël përcaktohen për të denoncuar rastet kur janë shkelur të drejtat e tyre, këtë nuk e bëjnë qytetarët, sepse kanë frikë dhe njëherësh nuk janë të informuar aq sa duhet për të drejtat e tyre”
, thekson Memeti.

Në raportin e Amnesty International mes tjerash theksohet se Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar një ligj kundër diskriminimit, por i njëjti nuk arriti t’i përmbushë standardet e BE-së, ngase në të nuk përfshihen të drejtat e njerëzve me orientim të ndryshëm seksual, njëherësh shumë pak reagohet edhe sa i përket diskriminimit politik.

Por, me këtë konstatim nuk pajtohet Dushko Minovski, kryetar i Komisionit Shtetëror për anti-diskriminim.

”Vërejtjet në këtë drejtim nuk qëndrojnë, ne tashmë kemi trajtuar disa ankesa të llojit të këtillë. Ne, si komision, ekzistojmë, punojmë, i detektojmë pikat nevralgjike që kërcënojnë të drejtat e qytetarëve, njëherësh angazhohemi dhe për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për të luftuar diskriminimin”,
shprehet Minovski.
XS
SM
MD
LG