Ndërlidhjet

NYT: Presidenti Obama dhe pranvera arabe


Presidenti Barak Obama
Presidenti Barak Obama
"New York Times"

Nuk duhet të jetë befasi se trazirat në botën arabe kanë prekur edhe palestinezët, të cilët vazhdojnë të jenë ende larg zgjidhjes së premtuar për dyshtetësinë.

Në përvjetorin e krijimit të Izraelit, mijëra persona kanë marshuar nga Siria, Gaza, Libani dhe Bregu Perëndimor, duke shkelur kufijtë e Izraelit dhe duke u konfrontuar me trupat izraelite.

Izraeli duhet të mbrojë territorin e vet, ndërsa protestat dhe dëmet mund të jenë shmangur po të kishte negociata paqësore dhe thelbësore.

Që kur presidenti Obama mori presidencën, liderët izraelitë dhe palestinezë kanë pasur gjithsej tre javë bisedime direkte, ndërkohë që javën e shkuar, Xhorxh Mitçell, i dërguari i zotit Obama në Lindjen e Mesme, dha dorëheqje.

Faji bie mbi të gjithë. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, nuk ka treguar interesim për negociatat dhe ka shfrytëzuar trazirat në rajon si një arsye më shumë për të ruajtur pozicionin aktual.

Liderët arabë, ndërkohë, nuk i kanë dhënë atij ndonjë shtysë për arritjen e kompromisit. Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, dëshiron të arrijë marrëveshje, por duket se ndërkohë ka hequr dorë.

Deri më tash, presidenti Obama ka bërë pak për të shkrirë procesin. Derisa përgatitet për të adresuar Pranverën Arabe këtë të enjte, Shtëpia e Bardhë ka sinjalizuar se ka pak gjasa që ai të ofrojë ndonjë nismë të re për ringjalljen e bisedimeve paqësore.

Ka ardhur koha për zotin Obama që së bashku me aleatët thelbësorë të vendosin në tavolinë një hartë dhe një marrëveshje - dy palët nuk mund ta bëjnë këtë të vetme.

Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë tjera nuk mund ta diktojnë rezultatin, por duhet të investojnë maksimumin e përpjekjeve dhe të kreativitetit për të ndihmuar formësimin e rezultatit.

Zoti Obama mund ta shfrytëzojë fjalimin për të artikuluar parimet që vendet arabe duhet ndjekur, si parakusht për mbështetjen ekonomike dhe politike të Perëndimit: zgjedhjet demokratike, tregun e lirë, raportet paqësore me fqinjët, të drejtat për gratë dhe pakicat, si dhe sundimin e ligjit.

Ringjallja e procesit paqësor duhet të jetë pjesë e gjithë kësaj përpjekjeje. Konflikti izraelito-palestinez nuk ka qenë në qendër të protestave në Egjipt, Libi dhe Siri, por, siç e ka dëshmuar edhe vetë presidenti sirian, Asad, ky konflikt vazhdon të jetë një armë potente për autokratët dhe ekstremistët. (a.v.)
XS
SM
MD
LG