Ndërlidhjet

Maqedoni: Zgjedhjet dhe euro-integrimet


Një nga tubimet parazgjedhore në Shkup...
Një nga tubimet parazgjedhore në Shkup...
Kërcënim i procesit zgjedhor do të thotë edhe kërcënim i perspektivës euro-atlantike për Maqedoninë, vlerësojnë ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Sipas tyre, është e rëndësishme që më 5 qershor të respektohet vota e lirë dhe rezultati të jetë i pakontestueshëm për të gjitha palët.


Ish-shefi i diplomacisë maqedonase, Denko Malevski, vlerëson se me rëndësi të veçantë për zhvillimet euro-integruese, por edhe zhvillimet në përgjithësi, do të jetë klima politike, e cila do të krijohet pas zgjedhjeve të 5 qershorit në Maqedoni.

"Edhe opozita, edhe qeveria do të duhej të konsultohen me qytetarët. Gjithë kësaj situate duhet t`i paraprijë një strategji e përbashkët e të gjitha forcave politike, e ndërtuar po nga të gjithë politikëbërësit relevantë të shtetit, që të arrihet konsensus politik sa i përket çështjes së emrit, i cili si propozim do të shtrohet para qytetarëve. Vetëm kështu mund të presim zgjidhje pozitive të kontestit 20-vjeçar", thotë Malevski.

Ndërkohë, Rizvan Sulejmani, nga Instituti për Studime Politike, thotë se vetë fakti i shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, dëshmon se Maqedonia është përballur me një krizë të rëndë. Ai e sheh shqetësues faktin se në këtë fushatë, veçanërisht në kampin politik maqedonas, zhvillohet luftë për pushtet dhe jo për interesa shtetërore.

“Gjithnjë e më shumë bëhet e qartë se në këtë fushatë po bëhet luftë për pushtet dhe jo shtet. Pra, mostrajtimi i çështjes së emrit flet për një ikje nga përgjegjësia, duke e shfrytëzuar çështjen e emrit vetëm për qëllime populiste”, thekson Sulejmani.

Sipas tij, është indinjuese mënyra se si i qaset edhe më tej faktori politik kësaj çështjeje, duke mbetur i përjashtuar nga procesi.

“Kërkesa për referendum nga dy partitë më të mëdha maqedonase, VMRO DPMNE dhe LSDM, ka për pasojë dy çështje: një, në formë direkte ose indirekte hiqet nga loja faktori politik shqiptar dhe, dy, organizimi i referendumit vetëm me bllokun maqedonas, pa shqiptarët, që të rezultojë me sukses, pothuajse është i pamundur”, thotë Sulejmani.

Për ish-diplomatin Denko Malevski, mosqenia shtyllë kryesore e fushatës çështja e emrit, dëshmon se ky proces hyn në fazën më të ndjeshme.

"Pavarësisht nëse partitë flasin për mirëqenien ekonomike, problemet politike ose raportet ndëretnike, të gjithë e kanë më se të qartë se për Maqedoninë janë të rëndësishëm dy hapa - të anëtarësohet në NATO dhe të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian - për çfarë pengesë kyçe është çështja e emrit", thotë Malevski.

Lexoni edhe këtë:
Oferta të përziera zgjedhore
XS
SM
MD
LG