Ndërlidhjet

Rruga për në Libi shkon përmes Srebrenicës


Srebrenicë
Srebrenicë

"Independent"

Arrestimi i ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, dhe ekstradimi i tij i mundshëm për t’u përballur me procesin gjyqësor në Tribunalin e Hagës, është shkas për kënaqësinë e zymtë përgjatë Ballkanit Perëndimor.

Është, po ashtu, një përkujtues i momenteve të tmerrshme të politikës së jashtme britanike. Nuk duhet të harrojmë kurrë se vrasjet në Srebrenicë ishin kulmi i fushatës tre-vjeçare për spastrim etnik që filloi në pranverën e vitit 1992.

Gjatë kësaj periudhe, administrata konservatore e Xhon Maxhorit luajti një rol të rëndësishëm në bindjen e komunitetit ndërkombëtar që të mos intervenojë dhe në pengimin e SHBA-së që të ndihmojë qeverinë legjitime të Bosnjë e Hercegovinës.

Ministri i Jashtëm, Daglass Hurd, refuzoi të lëshojë pe nga embargoja ndërkombëtare e armëve mbi ish-Jugosllavinë.

Kjo politikë - e mbështetur plotësisht nga sekretari i mbrojtjes, Malcolm Rifkind – u krijoi disavantazh boshnjakëve të armatosur lehtë kundrejt serbëve të pajisur mirë dhe bëri që viktimat të mos kenë rastin të mbrohen vetë.

Kjo nuk qe nxitur nga pandjeshmëria personale ose islamofobia, por nga besimi “realist” se pengimi i spastrimit etnik nuk ishte në interesin kombëtar të Britanisë.

Memoriali me emrat e viktimave në Srebrenicë...
Në njërën ose formën tjetër, kjo politikë, çoi direkt në ngjarjet në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, kur me ndihmën e tankeve serbët e Bosnjës masakruan 7 mijë burra dhe djem myslimanë të paarmatosur.

Shumë anëtarë të forcave britanike të vendosur si paqeruajtës në Bosnjë, kishin simpati ndaj forcave serbe dhe në përgjithësi, për komandantin e tyre.

Një komandant i lartë birtanik shkruante në ditarin e tij, pak pas masakrës së Srebrenciës, se Mlladiqi ishtë një “figurë madhështore, në të vërtetë dominante, edhe fizikisht, por edhe nga pikëpamja e personalitetit; ishte lehtë të kuptohej se pse njerëzit e tij e adhuronin, ndërsa armiqtë ia kishin frikën”.

Gjenerali, vazhdon ai, “ishte sharmant…Ne shijuam mikpritjen serbe: një drekë me një qengj në hell e pasuar pashmangshëm me raki kumbulle. U largova me një fotografi të nënshrkuar nga gjenerali”.

Sikur kjo të mos mjaftonte, Britania ka kaluar shumë kohë duke u munduar që të sabotojë krijimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte, në të cilën do të dërgohet Mlladiq.

Kjo pasi që Londra thoshte se kërcënimi i përndjekjes mund t'i pengonte negociatat për paqe.

“Nëse përgjegjësia për këto krime shkon aq lart, duhet ta pyesim veten se çka është prioritet, t’i sjellim njerëzit para gjykatës, apo ta bëjmë paqen?”, e pati pyetur parlamentin ministri i jashtëm, Daglas Hog.

Tribunali u ngrit me insistimin e SHBA-së. Por, vetëm pas shumë zvarritjeve të Britanisë.

Siç kujton Frits Kalshoven i Komisionit të Gjenevës për Krime Lufte: “Britania nuk bëri asgjë për ne - asgjë”.

Në fund, Ratko Mlladiq dhe lideri politik i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiq, u akuzuan për krime lufte, SHBA-ja shtyu përpara intervenimin e NATO-s dhe spastrimit etnik i erdhi fundi.

I tërë episodi ka qenë një reklamë shkatërruese për menaxhimin e politikës së jashtme nga ana e konservatorëve dhe për doktrinën e ngushtë të ‘realizmit’.

Gjenerata e re e konservatorëve, siç është anëtari i parlamentit Majkëll Gov, ka folur me kritika të zëshme ndaj “ekuivalencës amorale” të paraardhësve të tyre në Bosnje.
Protestat antiqeveritare në Libi...


Ka qenë një lëvizje e prekshme nga fokusi i vjetër “realist” dhe nga interesi i ngushtë kombëtar drejt një kuptimi më të gjerë se siguria britanike varet nga mbrojtja e vlerave britanike jashtë, veçanërisht të demokracisë dhe pengimit të rritjes së abuzimit me të drejtat e njeriut.

Koncepti i intervenimit humanitar ka marrë një konsideratë në mesin e klasës së konservatorëve të vitit 2005 dhe 2010. Mbase, më e rëndësishmja, siç e përshkruan ish-fjalimshkruesi i Dejvid Kamerunit, Jan Birell, është se dështimi i Britanisë që të intervenojë në ndaljen e gjakderdhjes në ish-Jugosllavi, ka ngjashmëri me atë të Mynihut dhe Suezit që treguan se “zgjidhja për të mos bërë asgjë është fatkeqe".

Tërë kjo çoi në iniciativën vendimtare të kryeministrit në marsin e vitit 2011, i cili u bë lideri i parë botëror që kërkoi krijimin e zonës së ndalim fluturimit për të penguar diktatorin Muamer Gadaf të ta shfrytëzojë atë për aeroplanët e tij që kërcënonin masakra ndaj kundërshtarëve të tij në Bengazi.

Sër Malkoln Rifkind, ishte zëri më i fuqishëm që kërkoi të mos ndalohet vetëm në ndalimin e zonës së fluturimit, por në shkatërrimin e armëve të rënda që mund të shfrytëzoheshin kundër civileve që kundërshtonin regjimin e diktatorit.

Nuk është më pak e rëndësishme të thuhet se falë këtyre intervenimeve të koalicionit perëndimor, të nisur dy muaj më parë- u sigurua që vrasjet në Bosnjë të mos përsëriten. Një mësim është nxjerrë.

Në këtë kuptim, rruga për në Tripoli shkon përmes Srebrenicës.(a.i.)
XS
SM
MD
LG