Ndërlidhjet

Pjesëmarrja e dobët uli mandatet shqiptare


Vendvotim në Maqedoni
Vendvotim në Maqedoni
Pjesëmarrja e vogël e shqiptarëve në zgjedhjet e së dielës dhe shpërndarja e votës në më shumë subjekte politike kanë çuar në uljen e mandateve të deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë, thotë analisti Mahi Nesimi. Ndërkohë, analisti Zdravko Savevski thekson faktin se LSDM-ja e opozitës, përkundër disfatës, ka arritur të rrisë dukshëm numrin e mandateve, falë daljes së madhe në votime të elektoratit maqedonas. Savevski dhe Nesimi, procesin zgjedhor e vlerësojnë si më të mirin në dekadën e fundit.


Maqedonia të dielën ka dëshmuar se di dhe mund të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike, sipas standardeve të kërkuara ndërkombëtare, nëse për këtë angazhohen të gjithë faktorët relevantë në vend.

Elitat politike, sipas analistit Mahi Nesimi, janë treguar më të ndërgjegjshme, por, nga ana tjetër, edhe pushteti, siç shprehet ai, ka qenë i interesuar që të mos lejojë incidente dhe prishje të imazhit - edhe ashtu jo të mirë të Maqedonisë në skenën ndërkombëtare.

Kjo është një punë e mirë sa i përket rregullshmërisë së zgjedhjeve. Ato u zhvilluan në mënyrë të qetë, pa incidente dhe në mënyrë demokratike. Njerëzit votuan ashtu siç menduan të votojnë dhe kjo është një fitore e madhe edhe për shqiptarët, edhe për Maqedoninë, pasi edhe në pjesën tjetër, pra te maqedonasit, nuk u vërejtën shkelje të mëdha të procesit zgjedhor ”, thotë Nesimi.

Sa i përket uljes së numrit të mandateve të deputetëve shqiptarë, Nesimi thotë se kjo ka ndodhur në radhë të parë për shkak të pjesëmarrjes në zgjedhje të më shumë partive shqiptare, por edhe faktit të daljes së shqiptarëve në numër të vogël në votime në raport me votuesit maqedonas.

Nga këto zgjedhje pritej që shqiptarët të arrinin të zgjedhin të paktën 30 deputetë, por numri i tyre doli 24, që është më i ulët se në zgjedhjet e fundit. Po, çfarë duhet të bëjnë partitë politike shqiptare që të mos ndodhin situata të tilla?

“Së pari duhet të vetëdijesohen që njëherë e përgjithmonë ta mësojnë elektoratin shqiptar, respektivisht ta bindin se duhet të dalë në zgjedhje. Ne skajshmërisht kemi përqindje të vogël të daljes në zgjedhje. E dyta është se vetë gara me katër subjekte politike të fuqishme ishte një paralajmërim ndjellakeq se në njësinë e parë, të dytë dhe të tretë, mund të humben vende të deputetëve shqiptarë”, shprehet analisti Mahi Nesimi.

Sa i përket bllokut politik maqedonas, Zdravko Savevski thotë se rezultatet e zgjedhjeve tregojnë një ngushtim të dukshëm të epërsisë së VMRO-DPMNE-së në raport me Lidhjen Social-Demokrate opozitare. Kjo, sipas tij, ka të bëjë me pjesëmarrjen e madhe të elektoratit në votime.

“LSDM-ja në këto zgjedhje mori një numër të madh të votave dhe kjo dëshmon se ky subjekt politik ka kapacitet për të tërhequr kryesisht qytetarët e papërcaktuar, që janë në përqindje jashtëzakonisht të madhe. Por, disfata e kësaj partie në këto zgjedhje, në radhë të parë, është përgjegjësi e saj, pasi pikërisht ishte ajo që kërkoi zgjedhje, edhe pse të gjitha anketat nuk e nxirrnin atë fituese”.

E veçantë tjetër e këtyre zgjedhjeve janë partitë e vogla, të cilat pësuan disfatë të thellë”, thotë Savevski, duke theksuar faktin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, që sipas vlerësimeve të shumta ishte më i miri në dhjetë vjetët e fundit.

Është për t’u përshëndetur fakti se zgjedhjet në Maqedoni më në fund u zhvilluan paqësisht dhe në mënyrë korrekte, ndërsa qytetarët treguan pjekuri më të lartë se politikanët, duke mos lejuar që të gjitha ato tensione të pranishme në fushatën elektorale të reflektohen edhe në procesin zgjedhor. Dalja masive e tyre në votime flet shumë për rëndësinë që ata i dhanë procesit zgjedhor”, thotë Savevski.

Që procesi zgjedhor në Maqedoni ishte demokratik flet edhe fakti se asnjë parti politike nuk ka paraqitur ankesa për parregullsi gjatë zgjedhjeve, përveç paraqitjes së rasteve për probleme teknike, por që nuk kanë reflektuar në procesin e votimit.
XS
SM
MD
LG