Ndërlidhjet

IHT: Qasje e pandryshuar drejt paqes


Arkiv
Arkiv
International Herald Tribune

Shkruan: Xhimi Karter, presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara



Nuk ishte ndonjë politikë e re e Shteteve të Bashkuara në lidhje me kufijtë e Izraelit, e as ndonjë befasi për liderët izraelitë, kur presidenti Obama tha: “Kufijtë e Izraelit dhe të Palestinës duhet të bazohen në vijat e vitit 1967, me këmbime të bashkërenduara reciprokisht”.

Rezoluta 242 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më 22 nëntor të vitit 1967, i dha fund luftës së atij viti dhe u pranua nga të gjitha palët që të jetë bazë për marrëveshjen e paqes.

Thekset e saj kryesore janë: “Është i papranueshëm përvetësimi i territorit me luftë” dhe “Duhet të bëhet tërheqja e forcave të armatosura izraelite nga territoret e pushtuara në konfliktin e fundit”. Këto territore përfshinin Bregun Perëndimor, Gazën e Jerusalemin Lindor, plus tokat që i përkisnin Libanit, Egjiptit dhe Sirisë.

Më 1978, në Kamp David, kryeministri izraelit, Menahem Beigin, dhe presidenti i Egjiptit, Anvar Sadat, pranuan fjalët në vijim: “Parimi bazë për zgjidhje paqësore të konfliktit midis Izraelit dhe fqinjëve të tij, është Rezoluta 242 e OKB-së, me të gjitha pjesët e saj”.

Plani i Kuartetit Ndërkombëtar për Paqe, në prill të vitit 2003, i mbështetur po ashtu nga ish-presidenti Xhorxh Bush, ka nisur me këto fjalë: “Një zgjidhje, e negociuar midis palëve, do të rezultojë me krijimin e një shteti palestinez, të pavarur dhe demokratik, në paqe me Izraelin dhe fqinjët e tjerë. Marrëveshja do të zgjidhë konfliktin izraelito-palestinez dhe do t’i japë fund pushtimit që filloi në vitin 1967”.

Përveç kësaj, të 23 vendet arabe dhe 56 vendet islamike kanë ofruar paqe dhe marrëdhënie normale me Izraelin, por i kanë bërë thirrje atij të pranojë “tërheqjen e plotë të trupave nga të gjitha territoret e okupuara që nga viti 1967”.

Të gjitha këto deklarata supozojnë se Izraeli mund të jetojë në paqe me kufij të njohur ndërkombëtarisht, por duke mos përfshirë territoret e pushtuara gjatë luftës së 1967-ës. Izraeli u tërhoq nga Sinai i Egjiptit si rezultat i marrëveshjes paqësore të vitit 1979, por ende mban një territor në Siri, Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor.

Për më se tre dekada, pushtimi i tokës arabe nga Izraeli ka qenë çështja kryesore e pazgjidhur. Thënë thjesht, Izraeli duhet të heqë dorë nga pushtimi i tokave në këmbim të paqes.

Dy zhvillime të fundit kanë shtuar nxitimin në procesin paqësor: lëvizja për të bashkuar fraksionet kryesore palestineze, në mënyrë që ata të mund të negociojnë njëzëri, si dhe votimi i mundshëm në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të njohur Palestinën si shtet. Është e mundur që 150 anëtarët e OKB-së janë përgatitur për një hap të tillë.

E vetmja alternativë e mundshme e paqes janë negociatat, ku çështja kryesore do të mbetej e njëjtë: Gatishmëria e Izraelit për t’u tërhequr nga territoret e pushtuara, me përjashtim të këmbimeve të vogla, për të cilat ishte rënë dakord me palestinezët. (v.t.)
XS
SM
MD
LG