Ndërlidhjet

Maqedoni: Zyrtarisht fillon fushata parazgjedhore


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Të dielën në mesnatë edhe zyrtarisht fillon fushata e partive politike dhe pjesëmarrësve tjerë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 5 qershor, të cilat do të realizohen sipas modelit proporcional.

Të gjitha partitë politike shqiptare janë deklaruar se fushata e tyre do të përqendrohet në elaborimin e programit të partisë, por kësaj radhe më shumë do të fokusohen në takimet ballë për ballë me qytetarët, për të bashkëbiseduar ndryshe nga praktika e mëparshme e organizimit të mitingjeve të mëdha.

Partia shqiptare në opozitë edhe më tej shpreh shqetësimin për devalvalvimin e votës së lirë, andaj dhe kërkon nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, që në zonat më problematike të kryhet monitorim më i ashpër.

“Praktika ka dëshmuar se në vazhdimësi gjenerator i parregullsive parazgjedhore janë dy komunat Osllomë dhe Zajaz. Prandaj, PDSH-ja ka kërkuar nga të gjithë faktorët relevantë të sigurohen kushte për zgjedhje të lira dhe në ato rajone, ashtu që një herë e përgjithmonë të reflektohet saktësisht vullneti i popullit
”, thotë zëdhënësi i PDSH-së, Agon Ferati.

Zëdhënësi Ferati nënvizon se partia e tij para elektoratit do të dalë me ofertën e marrëveshjes së re politike mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si formë e vetme për t’u dhënë fund çështjeve të hapura me interes jetik për shqiptarët e Maqedonisë.

“Me rëndësi është që fillimisht të zgjidhen dy çështje shumë të rëndësishme, procesi i vendimmarjes dhe ndarja proporcionale e buxhetit. Në këtë mënyrë do të sigurohen kushtet për hapjen e çështjeve tjera për vazhdimin e negociatave me palën maqedonase, të cilat do t’i realizojë PDSH-ja, po qe se arrin të marrë verdiktin e elektoratit në këto zgjedhje”
, shpjegon Ferati.

Nga ana tjetër, BDI-ja në pushtet vlerëson se Marrëveshja e Ohrit është bazament për ndërtimin e shoqërisë multi-etnike, implementimi i plotë i së cilës garanton statusin e avancuar juridik dhe politik të shqiptarëve. Njëherësh, ky dokument kornizë hap rrugën e integrimit të Maqedonisë.

Një nga prioritetet kryesore edhe më tej ngelet implementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, zhvillimi ekonomik i vendit dhe procesi i integrimit, shtylla këto të cilat janë ngushtë të lidhura me njëra-tjetrën, për çka kemi dhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar”, thekson kryetari i shtabit zgjedhor të BDI-së, Abdylaqim Ademi.

Ai shpreson për një fushatë të qetë dhe demokratike, ku në çdo pjesë të territorit të Maqedonisë do të ruhen vlerat për respektimin e votës së lirë.

“Fushata jonë do të jetë e qetë, promovuese, nuk do të merremi me ofendime dhe sharje, aq më pak do të merremi me oponentët tanë politikë, por ne do të mundohemi që shtëpi më shtëpi, në çdo familje të prezantojmë programin tonë dhe kërkojmë votën për ato çështje që i përmenda”,
shpjegon Ademi.

Ndërkaq, subjekti më i ri politik, RDK, e udhëhequr nga Rufi Osmani, vlerëson se përfundimisht këto zgjedhje duhet të jenë të lira dhe demokratike, në të cilat do të reflektohet vullneti i popullit dhe jo forca e dhunës.

Ermir Ramadani nga kjo parti thekson se gjatë fushatës zgjedhore, RDK-ja do të përqendrohet t`u sqarojë qytetarëve rëndësinë e realizimit të shtet-formësisë shqiptare në Maqedoni, si një federalizim joterritorial ose institucional.

”Alokimi i pjesës adekuate të buxhetit si investime kapitale në komunat shqiptare, fuqizimi përmbajtjesor i decentralizimit fiskal, pjesëmarrja cilësore e shqiptarëve në administratën publike dhe në ndërmarrjet publike, zgjidhja e çështjes së emrit dhe zhbllokimi i procesit të integrimit të vendit”
, thotë Ramadani.

Me qëllim të procesit zgjedhor korrekt dhe demokratik, partitë politike javën e kaluar nënshkruan Kodeks të sjelljes gjatë zgjedhjeve parlamentare.

Apel për sjellje korrekte zgjedhore dërguan SHBA-ja, BE-ja, NATO dhe OSBE-ja, si dhe më shumë përfaqësues dhe organizata vendore dhe ndërkombëtare. Zgjedhjet e 5 qershorit do të monitorohen nga 332 përfaqësues të Zyrës së OSBE-së për institucione demokratike dhe të drejtat e njeriut - ODIHR dhe 3.500 të tjerë nga Asociacioni qytetar MOST.
XS
SM
MD
LG