Ndërlidhjet

Reformat në Lindjen e Mesme: Rikthim i historisë


President Barak Obama gjatë fjalimit më 19 maj 2011.
President Barak Obama gjatë fjalimit më 19 maj 2011.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka paraqitur planet e tij për mbështetjen e ndryshimeve demokratike në Lindjen e Mesme. Një pjesë e madhe e fjalimit i është kushtuar promovimit të reformave ekonomike në vendet e “pranverës arabe”. Ekspertët thonë se presidenti do të bënte mirë po të merrte në konsideratë sukseset dhe dështimet e përpjekjeve të ngjashme, pas Luftës së Dytë Botërore dhe rënies së sistemit komunist në Evropën Lindore.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka bërë fjalimin e shumëpritur, duke shpallur përgjigjen e administratës së tij ndaj ndryshimeve politike në Lindjen e Mesme. Ai ka folur për promovimin e institucioneve demokratike dhe shtytjen përpara të bisedimeve paqësore ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.

Megjithatë, disa nga pjesët më të rëndësishme të fjalimit të tij i janë kushtuar ekonomisë, e jo politikës.

Obama, i vetëdijshëm se pakënaqësitë ekonomike ishin një nga motivet kryesore të demonstruesve që rrëzuan presidentin e Egjiptit, Hosni Mubarak, dhe homologun e tij tunizian, Ben Ali, ka folur për planin amerikan të ndihmës.

“Mesazhi ynë është i thjeshtë: Nëse ju merrni rrezikun që sjellin reformat, ju do ta keni mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Obama.

Duke u përqendruar tek Egjipti dhe Tunizia, Obama ka premtuar miliarda dollarë për lehtësimin e borxheve dhe kredive, si dhe ka ofruar një program të gjerë të ekspertizës ekonomike, të dizajnuar për thyerjen e barrierave strukturore, të cilat ndalojnë popujt e rajonit të udhëheqin me potencialin e tyre.

Nëse disa nga këto ide tingëllojnë të njohura, nuk është rastësi. Para fjalimit, zyrtarë të lartë të administratës kanë tërhequr krahasime ndërmjet masave që do të shpallen dhe Planit të Marshallit pas Luftës së Dytë Botërore, kur Shtetet e Bashkuara kanë dërguar burime të mëdha për qeveritë e Evropës, për të ndihmuar rindërtimin e kontinentit.

Në fjalimin e tij, Obama është thirrur në shembullin e Evropës Lindore dhe Qendrore pas rënies së Murit të Berlinit, kur Uashingtoni ka punuar me aleatët dhe institucionet shumëpalëshe për të nxitur reformat e tregut në vendet që dilnin nga komunizmi.

Megjithatë, analistët paralajmërojnë se analogjitë e tilla duhet të merren me pak kripë. Brajan Katulis, ekspert i Lindjes së Mesme në Qendrën e Progresit Amerikan, thotë se ambiciet e Obamës për rajonin mund të jenë rrëmbyer nga fakti se fuqia dhe ndikimi i Amerikës në Lindjen e Mesme, nuk janë më siç kanë qenë.

“Pas Luftës së Dytë Botërore, ekonomia e Shteteve të Bashkuara është rritur dhe ne mund të përballonim ndihma më të mëdha të taksapaguesve amerikanë, të cilat shkonin për rindërtimin e Evropës dhe të Japonisë. Por, tani nuk kemi të bëjmë me një gjë të tillë. Andaj, unë mendoj se presidenti përballet me një sfidë politike derisa shpall lehtësimin e borxheve për një vend si Egjipti, në të njëjtën kohë kur administrata e tij po negocion me republikanët në Kongres për problemet e veta të borxhit”, thotë Katulis.

Në fakt, dobësia kronike e ekonomive të rajonit bën që edhe planet më të mëdha të marrin vite për të treguar efekte të dukshme. Obama ka përmendur një statistikë të frikshme në fjalimin e tij: Me përjashtim të tregtisë së naftës, i tërë rajoni i Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, me popullsi prej 400 milionë banorësh, eksporton të njëjtën sasi në vit si Zvicra me vetëm 8 milionë banorë.

Ekonomisti Anders Aslund thotë se një gjë e tillë e bën Obamën të ndeshet me po ato sfida, me të cilat ishin përballur paraardhësit e tij në Evropën Qendrore dhe Lindore, në fund të viteve 1980 dhe fillimin e atyre ’90. Aslund ka shërbyer si këshilltari kryesor ekonomik në qeveritë e Rusisë dhe të Ukrainës në vitet 1990.

Në fjalimin e tij, presidenti amerikan ka propozuar edhe zgjerimin e Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, për të ndihmuar bizneset në vendet e “pranverës arabe”.

Erik Berglof, ekonomist në këtë institucion, thotë se roli i bankës në nxitjen e tranzicionit të ekonomisë në Evropën Qendrore dhe Lindore, është relevant me rolin që do të luante BERZH-i në vendet si Egjipti dhe Tunizia.

“Ka shumë sfida në tranzicionin e këtyre vendeve. Ato kanë të bëjnë me zhvillimin e një sektori të shëndoshë privat, duke zhvilluar ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Ato po ashtu kanë të bëjnë me ripërcaktimin e rolit të shtetit në ekonomi. Pra, ka shumë gjëra që janë të përbashkëta, edhe pse ato kanë pasur disa sfida më ndryshe”, thotë Berglof për Radion Evropa e Lirë.

Auslund, nga ana e tij, shpreson se Obama ka mësuar nga gabimet e bëra në kursin e reformave të Evropës Lindore.

Ai thotë se nuk duhet nxituar në privatizimin e aseteve shtetërore. Reformat duhet të nisin me krijimin e kushteve të shëndosha për rritjen e bizneseve të vogla. Një shembull pozitiv, Aslund thotë se është Polonia. Por, megjithatë, ai mendon se rezultati në rajon do të jetë i ngjashëm me atë çfarë ka ndodhur në Rusi, ku elita ka shfrytëzuar pasigurinë e tranzicionit, për të rrëmbyer pasuritë e vlefshme të shtetit.

“Cili është dallimi ndërmjet Polonisë dhe Rusisë? Perëndimi ka ndihmuar Poloninë menjëherë dhe nuk ka ndihmuar Rusinë. Andaj, reformatorët mund ta zbatonin programin e tyre, përderisa në Rusi ata ishin bllokuar, sepse nuk kishin përkrahje nga jashtë”, thotë Aslund.

Një rrezik i ngjashëm, shton ai, i afrohet Egjiptit, ku forcat ushtarake janë kapitalizuar nga procesi i privatizimit, ndërsa pronarët e bizneseve të vogla pengohen nga burokracia dhe korrupsioni.

Në anën tjetër, Katulis shprehet i shqetësuar edhe për korrupsionin, i cili, sipas tij, mund t’i dëmtojë lehtë edhe planet më ambicioze të reformave ekonomike për rajonin.

“Unë mendoj se gjëja e parë që mund të bëjmë, është të sigurohemi se praktikat tona nuk e ushqejnë korrupsionin”, thotë Katulis. (v.t.)
XS
SM
MD
LG