Ndërlidhjet

Selmani: Marrëveshja e Ohrit të jetësohet


Imer Selmani
Imer Selmani

Marrëveshja e Ohrit është larg asaj që nënkupton jetësim praktik dhe përmirësim të ndjenjës se Maqedonia është shtet edhe i shqiptarëve, thotë për Radion Evropa e Lirë Imer Selmani, kryetar i “Demokracisë së Re”.





RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Selmani, programi zgjedhor i “Demokracisë së Re” në zgjedhjet e 5 qershorit në Maqedoni ka për prioritet barazinë e shqiptarëve, përmes ndryshimeve kushtetuese dhe aplikimit të Parimit të Badenterit. Si mendoni ta arrini këtë, kur Marrëveshja e Ohrit vazhdon të ketë mbështetje, jo vetëm nga pushteti aktual, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar?

IMER SELMANI

Ne nuk jemi kundër Marrëveshjes së Ohrit, por kjo marrëveshje duhet jetësuar. Marrëveshja e Ohrit duhet të jetë dokument praktik dhe jo vetëm dokument në letër.

Shqiptarët në vitet ‘90 menduan se me pavarësimin e Maqedonisë, do të jenë të barabartë me maqedonasit, se ashtu ishin premtimet, por doli se Maqedonia u bë shtet vetëm i maqedonasve.

Edhe në vitin 2001, kur u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, të gjithë ishim aq të lumtur se tani do të bëhemi të barabartë me popullatën maqedonase, por edhe tani, pas 10 vjetësh, Marrëveshja e Ohrit më tepër i ngjan një dokumenti, i cili për nga pamja ndoshta duket i mirë, por është larg asaj që nënkupton jetësim praktik dhe përmirësim të ndjenjës se Maqedonia është shtet edhe i shqiptarëve.

“Demokracia e Re” në këto zgjedhje del me ofertë, e cila bazohet në tri shtylla kryesore. E para, ka të bëjë me pjesën kushtetuese, pjesën politike, e cila bazohet në parimet se Maqedonia duhet, jo vetëm deklarativisht, por edhe në esencë, të garantojë me Kushtetutë dhe ligj barazinë mes dy bashkësive më të mëdha - shqiptarëve dhe maqedonasve.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju kërkoni që edhe qeveria e ardhshme të formohet në bazë të Parimit të Badenterit apo votimit të dyfishtë. Kërkesa të tilla ka pasur edhe më parë, por ato janë kundërshtuar fuqishëm nga pala maqedonase. Si mendoni ta arrini këtë?

IMER SELMANI

Që të kemi qeveri stabile, që të kemi respektim të vullnetit të shqiptarëve dhe që të kemi rrumbullakim të një procesi, i cili ndonjëherë apo në vazhdën e këtyre 20 vjetëve u imponua gjoja si rregull, por jo edhe si akt ligjor, duhet që qeveritë gjatë formimit apo riformatimit të miratohen me votim të dyfishtë.

Me këtë, ne garantojmë se shqiptarët e Maqedonisë nuk do të mbivotoheshin më sikur në vitet ‘90, apo edhe sikur pas vitit 2001 - nuk do të mbivotohen në Parlament, për arsye se do t’i instalojmë mekanizmat mbrojtës, që të mos majorizohemi si shqiptarë nga deputetët maqedonas, për çështje të rëndësishme që prekin interesat tona kombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Në rast se do të përfshiheshit në qeveri, a do të kërkonit marrëveshje me partnerin maqedonas që edhe programi juaj të jetë pjesë e programit qeveritar?

IMER SELMANI

Unë mendoj se ne si parti e re, “Demokracia e Re”, mjaft kemi mësuar nga gabimi i të tjerëve dhe nuk duam t’i përsërisim gabimet që kanë bërë partitë e tjera, në veçanti kjo e fundit - Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili brenda këtyre tre vjetëve ka përkrahur vetëm programin e VMRO-DPMNE-së dhe ka dështuar para shqiptarëve. Ne nuk e kemi ndërmend ta përsërisim atë gabim.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju premtoni zgjidhjen e kontestit të emrit brenda 100 ditësh, nëse bëheni pjesë e qeverisë. Në çka e mbështesni këtë premtim kur dihet se kemi të bëjmë me një problem shumëvjeçar, zgjidhja e të cilit varet nga partitë maqedonase?

IMER SELMANI

Maqedonia e ka shumë të qartë se patjetër duhet ta zgjidhë kontestin rreth emrit me Republikën e Greqisë dhe ne nuk do të jemi peng i politikave nacionaliste të të tjerëve.

Andaj, ne zotohemi se në 100-ditëshin e parë do ta zgjidhim këtë çështje, pasi një ndër pjesët ku do të merremi vesh për formimin e qeverisë së re me partnerin e ardhshëm maqedonas, është pikërisht zgjidhja e kontestit rreth emrit me Greqinë dhe përmbushja e obligimeve të tjera, të cilat ende notohen nga Komisioni Evropian dhe NATO-ja si detyrime që Maqedonia duhet t'i përmbushë në këtë proces.

RADIO EVROPA E LIRË
Maqedonia përballet me gjendje të rëndë ekonomike. Në këtë situatë të pavolitshme janë edhe shqiptarët. Si mendoni ta përmirësoni situatën, në veçanti në zonat e banuara me shqiptarë?

IMER SELMANI

“Demokracia e Re” qëndron fuqishëm pas përcaktimit se për një shtet të vërtetë multietnik dhe me barazi të plotë mes shqiptarëve dhe maqedonasve, nuk është e mjaftueshme vetëm pjesa politike, që të luftojmë për gjuhë dhe flamur, por pa dyshim që duhet të kemi edhe barazi ekonomike, që nënkupton ndarjen e barabartë të buxhetit. Zgjidhje e kësaj është miratimi i buxhetit me votim të dyfishtë në Kuvendin e Maqedonisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Për dallim nga e kaluara, fushata elektorale në zonat e banuara me shqiptarë po zhvillohet e qetë, ndërsa tensionet dhe incidentet janë bërë përditshmëri e bllokut politik maqedonas. Besoni se kështu do të jetë deri në fund dhe shqiptarët do të arrijnë ta kalojnë testin e demokracisë zgjedhore?

IMER SELMANI

Dua të them se një meritë shumë të madhe në këtë drejtim e ka “Demokracia e Re”. Më kujtohet viti 2008 kur formuam partinë, se një ndër synimet tona ka qenë demokratizimi i kampit politik shqiptar.

Pra, synimi im personal ishte që ne të vijmë këtu ku ndodhemi, që shqiptarët ta përjetojnë si konkurrencë ofertën politike dhe t'i përjetojmë si garë zgjedhjet, e jo si armiqësi se kush do të thyejë më shumë shtabe zgjedhore të partive politike apo kush do të ofendojë më shumë njëri-tjetrin.

Te ne, fjalori i ofendimeve nuk ekziston. Ne, thjesht, dalim para qytetarëve, kërkojmë votën për ofertën tonë dhe kapacitetet tona njerëzore, që i ofrojmë në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare.
XS
SM
MD
LG