Ndërlidhjet

DT: Masakra e Srebrenicës, ora më e zezë e OKB-së


Emrat e viktimave të Masakrës së Srebrenicës. Potoçari, korrik 2010.
Emrat e viktimave të Masakrës së Srebrenicës. Potoçari, korrik 2010.
"Daily Telegraph"

Srebrenica ishte paraparë si “strehim i sigurt” i Kombeve të Bashkuara. Supozohej se 600 ushtarë të Holandës do t’i mbronin mijëra civilë të zhvendosur nga ofensivat e mëhershme serbe, në pjesën verilindore të Bosnjës.

Derisa forcat serbe filluan ta bombardojnë Srebrenicën, luftëtarët myslimanë të Bosnjës në këtë qytet kërkuan kthimin e armatimit që e kishin dorëzuar te paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara. Kërkesa e tyre u refuzua.

Koloneli Tom Karmans, komandant holandez, u kërcënua me thirrjen për sulme ajrore, nëse serbët nuk tërhiqen. Mlladiqi refuzoi. Sulme ajrore nuk kishte, meqë koloneli Karmans e kishte bërë kërkesën e tij në formë të gabuar.

Gjenerali Ratko Mlladiq hyri në Srebrenicë dhe thirri komandantin holandez për t’ia dhënë një ultimatum për myslimanët, që të dorëzohen – takim ky që ishte një simbol i paaftësisë për ndihmë nga ana e Perëndimit, në ballafaqim me gjenocidin.

Vetëm një ditë më vonë, më 13 korrik të vitit 1995, ndodhën vrasjet e para të myslimanëve të paarmatosur në një depo në fshatin e afërt, Kravica. Tri ditë më vonë, holandezët u tërhoqën nga Srebrenica dhe rruga ishte e pastër për forcat serbe të Bosnjës, për ta marrë kontrollin e qytetit. Më 21 korrik të vitit 1995, thuhet se u vranë më se 8 mijë djem e burra myslimanë.

Dështimi i komunitetit ndërkombëtar për t’i ndihmuar civilët dhe për ta parandaluar një akt të gjenocidit, i ka traumatizuar fuqitë evropiane e perëndimore, si dhe ka vendosur botën në një kurs për doktrinën e re të “intervenimit liberal”.

Në vitin 1999, derisa serbët kërcënonin se do ta bëjnë në Kosovë atë që kanë bërë në Srebrencië, e ndoshta në një shkallë edhe më të madhe, Toni Bler, kryeministri i ri britanik, premtoi se kësaj radhe Perëndimi nuk do të qëndrojë në krizën që ai e pa si “testin e parë real dhe moral” të tij.

Derisa Bill Klinton, presidenti i Shteteve të Bashkuara, që qëndroi ndaj Bosnjës, përsëri hezitoi, zoti Bler tërhoqi vërejtjen se Kosova ishte test nëse shtetet e civilizuara mund të zgjohen ndaj shenjave paralajmëruese të së keqes, para se të bëhej shumë vonë.

Në korrikun e kaluar, Toni Bler ka vizituar Kosovën.
“Kjo nuk është betejë për territor; kjo është betejë për humanitet, është vetëm një shkak i drejtë”, ka argumentuar ai në mënyrë emocionale.

Përfshirja britanike në aksionin e suksesshëm ushtarak në Kosovë, shënoi pikë kthese në politikën e jashtme të zotit Bler, “në bazë etnike”.

Vitin pasues, trupat britanike intervenuan, përsëri me sukses, në Sierra Leone.

Në vitin 2003, zoti Bler përdori shembullin e Srebrenicës për të ilustruar pasojat e mosveprimit perëndimor, derisa luftonte për t’i bindur aleatët hezitues evropianë, se përdorimi i forcës ushtarake kundër regjimit të Irakut, ishte domosdoshmëri.

Megjithëqë lufta dhe okupimi në Irak e diskredituan zotin Bler, në vitin 2011, një tjetër lider i ri, kryeministri britanik, Dejvid Kameron, përdori spektrin e qëndrimit nga ana e Perëndimit në ballafaqim me gjenocidin, që ta afrojë Barak Obamën, një tjetër president amerikan hezitues.

Në muajin mars, zoti Kameron me sukses i tuboi aleatët amerikanë dhe evropianë me kërkesën emocionale, derisa kolonel Gadafi masakroi civilët në Libi, duke thënë se “fjalët nuk mjaftojnë, pasi ato në bazë të të cilave do të vlerësohemi, janë aksionet tona”.

“Ne nuk mundemi vetëm të qëndrojmë”, tha ai.

Në Libi sot janë fantazmat dhe fajësia e akteve të gjenocidit në Srebrenicë, të kryer nga gjenerali Mlladiq, që kanë krijuar mundësi për intervenim ushtarak. (f.b.)
XS
SM
MD
LG