Ndërlidhjet

Ahmeti: Marrëveshja e Ohrit s'mund të zhvlerësohet


Ali Ahmeti BDI
Ali Ahmeti BDI
“Jo një herë është thënë se rruga për integrimet në NATO dhe BE kalon nëpër Ohër, andaj nuk mund të nënvlerësohet dhe të anashkalohet një marrëveshje e tillë, e cila është një model edhe për rajonin se si funksionon shteti multi-etnik”, tha për Radion Evropa e Lirë, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrime.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, si e vlerësoni realizimin Marrëveshjes së Ohrit nga një dimension kohor tani një dekadësh dhe a ndiheni të zhgënjyer nga sfidimi nga ana e palës maqedonase gjatë jetësimit të saj?

ALI AHMETI
Tani është më se e natyrshme që opozita të kritikojë dhe të shprehë pakënaqësi dhe kjo është më se e kuptueshme. Bashkimi Demokratik për Integrim ka hyrë me program për bashkëqeverisje me VMRO DPMNE-në, duke filluar që nga interesat e shqiptarëve, interesat që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, deri te ndarja e të mirave materiale, siç është buxheti i shtetit.

Ndër të arriturat e Marrëveshjes së Ohrit po përmend dokumentet personale, pasaportat, si dokumente tejet të rëndësishme për çdo qytetar të Republikës së Maqedonisë. Tani shqiptarët këtë dokument e kanë edhe në gjuhën shqipe, pastaj kartat e identitetit, patentë-shoferi, njëherësh përdorimin e plotë të gjuhës shqipe në Parlamentin e Maqedonisë në çdo dokument - çdo amendament është edhe në gjuhën shqipe në këtë institucion, pavarësisht se ky ligj nuk i plotëson të gjitha nevojat e shqiptarëve dhe nuk është gjithë ajo që del nga fryma e Marrëveshjes së Ohrit.

Mbetet që kjo çështje të shtrohet për një zgjidhje edhe më të mirë, sa i takon Ligjit për gjuhën shqipe. Gjithashtu, më duhet të theksoj se çështjet kanë ecur para edhe te përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore. Megjithatë, ka vend për të diskutuar, ka shumë vend për të punuar edhe më tej, por është më se e nevojshme që të gjithë ta kuptojnë seriozitetin e Marrëveshjes së Ohrit.

Jo një herë është thënë se rruga për integrimet në NATO dhe BE kalon nëpër Ohër, andaj nuk mund të nënvlerësohet dhe të anashkalohet një marrëveshje e tillë, e cila është një model dhe një shembull shumë i mirë edhe për rajonin se si funksionon shteti multi-etnik.

RADIO EVROPA E LIRË
Atëherë ju, si një nga ithtarët kryesor të vlerave të Marrëveshjes së Ohrit, si e komentoni mosshpërndarjen proporcionale të buxhetit që jo pak është kritikuar nga opozita, përfshirë këtu edhe realizimin e projektit “Shkupi 2014”, që është kritikuar edhe nga Brukseli, si diçka që kërcënon raportet ndëretnike?

ALI AHMETI
Këtë problem ne e kemi trashëguar dhe ne jemi angazhuar me të gjitha përpjekjet që ta ndryshojmë konceptin e trashëguar të projektit "Shkupi 2014". Me këtë rast më duhet të theksoj se është për t’u përshëndetur vendimi i komunës qendër, për të ngritur dhe tri shtatoret e tri personaliteteve të shqiptarëve siç është Josif Bageri, Pjetër Bogdani dhe Nexhat Agolli, si dhe projekti për ndërtimin e sheshit kryesor në Shkup, Sheshi Skënderbeu, që është një projekt shumë me interes.

Gjithashtu, është bërë disperzimi i disa fakulteteve, që është një investim goxha i madh, pa futur këtu investimet që bëhen drejtpërsëdrejti në Universitetin Shtetëror të Tetovës, pjesa e disperzuar arrin vlerën prej 10 milionë eurosh, pra fakultetet në Dibër, Kërçovë, Gostivar, Kumanovë dhe Shkup. Pra, në vazhdimësi jemi angazhuar për të përmirësuar gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i komentoni deklarimet se Marrëveshja e Ohrit është jofunksionale dhe kërkesat e shqiptarëve duhet realizuar përmes një dokumenti të ri politik?

ALI AHMETI
Më shumë bëhet fjalë për një marketing politik, ngase nëse partitë politike të opozitës shqiptare e kanë seriozisht se duhet një marrëveshje e re apo një kontratë e re mes maqedonasve dhe shqiptarëve, mendoj se kjo ide është shumë e rrezikshme dhe ide jo e mirë.

Marrëveshja e Ohrit tani i bën dhjetë vjet, pra jemi në një vit jubilar dhe mendoj se të gjitha forcat politike duhet të orientohen, si dhe të fokusohen që të bëhet një ekspertizë reale për atë se çka është bërë deri më tani nga ky dokument kornizë dhe njëherësh çka ka mbetur pa u bërë, në mënyrë që të gjithë të marrin përgjegjësinë për implementimin e tërësishëm të saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Me çfarë platforme do të hyjë BDI-ja në qeverinë e ardhshme: do të vendoset kusht implementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, apo kësaj radhe do t’i shtohet dhe zgjidhja e kontestit të emrit dhe zhbllokimi i procesit zgjedhor?

ALI AHMETI
Sigurisht se këto tri gjëra, po edhe të gjitha çështjet e rëndësishme, do të jenë të përfshira në platformën për bashkëqeverisje me palën maqedonase nëse BDI-ja fiton zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit. Ne do të angazhohemi që kësaj radhe të marrim dhe postet kyçe që kanë të bëjnë me vendimmarjen shtetërore.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të mbetet VMRO DPMNE-ja partner strategjik i BDI-së?

ALI AHMETI
Unë nuk kam partner strategjik, nuk kam preferenca, por do ta respektoj vullnetin e popullit, atë të komunitetit maqedonas, sepse kjo është e vërteta e realitetit në Maqedoni. Elektorati voton mbi baza etnike, andaj s’na mbetet gjë tjetër pos të respektojmë verdiktin e komunitetit maqedonas.

RADIO EVROPA E LIRË
A prisni të përfundojë procesi zgjedhor sipas standardeve të Bashkimit Evropian duke mos i kontestuar rezultatet? Cili është opinioni juaj lidhur me deklarimin e oponentit tuaj politik Menduh Thaçi se “ata që erdhën në pushtet përmes forcës së armës, vështirë e kanë të largohen në formë demokratike”...

ALI AHMETI
Nëse e ka thënë kështu, mendoj se bëhet fjalë për një deklaratë të ngutshme, ngase BDI-ja ka dëshmuar se në të gjitha proceset zgjedhore kur ka qenë pjesë e Qeverisë, pjesë e ekzekutivit, proceset zgjedhore kanë qenë të mira, të rregullta, demokratike, duke përjashtuar procesin zgjedhor të vitit 2008, meqë kishim një proces tejet të palakmueshëm. Unë nuk dua t’i ndodhë ajo më, jo vetëm kombit tim, por asnjë kombi në rruzullin tokësor.

Ne kemi investuar dhe do të vazhdojmë të investojmë edhe në të ardhmen që zgjedhjet të jenë fer dhe demokratike, të mos ushtrohet presion, dhunë ndaj votuesit, por ashtu siç mendojnë qytetarët, ashtu dhe lirshëm të votojnë, pra le të fitojë ai, për të cilin populli vendos se është më i miri.
XS
SM
MD
LG